Do të doja të nisja shkurtimisht me një specifikim të Vegjetarianizmit dhe Veganizmit.
Vegjetarian është ai person që nuk konsumon asnjë lloj mishi. Ka edhe disa nën-ndarje por nuk po hyjmë në shumë detaje.
Vegan është ai person që nuk konsumon asnjë lloj mishi dhe as nënproduktet shtazore, duke përfshirë edhe bulmetet dhe vezët.
Dieta vegjetariane (dhe ajo vegane), po bëhen gjithmonë e më popullore nëpër botë, për arsye etike, shëndetësore apo thjesht modë. Ndonëse në Shqipëri nuk është shumë e përhapur, kjo nuk do të thotë që një restorant Vegjetarian në Tiranë nuk është diçka pozitive. Përkundrazi, në morinë e qoftexhinjëve, dhe mishit të pjekur është e domosdoshme të ketë një alternative që e “çmitizon” mishin në kulturat si tonat. Të ushqehesh dhe/apo të gatuash me perime dhe erëza, të krijosh pjata të shumëllojshme nga vende të ndryshme, të zbulosh përbërës apo teknika të reja gatimi është pikërisht një nga avantazhet e botës së informacionit që po jetojmë.
E në këtë kuadër, në një prej udhëtimeve të mia vite më parë, u njoha me Falafelin, qoften vegjetariane të përbërë prej qiqrash e erëzash nga lindja e mesme. Një ushqim i shijshëm e plot me proteina që jo vetëm “të mban” siç i themi në gjuhën popullore, por që njëkohësisht nuk rrezikon të hash pjesë të pakontrolluara kafshësh si në rastin e qofteve të zakonshme. Dhe pikërisht Falafel, së fundmi i kam gjetur këtu në Tiranë është një restorant i vogël me ushqim të shpejtë e të freskët vegjetarian/vegan, që quhet Veggies.
Veggies: është në zonën e bllokut dhe qëndron i hapur deri vonë në darkë. Aty kam gjetur jo vetëm Falafelin të shërbyer me pite e salcë (Falafel wrap) por edhe shumë pjata të tjera vegjetariane me bazë orizi apo quinoa, sallatra e pije që e pëfaqësojnë më së miri kuzhinën vegjetariane/vegane të ditëve të sotme.
No Comments