Informacion/ Të gjitha postimet/ Travel stories/ Udhëtime

Ylli Veriut

Doja ta postoja këtë shkrim menjëherë pas kthimit nga Kopenhagen sepse doja që ndjesitë të ishin ende të freskëta, pa u kthyer në përshtypje apo kujtime.

Kjo është plotësisht e kundërta e asaj që bëj zakonisht. Por ky nuk është një tregim i zakonshëm. 

E dija që do e pëlqeja Kopenhagenin, por nuk dija si, apo sa. Tani mund të them që jam dashuruar me të. Mendoj që është qyteti që po projekton ushqimin e të ardhmes.

Ka diçka interesante me vendet me histori jo shumë të fortë kulinare: që janëtë hapura për të përqafuar risinë në të gjitha format që ajo vjen. Edhe Danimarka është kështu. Strukur në veri dhe pa dijeni të potencialit derisa një ditë dikush me vizion ndryshoi skenën përgjithmonë.

Është e vështirë të përshkruash admirimin që ndjen për punën e Noma kur je brenda industrisë, ose fundja edhe dëshmitar i saj.  Kaq shume ide, kreativitet, vizion, integritet e mbi te gjitha dashuri. Dashuri për punën, për procesin. 

E kjo më pas bëhet shkasë për një gjeneratë të re me shefa të motivuar, të përgatitur dhe që nuk i njohin kufijtë e vendosur nga e shkuara. Një gjeneratë me restorante që shohin sipër nga Noma për të ardhmen.

Unë bëj shpesh shaka dhe e quaj Kopenhagenin, “Noma Town”, por kjo mbart një të vërtetë. Gjithçka nis, gjenerohet apo vendoset në referencë me Noma. E në të njejtën kohë Noma qëndron si një perëndi e butë mbi kokën e të gjithë nismave të reja. I ndjek, i mbështet, i frymëzon. 

Dhe ky është roli më i mirë dhe më i madh që mund të ketë një restorant. Të jetë jo veç një restorant që mban yje, por të jetë një pikë referimi, një yll polar.

Për fat të keq nuk arrita dot të drekoj apo darkoj tek Noma këtë herë sepse sapo ka mbyllur sezonin e oqeanit, dhe deri sa të nisë sezonin e ri, me temën e re, qëndron mbyllur. Megjithatë, unë do provoj përsëri e përsëri, derisa të mundem. Jo sepse ka tre yje Michelin dhe është pothuaj gjithmonë restoranti nr. 1 në botë, por sepse ka ndryshuar faqen e ushqimit, ka ndryshuar një qytet dhe ka frymëzuar edhe njerëz si unë, që janë larg gjeografikisht dhe financiarisht, për të bërë më mirë, për të imagjinuar më fort, për të dashuruar më thellë atë që bëjmë. 

Do të rikthehem.

Këtë shkrim e kam shkruar me një frymë darkën e fundit në Kopenhagen, dhe po e sjell të pa ndryshuar sepse reflekton drejtësisht emocionet e mia në atë çast.  

You Might Also Like

No Comments

Leave a Reply