Recensione/ Të gjitha postimet

Umami: Kujdes çfarë quani të përkryer

Dua të theksoj që ky është një blog që nuk bën “qoka” apo “llustra” dhe do sigurohem që të qëndrojë i tillë. Kjo për dy arsye: për të ndihmuar klientin me sugjerime të vërteta (jo të blera) dhe për ti dhënë një shanc lokaleve (veçanërisht atyre të reja), të epokës post-larje parash, të gjejnë vendin e tyre në treg.

Me këtë parim, sapo hapet diçka e re përpiqem të shkoj e ta vizitoj, sa nga kurioziteti dhe sa nga dëshira për të sjellë risi në blog. Nuk do të kishte kuptim nëse do shkruaja për vende ku gjithësecili prej nesh ka qënë dhe ka një opinion tashmë.

Kur u hap Umami, nuk renda menjëherë sepse desha që të kalonte ajo vala entuaziaste e “check-in”-eve; kështu që shkova këtë javë.

Sigurisht që nga shumë aspekte, mendoj që është një restorant i qëndrueshëm. Shërbimi në tërësi ishte i mirë, pjatat të paraqitura bukur dhe me balanca të pëlqyeshme shijesh. Më pëlqeu shumë transparenca e kuzhinës (në të dyja kuptimet), fakti që vetë Shefi ishte në krye të ekipit të tij, dhe sigurisht ekzekutimi i pjatave ishte tejet korrekt.

Pra, do thoni ju, e përkryer! Jo! Nuk mund ta quaj të tillë. Ka shumë shumë detaje që bëjnë ndryshimin midis një restoranti të mirë dhe atij që meriton lëvdata ekstreme. Madje në disa prej recensioneve (që janë mjaft të polarizuara) në Facebook, kishte disa që përmendnin yjet Michelin…por le të mos shkojmë kaq larg.

Siç e thashë edhe më parë, ka një rrugë të gjatë drejt perfeksionit, dhe Umami është shumë larg. Personalisht mendoj që Tirana ka disa (jo shumë, por disa) restorante që punojnë shumë seriozisht me menunë e tyre dhe me zhvillimin e përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimit, dhe që janë në aspekte të ndryshme më mirë se Umami.

Për të sqaruar disi edhe emrin e restorantit: Umami mendohet të jetë shija e pestë, diçka midis të kripurës dhe pikantes por e vështirë për tu përkufizuar, veçanërisht për shijen evropiane meqënëse origjinën e ka nga Japonia. Ka shumë detaje lidhur me të, dhe nëse dëshironi të thelloheni, ky artikull këtu është mjaft interesant.

Për tu rikthyer tek Umami ynë: Si fillim, prisja diçka me nota aziatike që të sillte risi dhe elemente “fusion” meqënëse edhe emri sugjeron pikërisht këtë. Por, jo. Të gjitha pjatat që provova do t’i përkufizoja klasike ose pjata të “sigurta”me ekzekutim korrekt, dhe pothuaj të mërzitshme. Së dyti, nuk vura re asgjë shenjë të ndonjë teknike të veçantë, apo diçka krijuese në aspektin e mjeshtrisë së chef-it në pjatat që porosita. Së treti, menuja m’u duk disi e kufizuar. Që të kuptohemi, jam kundër menuve të gjata dhe mbingarkuara por jam edhe kundër menuve që ofrojnë risotto me kërpudha dhe mendojnë se janë gourmet me kaq pak mund. Së fundi, çmimi për eksperiencën plotësisht të harrueshme, më duket i tepruar. Edhe njëherë theksoj që ushqimi i mirë paguhet, por ky thjesht nuk ishte aq i mirë sa të paguaje.

Me pak fjalë përveç atyre katër shijeve që dija, Umami-n s’e gjeta kund!

You Might Also Like

No Comments

Leave a Reply