Recensione/ Të gjitha postimet

S’teduktu

Kur u hap Teduktu, isha jashtë Shqipërisë dhe duke parë postimet e shpeshta me tasat shumëngjyrësh e me brunch-in, jo vetëm u bëra kurioze por edhe u mërzita pak se si nuk isha aty që ta vizitoja.

Megjithatë sapo u ktheva shkova menjëherë, madje shkova dy herë në dy orare të ndryshme, sepse doja edhe unë të përjetoja atë eksperiencën e mrekullueshme që duket se po kishin të gjithë vizitorët entuziastë të javës së parë. Nuk e pata.

***

Kur hyn tek Teduktu nuk mund të mos vlerësosh estetikën e lokalit. Më pëlqen lartësia e ambientit, më pëlqejnë zgjedhjet e mobilimit dhe kujdesi për detajet, më pëlqejnë madje edhe pjatat me mace dhe qen në tualet së bashku me sapunin e duarve. Shumë gjëra më pëlqejnë, por janë të gjitha të lidhura me pamjen, dhe askush nuk rikthehet në një lokal/restorant sepse ka një pikturë të bukur në mur. Një lokal i mirë, që i qëndron kohës dhe modës së momentit bashkë me postimet në Instagram është një lokal ku shërbehen produkte të veçanta, të përzgjedhura e përgatitura me kujdes, dhe të shërbyera nga një staf i motivuar.

Herën e parë që shkova ishte darkë dhe u habita nga zgjedhja e kufizuar e verërave dhe pijeve të tjera në banak. Një banak kaq bosh, pa koleksione pijesh e pa gotat ku do të shërbehen pijet, nuk është ogur i mirë.  Kushdo që është marrë më parë me menaxhim lokali, e ka të qartë që ajo çka gjendet pas atij banaku është burimi i vërtetë i të ardhurave, dhe jo ekspozita e pjatave të bukura me piktura.

Kërkuam një menu – nuk kishte. Kërkuam një verë franceze, nuk kishte sepse të gjitha verërat ishin të Italisë së jugut. Kërkuam ujë të gazuar me shishe qelqi – nuk kishte. Ikëm shumë më shpejt, dhe konsumuam shumë më pak se ç’kishim menduar.

U riktheva pas disa javësh për Brunch-in më të famshëm në qytet, por që nuk shërbehej ditën e shtunë kur shkova unë. Lokali ishte pothuajse bosh dhe kamarierët silleshin sikur ishim transparent. Menu vazhdonte të mos kishte, prandaj porosinë e dhamë në varësi të njohurive paraprake dhe sugjerimeve të kamarierit. Një prej miqve të mi, që kishte pak më tepër njohuri për produktet e lokalit kërkoi “Ujin e bekuar”. Ndërkohë ne arritëm t’i rrëmbenim kamarierit nja dy sugjerime për mëngjes dhe porositëm një Eggs Benedict dhe një Pancakes me matcha. Këtë të fundit e kërkuam të na shoqërohej me mjaltë dhe çokollatë, ashtu si shoqërohet një pjatë me petulla pothuaj në çdo vend të botës.

Uji i bekuar erdhi në një kanë të bukur, por nuk e kuptova nëse bekimi ishte feta e vogël e limonit dhe gjysëm gjethja e vyshkur e mentes, apo kishte ndonjë simbolikë më biblike se kaq. Ndoshta jam unë që nuk e kuptova, por kjo m’u duk një shaka.

Uji i bekuar sipas @Teduktu

Shaka @Teduktu

Pastaj erdhi pjata ime e vezëve Benedict. E bukura me recetat dhe me emrat e tyre është që nëse i ndryshon përbërësit ajo nuk quhet më ashtu. Është si të quash spagetti alla bolognese, linguinet me salcë – janë të gjata dhe të ngjashme por aspak e njejta gjë. Por për t’u kthyer tek vezët që nuk ishin Benedict, por që kishin në mënyrë krejt të panevojshme një fetë të trashë domateje mes bukës dhe vezës poshé e cila përveç se nuk i jepte asnjë shije të shtuar, arrinte të prishte edhe shijen dhe kremozitetin e vezës me salcën hollandeze. Pastaj të treja bashkë e squllnin kaq shumë bukën poshtë sa mendova se po haja Spongebob-in. Besoj është e qartë, përse ka proshutë dhe jo domate në recetën origjinale të vezëve Benedict.

Vezë (jo) Benedict @Teduktu

Së fundi, erdhën edhe Pancake me matcha. Tek kjo pjatë më erdhi shumë keq për matcha-n e çuar dëm, sepse e vetmja shije që mund të dalloje në ato pancakes ishte mielli.

Pancakes me matcha

Me një kompozim të denjë për vitet 90′, pancake-t tanë nuk kishin as mjaltë dhe as çokollatë për t’i shoqëruar.

Për fat kishim ujin e bekuar, që mundëm t’i shqisnim nga qiellëza.

Ah po, tani e kuptoj përse quhej ujë i bekuar…

 

You Might Also Like

4 Comments

  • Reply
    Ruzha Likja
    29 Dhjetor, 2017 at 8:36 am

    Me te njejten fryme entuziazmi mund te jene nisur shume persona, e vertete qe ushqimi nuk ishte ne lartesine e promovuar. The famous “bowls” nuk krijonin nje lidhje mes elementeve, perpos faktit qe kishte nje mix te ftohtash me te ngrohtash, nje pjese jo e gatuar mire. Sigurisht nuk vlenin per cmimin e vendosur, as ketu e as ne ndonje shtet tjeter ne Europe.

  • Reply
    Ledia
    31 Dhjetor, 2017 at 11:54 am

    Vleresim shume i goditur. Concept store do te thote qe cdo koncept I prezantuar eshte cilesor por une pervec arredimit interesant nuk gjeta asnje koncept tjeter te arritur. Mos flas per bowls qe ishin pa shije pa estetike dhe overpriced sikur po sherbeheshin ne Londer.

  • Reply
    Amateur home cook
    11 Shkurt, 2018 at 4:37 pm

    Kritike perfekte. Per instagramsat e sotem ka me shume rendesi pamja se perberja ndaj sbesoj se shume do e kuptojne qe po hane veze porched ne vend te benedict. Madje as qe u ben vone ama per ca nga ne ka ndryshim te madh.

  • Reply
    Fiona
    14 Shkurt, 2018 at 9:58 am

    Po ndihem e lehtesuar qe nuk qenkerkam vetem une qe e kritikoj forte kete vend. Vec gjerave qe jane rradhitur ne kete shkrim, me te cilat jam dakord plotesisht, une do te shtoja edhe moskorrektesine. Me ka rastisur dy here qe kam shkuar per te pire dicka, duke pertypur pakenaqesite e meparshme per hir te nje ambienti te kendshem, edhe e kam gjetur te mbyllur. Ne periudhen e festave te fundvitit Teduktu lajmeron ne instagram se do te jete i mbyllur per disa dite per festen e Krishtlindjes (paksa e cuditeshme per nje vend qe sapo eshte hapur) dhe rihapahej me date 28, por nuk qe aspak e verete pasi ishte akoma i mbyllur.

  • Leave a Reply