Duke marrë shkasë nga lajmet më të fundit lidhur me përdorimin e vajit të palmës dhe komentet e shumta që burojnë nga kjo, doja ta zgjeroja edhe më tej debatin.
Tema të tilla janë të domosdoshme për të sjellë një nivel të ri ndërgjegjësimi për ushqyerjen tonë, por mendoj që trajtimi ishte i kufizuar në disa aspekte.
Momentalisht ne jemi në një fazë të paqartë. Jemi larg tradicionales dhe konformizmit të dikurshëm dhe po ashtu larg kontrolleve rigoroze dhe legjislacioneve rregulluese. Jemi në një zonë gri ku nuk dimë nëse duhet të blejmë qumësht tek fshtari apo tek prodhuesi vendor, sepse njeri mund ta ketë shtuar me ujë kurse tjetri me qumësht pluhur.
Unë besoj që në fund problemi buron nga dy aspekteve me rëndësi:
- Informacioni ynë
- Kontrolli i autoriteteve
Informimi është shumë i rëndësishëm dhe nëse hulumtojmë pak, do kemi perspektiva të reja mbi ato çka konsumojmë. Nga ana tjetër nëse kontrolli nuk do të jetë në rregull, as ne nuk do jemi të sigurtë.
Tani po shtroj disa pyetje që kronika dje nuk m’i sqaroi siç duhet:
- Ky vaji i palmës, a ishte i radhitur në listën e përbërësve në etiketat e produkteve?
- Cilat prej produkteve e kishin dhe cilat jo në etiketë?
- Cila është norma e lejuar e shtesave vegjetale?
- Kush instancë i kontrollon dhe është përgjegjëse për këto?
Këto pyetje janë me rëndësi të madhe sepse nëse produkti e ka të radhitur atë përbërës, duhet të mësojmë të lexojmë etiketat. Kurse nëse produkti nuk e ka të radhitur dhe në analiza rezulton që ai përbërës është i pranishëm në % shumë të lartë, atëhere kemi pikërisht mungesë të kontrollit. Dhe mungesa e kontrollit nuk është më çëshjte “estetike”.
Por ka diçka që më bëri pak çudi tek kronika. Analiza ishte mbi % e yndyrës së gjalpit. Gjalpi, që të quhet i tillë duhet të ketë të paktën 80% natyrale; 92% është gjalpi që përdoret për pastiçeri. Në varësi të çmimit e cilësisë mund të ketë edhe shtesa vegjetale (vaj palme, kokosi, kikiriku etj.) dhe ky nuk është ndonjë zbulim.
Tani, një çështje është mashtrimi në etiketa, ku % e yndyrës në gjalpë nuk përputhet me sasinë reale, për të shitur më shtrenjtë një produkt që duhet të jetë më i lirë sepse është më pak cilësor. Dhe një çështje tjetër është të fshehësh nga etiketa përbërës të rrezikshëm për shëndetin. Kjo pjesë m’u duk e vagullt (nuk di se për cilat arsye), duke shkaktuar, me të drejtë, panik.
Tani le të kthehemi edhe njëherë tek vaji palmës. Unë para një jave në shkrimin këtu fola pikërisht për produkte jo të shëndetshme që përdoren masivisht nëpër pastiçeri. Por meqë tani u trembëm nga vaji i palmës, dua vetëm t’ju kujtoj që kemi shumë kohë që e konsumojmë sepse është vaji që të gjitha lokalet përdorin për skuqje. Fundja vaji i palmës është një tjetër vaj vegjetal (si ai i lulediellit apo misrit, kokosit etj.) i cili për shkak të kostos së lirë është përhapur masivisht kudo dhe sigurisht do të përhapej edhe tek ne. Problemi i tij më i madh është çështja e shpyllëzimit masiv dhe rrezikimi i specieve të caktuara, siç mund të shikoni këtu (www.saynotopalmoil.com) disa informacione me vlerë.
Po ashtu të gjitha ato sëmundjet që përmendi doktori në kronikë mund t’i shkatojnë përveç vajit të palmës edhe të gjitha yndyrnat e tjera të saturuara, ushqimet e procesuara, konservantët dhe mbi të gjitha sheqernat artificialë. Ka kaq shumë lloje sheqernash artificialë në produktet që konsumojmë çdo ditë sa sinqerisht, kronika m’u duk naive (ose qëllimisht naive).
Për ata që duan të shohin diçka interesante në këtë drejtim dhe të kuptojnë që rreziku është kudo, ju rekomandoj këtë dokumentar (Fed Up) që flet për këto rreziqe në shoqëri që e kanë përjetuar përpara nesh krizën e re të ushqimit
Së fundi: mos harrojmë që informacionin e kemi në dorë vetë, kurse për kontrollin duhet të këmbëngulim më shumë.
2 Comments
Artur
17 Qershor, 2017 at 11:52 amMe ngjan me shume me nje lufte komerciale qe mesa duket ka mberritur edhe ne Shqiperi. Vaji i palmes, i cili eshte me i mire ne skuqje, po i konkuron fort vajrat e tjere me tradicionale si vajin e sojes dhe ate te lulediellit. Problemi eshte se shtete dhe kompani shume te fuqishme kane investuar tashme prej dekadash ne keto dy te fundit. Dhe shikojne me lupe te gjejne ndonje problem me vajin e palmes. Ja nje artikull i cili permbledh pozitivet dhe negativet e ketij vaji.
https://authoritynutrition.com/palm-oil/
Albi
20 Qershor, 2017 at 1:57 pmproblemi dhe diferenca me vajin e palmes nuk qendron dhe aq shume tek problemet shendetesore. Sic shkruan dhe Ingridi, demet jane te ngjashme me gjithe vajrat e tjere qe perdoren per te njejtat qellime. Ne fund te fundit, cdo vaj qe procesohet dhe perftohet ne “te nxehte”, eshte i demshem. Vetem vaji i ullirit i nxjerre ne “te ftohte” eshte shume i ushqyeshem dhe shume me pak i demshem. Nqse edhe vajrat e tjere do te perftoheshin ne “te ftohte”, do ishin po ashtu shume te ushqyeshem, por dhe SHUME ME TE SHTRENJTE!
Problemi me vajin e palmes eshte impakti mjedisor, qe demton rende pyjet per t’ja dedikuar kultivimit te palmes. Eshte impakt i ngjashem me bio-karburantet, perftimi i te cilave ka impakt negativ te dyfishte: shpyllezimin per rritjen e siperfaqes se mbjelle, dhe njekohesisht rritjen e cmimit te dritherave qe perdoren per bio-karburante, por qe jane dhe dritherat me te rendesishme per popullsite me te varfra ne bote…