Po i rikthehem temave të udhëtimit në Azi meqënëse e lashë pak pas dore dhe shumë më kanë pyetur për aspekte të ndryshme.
Pas postimeve lidhur me përgatitjen e bagazheve dhe planifikimit të itinerarit do përpiqem të përmbledh momentet më interesante në secilin prej qyteteve që vizitova gjatë qëndrimit tim një mujor si udhëtare solo.
1.Ku të qëndrosh?
Bangkoku është jashtëzakonisht i madh dhe le të themi që ka dy pjesë kryesore tek të cilat do të të bjerë rasti të shkosh. Pjesa e vjetër me tempujt dhe disa pika të tjera turistike që vlejnë të vizitohen, dhe pjesa e re me grataçiela, qendra komerciale moderne e restorante e bare elegante.
Meqënëse fluturimi im ishte nga Bangkoku u stacionova dy herë: një herë në vajtje, ku qëndrova 4 ditë në një hotel në qendrën e vjetër dhe një herë në kthim ku qëndrova dy netë në një Airbnb në pjesën e re të qytetit.
Nëse do udhëtoja përsëri do të zgjidhja opsionin e Airbnb (ose hotel) në pjesën e re. Pjesa e vjetër ka disa pika shumë interesante për t’u vizituar por është shumë e rrëmujshme dhe e lidhur keq me pjesën tjetër të qyetit.
2. Transporti në Bangkok.
Hapësirat janë shumë të mëdha, dhe nuk mund të lëvizësh shumë në këmbë prandaj më ra rasti të provoj gati çdo formë transporti. Trafiku është përgjithësisht i ngarkuar dhe vendasit lëvizin kryesisht me motorë.
Taksitë janë forma më e përhapur dhe në përgjithësi janë të lira (nga 100THB = 3 Euro) por shpesh nuk mbajnë taksimetër dhe në raste të tilla më mirë të mos pranosh të udhëtosh me to.
Tuk-Tuk janë motorë të vegjël të hapur. Janë shumë tipikë dhe natyrisht nuk kanë taksimetër. Rrjedhimisht, edhe hapësira për mashtrim është shumë e madhe. Duhet të negociosh shumë me to dhe kjo është e lodhshme.
BTS është linja e skytrain në mes të qytetit të cilën e adhuroj. Kalon nëpër të gjithë pjesën e re të qyetit. Eshtë e lirë, e pastër, e shpejtë dhe mbi të gjitha nuk mbetet në trafik. Nëse qëndron në pjesën e re, është padyshim mënyra më e mirë për të udhëtuar.
Grab App është një app si Uberi që funksionon në Azi. Është i lehtë për tu përdorur dhe nëse je në një zonë ku nuk ka taksi afër është zgjidhje e mirë. Çmimet janë pak më të shtrenjta por nëse nuk ke para kesh me vete, është praktike.
Autobusët janë paksa të vjetër por janë shumë të lirë dhe me kondicioner :). Linja e aeroportit kur mbërrita më la tamam përpara hotelit në Khaosan Road.
3. Vendet që duhen vizituar
Khaosan Road është qendra e pa evitueshme e qytetit të vjetër, dikur e njohur si zona e backpackers. Është një pikë që kushdo që shkon në Bangkok do kalojë. Personalisht m’u duk një lëmsh i madh dhe nuk shpenzova shumë kohë, edhe pse hoteli im ishte pikërisht aty.
Tempujt janë të shumtë, madhështorë dhe për të mos u humbur, por pikat më kryesore janë tempulli Wat Phra Kaew, (tempulli i Budës së smeraldtë), Wat Pho (tempulli i Budës së shtrirë) dhe pallati i mbretit (Grand Palace). Këto janë relativisht afër me njera tjetrën dhe mund të bëhen brenda një dite.
Udhëtimi në Chao Phraya me varkë. Shëtitja në lumin që e ndan qytetin në dy anë, është gjithashtu një eksperiencë që duhet provuar edhe pse uji i lumit nuk është saktësisht i kaltër. Për këtë mund të zgjedhësh varkat e linjës shtetërore ose ato private. Unë gjithmonë zgjedh opsionet ‘zyrtare’ dhe zgjodha linjën që të çonte nga China Town në afërsi të tempullit të Budës së shtrirë.
Sukhumvit Road është rruga më e gjatë në Bangkok dhe në dy krahët e saj shtrihen shumë rrugë të tjera plot me lokale, bare, hotele dhe atraksione te tjera. Në Sukhumvit ndodhen edhe zonat e njohura “red light” Soi Cowboy dhe Nana Plaza.
Silom është i njohur si distrikti financiar dhe një zonë që duhet vizituar. Këtu bëra kursin e parë të kuzhinës Thai në shkollën po me të njejtin emër. Shumë restorante të njohura, hotele dhe rooftop bars, janë të vendosura pikërisht në Silom. Madje edhe Skybar i Hangoover II dhe restoranti më i mirë në Tajlandë, “Gaggan” janë aty.
Street food në Tajlandë është kudo. Në fillim të duket pak e vështirë të hash në rrugë, por pasi kalon pak kohë aty, fillon dhe mësohesh me idenë. Ushqimet që shërbehen në rrugë janë të gjitha të skuqura, të gatuara fort ose të ziera prandaj mijëra njerëzit që hanë aty në ditë nuk sëmuren. Pothuaj çdo rrugë ka pika që shërbejnë ushqime, fruta e pije kështu që herët apo vonë nuk i shpëton dot tundimit dhe kuriozitetit.
Chang Chui Night Market është një nga gjërat më të bukura që vizitova në Bangkok. Është një treg paksa më larg qendrës së vjetër dhe është funksional kryesisht natën. Chiang Chui është i mbushur me dyqane të vogla, kioska me ushqime, muzikë dhe instalacione gjigande.
4. Restorantet
Në fakt, ka kaq shumë vende të mrekullueshme sa e vetmja referencë që ia vlen të merret është Google places. Pra, të gjeni vendet me review më të mira në varësi të zonës ku jeni. Megjithatë po ndaj këtu disa prej vendeve që më bënë më shumë përshtyje.
Pad Thai është pjata më tipike që gjendet kudo dhe është jashtëzakonisht e shijshme. Pad Thai më i mirë që hëngra ishte në Thipsamai Pad Thai, një lokal i vogël, i renditur edhe në Michelin Guides, shumë i famshëm dhe me një radhë shumë të gjatë jashtë.
Një tjetër pjatë tipike është supa Tom Yum. Shumë pikante por shumë e shijshme. Tek Quaint Bangok më pëlqeu shumë jo vetëm supa por edhe sallata e ftohtë me fileto rose dhe erëza.
Pranë Quaint, gjeta Shuuga, një nga lokalet më të veçanta që kam hasur ndonjëherë. Një dessert bar i vogël që dukej si i bërë prej sheqeri me ëmbëlsira të shijshme por mbi të gjitha të prezantuara në një mënyrë mbresëlënëse.
Një nga kafenetë e mia të preferuar u bë Ink & Lion, ku shkova disa herë për të punuar dhe për të pirë kafen e mëngjesit. Të gjesh kafe të mirë nuk është gjithmonë lehtë, prandaj njëherë që e gjeta këtë roaster të vogël që shërbente disa lloje mishelash dhe pijesh të përgatitura në çast, nuk iu ndava më.
Një tjetër restorant që më la përshtypje ishte një restorant i vogël tradicional Japonez, Okinawa Kinjo. Shumë modest, por me review të shkëlqyera, dhe tani që e mendoj e kuptoj përse. Ndryshe nga kudo tjetër, këtu pata vështirësi për të komunikuar sepse askush nuk fliste anglisht. Pas disa përpjekjesh arrita që të porosisja pjatën me mish viçi të shoqëruar me supë miso dhe oriz të bardhë si dhe disa shtëllunga algash të skuqura si antipastë që ishin shumë të shijshme.
Të gjitha restorantet më sipër janë në Sukhumvit, prandaj e pëlqeva shumë atë zonë, e cila në të vërtetë nuk ka ndonjë bukuri për t’u parë nga pikëpamja turistike. Megjithatë, ajo që duhet mbajtur parasysh në Bangkok është që edhe pse qyteti nuk është aspak i përkryer, atmosfera, shërbimi, qetësia, butësia dhe buzëqeshja konstante e banorëve në “Land of Smile” të bën menjëherë për vete.
No Comments