Recensione/ Të gjitha postimet

Pak kripë mes të zakonshmes

I hapur një vit më parë, SALT ka qënë lokali që kam frekuentuar dhe rekomanduar më shumë gjatë verës, madje e kam përfshirë edhe në vendet që sugjeroj tek Spotted by locals.

E pëlqeva atë vend që ditën e parë që pashë atë oborrin e vogël me pemën në mes dhe tarracën fantastike. Menjëherë mendova se ai vend i ka të gjitha elementet për të qënë një sukses: vendodhjen, arkitekturën, madje edhe markën e ndërtuar mirë.

Në fakt vjet, për shkak të popullaritetit të menjëhershëm pati disa ulje-ngritje të cilat ma hoqën pak atë entuziazmin e fillimit, megjithatë ka mbetur një nga vendet që e vizitoj shpesh për të pirë dhe ngrenë diçka në çdo kohë, në stilin e një bistroje.

Në botë, bistrot kanë fituar shumë popullaritet falë formatit më praktik, duke ofruar një menu më të reduktuar se restorantet por duke bashkuar kuzhina dhe shije nga vende të ndryshme të botës, me zgjedhje shumë të gjera pijesh për kombinime interesante mes tyre. Në Tiranë ende nuk ka shumë të tilla por Salt e përfaqëson shumë mirë këtë kategori, dhe është pikërisht kjo arsyeja pse e rekomandoj.

Megjithatë, vendimin për të bërë një shkrim për SALT e mora dje, pasi provova një menu brunch-i të përgatitur shumë mirë. Ç’është e drejta ky ishte një organizim i veçantë, sepse momentalisht nuk ka një menu të tillë fikse (në të kundërt do e kisha përmendur këtu), por uroj që ta shtojnë sa më shpejt sepse me siguri do të jetë një sukses.

Menuja e Brunch-it përbëhej nga rreth 7 pjata, me një çmim fiks, që për një person ishte pak më tepër se mesatarja edhe si sasi ushqimi edhe si çmim. Ne zgjodhëm të ndanim një menu për dy persona dhe patëm mundësi të provojmë pak nga të gjitha. Disa prej pjatave në menu ishin kroketat me mocarela dhe kërpudhë, tosti me avokado dhe vezë në këmishë, salmoni i shoqëruar me salcë maskarpone limon dhe bizele etj.

Kroketa me mocarela, kërpudha dhe tartuf

Tost me krem avokado dhe vezë në këmishë

Meqënëse mendoj se një restorant i mirë dallohet tek përgatitja e pjatave kryesore, dua të theksoj se salmoni ishte i shkëlqyer, si në përgatitje (i pjekur sa duhet) ashtu dhe në kombinimin e shijeve.

Fileto salmoni me maskarpone limon, dhe bizele të shtypura

Siç e ceka pak më lart, SALT ka patur uljet dhe ngritjet e veta, dhe në disa raste pjatat në menu kanë qënë të pa ndërtuara mirë dhe me përbërës të pa lidhur mirë. Gjithashtu kam dëgjuar edhe ankesa për shërbimin, edhe pse personalisht nuk kam patur eksperienca të këqija në këtë drejtim. Megjithatë shoh që ka një përpjekje të vazhdueshme për të sjellë risi: me menutë që ndryshojnë sipas sezonit, me organizimet si brunchi i pashkëve apo Sushi AYCE (All you can eat) etj. Këto risi apo ndryshime, më bëjnë të mendoj që ka një vullnet për përmirësim, dhe që punohet në mënyrë të vazhdueshme për të bërë diferencën në një treg me shumë alternativa, por aspak veçanti.

Orange Vacherin

You Might Also Like

No Comments

Leave a Reply