Recensione/ Të gjitha postimet/ Udhëtime

Prishtina (pothuaj) vegjetariane

Po lexoja një artikull dje mbi vegjetarianizmin dhe veganizmin në një portal që quhet Kosovo 2.0 dhe më kujtoi të përfundoja këtë artikull që e kam nisur gati një vit më parë, ku pikërisht kam dashur të nxjerr në pah një anë tjetër të Prishtinës.

Kam patur gjithmonë fatin të kem miq të veçantë nga Kosova, të cilët, duke ditur fiksimin tim për ushqimin, më kanë shoqëruar apo sugjeruar vende shumë të mira në Prishtinë, larg rutinës së qebapave, pleskavicave dhe rakisë. Madje aq larg, sa në vendet që do rradhis, mund të jesh vegjetarian dhe të kënaqësh shumë.

Më duhet të theksoj që këto janë vende të reja, me koncepte e target grupe specifike dhe janë të përzgjedhura me kujdes për të treguar një aspekt mjaft pozitiv të zhvillimit dhe dinamizmit në Prishtinë. Ndoshta nuk janë plotësisht përfaqësuese, por janë vende tek të cilat kam shkuar, do rikthehesha me kënaqësi, dhe që ia rekomandoj atyre që planifikojnë të vizitojnë Prishtinën.

Jam e bindur që ka shumë vende të tjera të mira, të cilat mund të jenë hapur së fundmi, por këto që kam rradhitur  kanë secila nga një arsye përse i pëlqej dhe i vlerësoj si koncepte.

FOLÉ: Gjendet në një rrugicë pranë një prej rrugëve më të populluara por mund të ndodhë edhe që të kalosh aty pranë pa e vënë re, si më ndodhi mua herën e parë. Folé më pëlqen jashtëzakonisht shumë. Kam qenë disa herë dhe çdo herë më ka pëlqyer krijimtaria dhe thjeshtësia e pjatave. Një vend absolutisht ideal për brunch ku nuk do mund të harroj lehtë vezën poshé me shparguj, djathë të bardhë dhe fara chia. E lehtë, e shijshme, vegjetariane, dhe ekzekutuar në mënyrë korrekte. Fundja, kush tha që duhet të shpikësh rrotën nga e para për të realizuar receta që funksionojnë.

Shparguj e vezë @Fole

Tartine: Tartine do ishte vendi që do shkoja çdo ditë, nëse do ishte në Tiranë. Madje tashmë është zgjeruar edhe me një pikë të dytë të quajtur Tartine grande, të cilën për fat të keq e kam parë vetëm në Instagram, ku edhe aty janë mjaft simpatikë. Nga ajo që shoh, koncepti i Tartine është ruajtur shumë bukur, duke i dhënë pikërisht atë çka kishte nevojë Tartine e vogël, hapësirën. Edhe pse unë jam gjithmonë adhuruese e vendeve të vogla, e kuptoj drejtë nevojën për zgjerim të një biznesi. Në Tartine çdo gjë, duke nisur nga menuja estetikisht e kuruar dhe e ndërtuar mirë, dekoret, e më pas tek ato çka shërbehen – mengjeset, open toasts, ëmbëlsirat, quiches etj. janë në sintoni të plotë me konceptin e një vendi që të bën të ndihesh si në shtëpi, me thjeshtësi, kujdes dhe inteligjencë. Nëse do e kisha bërë vetë Tartine, nuk do të kisha bërë asgjë ndryshe.

Open toast @Tartine

Babaghanoush: Ah, një tjetër i preferuar në Prishtinë. Në fakt i përmendur edhe në artikullin e “Ekzisencës pa mish”, si restoranti vegjetarian që po pëlqehet shumë. Por përtej kësaj, Babaghanoush është një vend i vogël me kuzhinë të frymëzuar nga lindja e mesme, që shërben pjatancat me mezet më të shijshme vegjetariane në Prishtinë e Tiranë bashkë. Edhe tani që po shkruaj do të doja shumë të isha duke pirë një gotë verë bashkë me falafelat, hummusin dhe sigurisht babaganoushin e shkëlqyer, mundësisht përballë mozaikut më feminist që kam parë. 🙂

Mezet @Babaghanoush

Mozaiku simpatik @Babaghanoush

Dit’ e nat’: Përveç faktit që ka libra, postera nga filmat që pëlqej dhe mace, gjëra që do më bënin ta doja këtë vend edhe sikur të mos kishte asgjë tjetër, Dit’ e nat’ është tamam një vend për çdo rast. Mund të shkosh për të punuar, për të pirë diçka, për të dëgjuar muzikë live mbrëmjeve, apo për të ngrënë diçka të shpejtë nga larmia e sanduiçëve dhe pjatave vegjetariane.

Sanduic vegjetarian @Dit’ e Nat’

Së fundi, padyshim një nga vendet më simpatike në Prishtinë mbetet Bonvivant.

Po, njësoj si ky blog, madje më duhet të them që ka qenë aty përpara blogut dhe për një kohë të gjatë e kam mbajtur pezull blogun me dëshirën për të mos përdorur të njejtin emër. Por pasi e mendova gjatë dhe isha e bindur që i përshtatej më së miri konceptit, vendosa ta mbaj këtë emër sepse fundja, asgjë nuk është autentike, nëse nuk e bën ti të tillë. Në fakt edhe Bonvivant në Prishtinë ka një personalitet, është tejet i njohur dhe i pëlqyer dhe është nga ato vendet dinamikë në shumë aspekte. Çdo herë që kam shkuar, për kafe, për pije, për të ngrënë diçka, ka pasur ndonjë risi: një pije e sezonit, si vera e ngrohtë në dimër apo limonata gjatë verës, ose ushqime të shpejta të shërbyera lezetshëm, si Hamburgers, Wraps, Tortillas etj. Madje ka edhe Tacos, të cilat edhe pse nuk i kam provuar, nga kjo foto e të ‘infiltuarve’ të mi në Prishtinë, është e qartë që nuk janë Tacosufllaqe si këtu tek ne. 🙂

Tacos @Bonvivant
©A.D

Dy vende të tjera që jam kurioze t’i njoh më shumë janë Green & Protein te cilin e kam provuar vetëm një herë dhe Sonder i cili ka pak kohë që është hapur dhe do të doja shumë të shikoja nëse ato gjërat e bukura janë edhe po aq të mira.

Të tjera vende që pëlqej dhe rekomandoj (jo detyrimisht për ushqimin) për atmosferën dhe për një drink janë Che Bar, Soma Book Station, dhe Hamam Bar . Tek këto dy të fundit kam mbetur pak e zhgënjyer me zgjedhjen e pijeve sepse as njëra as tjera nuk kanë patur (në kohën e vizitave të mia) premium gins, dhe për kategorinë që përfaqësojnë, kjo është një domosdoshmëri. Megjithatë, me sa kam parë nga postimet në rrjete tashmë Soma ka shtuar edhe zgjedhje të tilla.

Jam e bindur që lista mund të zgjerohet edhe me vende të tjera, por këtë herë doja vetëm të fokusohesha tek mënyra se si po ndryshon perceptimi ndaj ushqimit, në një vend ku, ashtu si në Tiranë, mishi është i perceptuar si ushqim dhe gjithçka tjetër si barishte.

Por nëse po ndryshon kërkesa ndaj ushqimit, ndryshimi është që në Prishtinë – edhe pse nuk njoh asnjë vegjetarian deri më tani – ka shumë më tepër alternativa se në Tiranë ku numri i lokaleve është shumë më i madh dhe numri i vegjetarianëve është në rritje. Kjo dëshmon edhe njëherë që në vend që të dëgjojnë klientin dhe kërkesat e tyre, lokalet riprodhojnë të njejtat pjata – zakonisht diçka me salcë të lirë tartufi që maskon kollaj edhe pasaktësitë ose paaftësitë e kuzhinës – të cilën e ofrojnë si zgjedhje vegjetariane në vend të ushqimeve të shijshme, të shumëllojshme dhe të vërteta vegjetariane.

You Might Also Like

No Comments

Leave a Reply