Me siguri dy ditët e fundit keni parë në rrjetet sociale fotografi apo video nga eventi në tren, i titulluar Swing Marathon 2017: Andrra n’tren. Pa dashur të zgjatem apo të bie në përsëritje, dua të them dy fjalë për këtë event që më la kaq shumë mbresë të dielën e shkuar.
Siç e kam përmendur edhe më parë në shkrimet e mia, e veçanta e Hemingway bar Tirana është që ka arritur të mbledhë në një vend, njerëz me pasione, interesa dhe personalitete krejt të ndryshme duke krijuar një komunitet dinamik. Pikërisht kjo frymë që e gjen 365 ditë të vitit në Hemingway mbizotëronte edhe në trenin Tiranë- Shkodër të Swing Marathon. Fytyra të gëzuara të veshura në stilin e viteve 40-50 që kërcenin, qeshnin e bisedonin në vagonët e një treni në të cilin kisha rreth 20 vite që nuk kisha shkelur.
Nuk di të them se cili ishte suksesi më i madh i këtij organizimi: fakti që ishte marrë një tren i tërë me qera ku luhej për 4 orë jazz dhe swing (live dhe me sete nga dy DJ); fakti që po hipnim në një tren pas shumë vitesh për të dëgjuar muzikë dhe festuar; fakti që të gjithë kontribuan me veshjet dhe simpatinë e tyre në krijimin e një atmosfere që rrallë e kam parë në ndonjë festë më parë; fakti që iu kushtua rëndësi e veçantë ditës ndërkombëtare të Jazzit (30 Prill) dhe u organizua diçka kaq e bukur; fakti që rrugët e Shkodrës u mbushën me kërcime dhe gëzim etj. Personalisht nuk di cilën të vendos të parën. Mendoj që të gjitha bashkë i dhanë jetë një eksperience fantastike.
Ky udhëtim ishte një grimcë lumturie.
Edhe pse e di që Rudi dëshiron të mbajë një profil të ulët sepse edhe hapësira është e kufizuar dhe klientela specifike, unë e kam thënë dhe do e përsëris që ky vend është thjesht i jashtëzakonshëm. Sepse nuk ka nevojë të jesh në mes të bllokut për t’u quajtur i modës, nuk ka nevojë për “menaxherë” të sheqerosur apo stjuardesa (vajzat që të tregojnë se ku të ulesh quhen hostess ose stjuardesa – jo PR) për të joshur klientët. Një vend i mirë të tërheq në menyrë të pakushtëzuar dhe bën ndryshimin me organizime të tilla, sa ambicioze aq edhe origjinale.
No Comments