Bali/ Të gjitha postimet/ Udhëtime

Room 4 Dessert

Sa herë kthehem nga këto udhëtimet e gjata dhe të largëta, humbas dëshirën për të shkruar (dhe për të jetuar po të jetë për atë punë). Temat që kam menduar mbeten në draft dhe nuk materializohen kurrë. Nuk e di saktësisht përse. Ndoshta është fakti që këto eksperienca janë kaq thellësisht të bukura dhe plotësuese sa më duket e kotë të shkruaj për to. Më duket sikur në asnjë mënyrë nuk do të arrija të përshkruaja saktësisht ndjenjën e përjetuar dhe lumturinë e atyre momenteve atje, në atë vend.

Sot nisa të lexoj librin e Will Goldfarb që kisha blerë një vit më parë gjatë vizitës në restorantin e tij, Room 4 Dessert në Ubud, Bali. Teksa lexoja e kujtoja, kuptova që duhet t’i dedikoja një postim të plotë asaj darke sepse pikërisht nga dëshira për të qënë aty, nisi edhe pasioni im i udhëtimeve dhe eksplorimeve të vendeve të largëta vetëm.

Të qënit pikërisht aty, atë natë, do të thoshte që ëndërrimet me sy hapur duke parë Netflix, ishin kthyer në realitet dhe unë isha duke biseduar me vetë Will Goldfarb!

Room 4 Dessert është një restorant që shërben vetëm ëmbëlsira të krijuara nga shefi i njohur Will Goldfarb, duke përdorur prodhime të vendit. Me siguri historinë e tij e keni parë në Chef’s table në Netflix. Nëse nuk e keni parë jua këshilloj. Është interesante dhe shumë frymëzuese.

***

Arrij në kohë për rezervimin dhe më drejtojnë tek vendi im në banak, ngjitur me shefin. Dhoma është gjysëm e errët me një pikturë jashtëzakonisht të veçantë në tavan. Mobilimi është plotësisht në stil balinez: minimalist, i përmbajtur, ekzotik. Muzika është fantastike. Më vonë duke lexuar librin e tij kuptova dashurinë e shefit me muzikën dhe librat dhe kjo më vërtetoi edhe njëherë atë që kam besuar gjithmonë: që personaliteti i një vendi përcaktohet nga personi që e drejton. Janë ato detajet e vogla që nuk i kopjon dot askush, ato shprehjet e unit tënd që e bëjnë vendin tënd si asnjë i dytë. E me këto mendime nisi udhëtimi im në menunë sezonale të quajtur In Transition të përbërë nga 9 ëmbëlsira të ndryshme. Në fakt ky degustim ishte për dy persona por kur udhëton vetëm, do marrësh parasysh që jo vetëm kostot do duhet t’i mbulosh vetë, por ndoshta edhe dozën e sheqerit, si në këtë rast. Fundja, çmimi i lirisë së plotë është gjithmonë i lartë.

Planifoglia

Sabayon, mjedër, “vanilje”. Këtu ajo që duket si vanilje në fakt është fletëz çokollate.

New Wave

Karotë, Marigold (në mos gaboj e quajmë lule kokë-luani në gjuhë popullore), fara kungulli

Red

Fruta të kuqe, kek me panxhar dhe verë e kuqe.

Scarborough pear

Tempura molle, sherebelë, tofee

Angel’s kiss

Sojë, mango, jack fruit, kamomil.

Incidente stradale

Kokos, kafe e bardhë, Jamu. Jamu është një përzierje shumë e njohur balineze me bazë lime, xhinxher, tumerik dhe mjaltë.

Sugar refinery

Kokos, krem chantilly, çokollatë “toblerone”, meringe balineze.

Caramel tea brulée

Karamel, çaj i zi, kardamom, kripë.

Chocobubbles

Biskota, kafe luwak mousse, nougatine.

Chocobubbles

E kam të vështirë të përcaktoj se cila nga ëmbëlsirat ishte më e mira por mund të them se shijova shumë Red për kombinimin e gjetur por pa tepri të frutave të kuqe, verës dhe kekut të butë me panxhar. Incidente stradale për risjelljen në kujtesë të Tiramisusë pa patur asnjë lidhje faktike me të. Sugar refinery për faktin që nuk ishte e ëmbël sa mund të presësh nga një ëmbëlsirë me një emër të tillë por edhe për teksturat e ndryshme dhe shijet fantastike. Angel Kiss për delikatesën e rrallë. Nëse do më puthte ndonjë ëngjëll jam pothuaj e sigurtë që do kisha të njejtën ndjesi.

Për ta mbyllur, ajo që më la mbresë të veçantë tek Room 4 Dessert, ishte se si ekspertiza dhe eksperienca e restoranteve me yje ishte aplikuar mjeshtërisht në një terren komplet të pashkelur por jashtëzakonisht pjellor. Bali është një parajsë kulinare me prodhime të mrekullueshme, por me shije dhe përbërës krejt të rinj për ne. Të gjitha këto, shef Goldfarb i kishte përdorur për të rikrijuar ëmbëlsira jashtëzakonisht komplekse me shije shumë të holla dhe të rafinuara. Shumë përbërës, teknika dhe tekstura të bashkuara për të gjetur shije të njohura në pjata të panjohura dhe e shije të panjohura në pjata të njohura.

You Might Also Like

No Comments

Leave a Reply