Përpara se t’ju tregoj se si shkoi kërkimi im për taco në Tiranë, dua të theksoj se ky shkrim është për të gjitha pjatat e variantit “sapun për djathë”. Fenomen ky, që më bezdis, sepse zakonisht pas tij fshihen dy paragjykime që duhet të çrrenjosen menjëherë: 1) Hë se këta (klientët) nuk marrin vesh 2) Le t’i zevendësojmë përbërësit e recetës me diçka tjetër se duhen ulur kostot.
Një ofrues shërbimi profesionist nuk bën kompromise dhe klienti e dallon ndryshimin. Por sigurisht që risitë kërkojnë pak më tepër kohë për të hyrë në një treg. Kështu që duhet bërë durim….sepse nëse dikush ka menduar se ky është një biznes i lehtë ku lekët priten me gërshërë i sugjeroj që të mos lodhet më tej, por të shohë ndonjë video me Njëbrirësha në You Tube, sepse ato po që janë kollaj.
Tani, po dal shkurtimisht nga tema për t’ju dhënë një shembull të jetuar.
***
Përpara gati 4 vjetësh kur sapo niste cheesecake-mania, në menutë e lokaleve dhe restoranteve filluan të shfaqen cheesecake të ndryshëm, por asnjë nuk ngjante me tjetrin e aq më pak më atë që unë kisha parasysh: NY Cheesecake. Pa dashur të zgjatem tek detajet dhe ndryshimet midis llojeve të cheesecake, çështja gjithmonë ngecte tek përbërësit. Kështu të servireshin rëndom lloj-lloj çudirash me emrin cheesecake. Cheesecake me rikota, me maskarpone, me krem kosi, me pana etj. dhe me çdo lloj përbërësi tjetër që nuk ishte krem djathi dhe kjo sepse Philadelphia kushton. Kështu, kur vendosa të gatuaj dhe të shes cheesecake të vërtetë sipas recetës së Junior’s, kosto dhe çmimi dilnin më tepër se kudo tjetër, por në vend që shitjet të ndaleshin, ato u shtuan. Të gjithë klientët e pëlqenin dhe riktheheshin duke thënë që ky ishte një cheesecake i vërtetë.
Konkluzionet? 1. Nëse pretendon që bën një recetë, bëje tamam jo me sajesa. 2. Klientët nuk janë injorantë sidomos tani në kohën e internetit dhe udhëtimeve pa viza.
***
Tani le të kthehemi në temë. Taco është një pjatë tipike meksikane e përhapur në të gjithë botën. Përbëhet nga një lloj pite misri (ka edhe gruri) e cila mund të jetë e butë ose kërce (mund t’i keni hasur si soft shell/hard shell tacos), nuk është shumë e madhe në dimension (diametër rreth 20 cm afërsisht). Mbushja mund të jetë me peshk ose fruta deti, mish viçi ose pulë por ka edhe variante vegjetariane. Përbërës të tjerë tipikë janë avokado në copa ose si salcë guakamole, pico de gallo, mango, koriander, salcë pikante, djathë i shkrirë, speca (të zakonshëm, chili ose jalapeno), qepë, domate, kastravecë, fasule, misra etj. Taco është sigurisht një pjatë që nga vendi në vend ka pësuar ndryshime e përshtatje por nuk mund të mbushësh një taco njësoj si një sufllaqe dhe të vazhdosh ta quash taco.
Kur nisa hulumtimin për tacos porosita për herë të parë tek Serendipity dhe për këtë kam bërë edhe një #60secreview prandaj nuk po zgjatem dhe po i radhis pro-të dhe kundrat e secilit vend në formë skede me qëllim që të jenë edhe më lehtë të krahasueshme.
Serendipity (porosi në shtëpi)
- Lloji: Taco me mish viçi
- Sasia: 4 copë
- Çmimi: 800 Lekë
- Përbërësit: Pite e butë misri, salcë kosi, domate, kastravecë, qepë, copa të vogla mishi
- Vlerësimi: 5/10
- Shënim: mungonte guakamole dhe në vend të saj ishte shtuar salcë kosi.
Tiki Taco (porosi në shtëpi)
Tiki Taco është një dyqan ku mund të bësh porosi në shtëpi. Nuk ka shumë kohë që është hapur dhe ma referuan shumë miq të blogut të cilët e kishin hasur në Facebook ose “sponsored” në Instagram.
- Lloji: Porosita 3 të ndryshme: 2 me mish viçi (Taco BIG dhe Taco Loco) dhe një me pulë (Taco Light)
- Sasia: 3 copë (1 racion = 1 taco)
- Çmimi: 240+240+170= 650 Lekë
- Përbërësit:
- Taco BIG: Pite e butë gruri shumë e madhe, salcë kosi, domate, qepë, copa të vogla mishi, sallatë jeshile, patate të skuqura.
- Taco Loco: Pite e butë gruri, salcë kosi, qepë, copa të vogla mishi, speca të gatuar, avokado.
- Taco Light: Pite e butë gruri, salcë kosi, domate, qepë, copa të vogla mishi, speca të pagatuar.
- Vlerësimi: Vetëm për Taco Loco 6/10 për të tjerat 4/10
- Shënim: Tacot nuk mund të jenë teke duhet të jenë 2-3 copë. Në faqen e FB nuk përdoren fotografi të vërteta të produkteve por fotografi të marra nga interneti që sigurisht duken shumë bukur. Tek Taco BIG mungonte queso (ose në shqip djathi) që ishte i shënuar në menu. Tek Taco Loco mungonte salca bbq. Tek Taco Light pico de gallo plotësisht i pabalancuar me copa të madhe domatesh e mbizotërim specash.
Serendiville:
Serendiville kishte një version që quhet Carnitas. Carnitas është një gatim i ngadaltë mishit të derrit me shumë erëza. Kjo mund të shërbejë si mbushje për tacos, bashkë me përbërës të tjerë si guakamole, koriandër etj.
- Lloji: Taco me mish derri të gatuar ngadalë (Carnitas)
- Sasia: 1 racion = 1 tip taco-je gjigande
- Çmimi: 750 Lekë
- Përbërësit:
- Një zhguall kërc që mbante brenda mishin e gatuar ngadalë me salca, fasule të kuqe dhe lakër.
- Vlerësimi: 7/10
- Shënim: Unë do kisha preferuar që mishi i gatuar të ishte i shërbyer mbi tacos të vogla ose në një tenxhere të vogël sepse ishte e pamundur të haeshin bashkë. Mishi me salcë, erëza dhe përbërësit e tjerë ishte shumë i shijshëm por kuptohet, disi i rëndë.
Meqënëse porosita edhe guakamole, më duhet të pranoj që ishte shumë e shijshme, vetëm ndoshta pak fare më e kripur seç duhet. Kurse tortilla chips m’u dukën shumë të yndyrshme dhe jo aq të thekërrosura sa do t’i doja.
The Home Social:
Që kur u hap ky myhabeti i tacos, të gjithë u bëmë më të vëmendshëm dhe kështu zbuluam edhe vende që i njihnim por jo për tacos. The Home Social Club që më ka habitur me ëmbëlsirat e shkëlqyera, shërbente edhe taco, dhe bashkë me “kolegen” Mandarina shkuam për t’i provuar.
- Lloji: Taco me karkalecë “tempura” dhe një tjetër me kërmij
- Sasia: 1 racion = 3 copë (ne ishim 3 veta dhe morëm dy të ndryshme – pra dy për secilin)
- Çmimi: 900 Lekë (3 copë)
- Përbërësit:
- Pite misri me boronicë, tempura karkaleci, guakamole, borzilok, mente, salsa me speca
- Pite misri me matcha, kërmij alla Bourguignonne, pico de gallo, salcë kosi, majdanoz.
- Vlerësimi: 8/10
- Shënim: E veçanta e tacos që provuam tek The Home është risjellja në version më elegant por duke ruajtur përbërësit thelbësorë dhe identifikues të tyre. Tacoja me karkalecë ishte e lehtë, e freskët dhe tejet e shijshme. Brumi i tacos me matcha ishte pak më i ngjeshur, kurse kërmijtë sikur humbisnin në mes të salcave. Ndoshta do duhet parë disi kombinimi tek kjo e dyta, sepse ideja e tacos me kërmij më pëlqen shumë.
Ky ishte një shembull shumë i mirë se si mund të personalizohet një taco pa e bërë si sufllaqe. Duke i hedhur ato dy- tre përbërës thelbësorë menjëherë e gjithë shija ndryshon rrënjësisht.
Janë pikërisht këto përbërës thelbësore (zakonisht guakamole, chili, lime, koriander) që bëjnë kaq fort ndryshimin dhe që nuk i gjeta tek dy të parët. Dhe nuk di se çfarë është më keq: që një restorant që mbahet si Tex-Mex dhe që ka të paktën 10 vjet që është i hapur të mos arrijë të shërbejë një nga pjatat bazë, apo që një vend i ri i sapo hapur dhe i vetëshpallur si “Takeria” e parë në Shqipëri, të mos sillet fare si e tillë.
2 Comments
Egi
11 Gusht, 2017 at 10:05 amPo ju vete ku i pergatisni cheesecake? Keni hapur ndonje restorant?
ingridxh
11 Gusht, 2017 at 10:36 amPershendetje Egi,
Jo, jo nuk kam hapur restorant, por sic e kam shenuar edhe tek shkrimi perpara disa viteve kam patur nje lokal te vogel dhe aty pergatisnim cheesecake. Tani cheesecake-un mund ta gjesh vetem ne shtepine time 🙂