Në këtë postim të dytë do t’ju tregoj si planifikova itinerarin gjatë qëndrimit tim 1-mujor duke nxjerrë në pah disa aspekte që duhet të keni parasysh kur të planifikoni itinerarin tuaj.
Aspekti më i rëndësishëm në planifikim është padyshim koha kur udhëtoni. Unë u nisa në 22 Shtator ku në Tajlandë nuk ka nisur ende sezoni i lartë kurse në Bali po mbaronte. Mendohet që periudha ideale për të udhëtuar në Tajlandë është Nëntori – Janari kurse në Bali Qershori – Shtatori. Natyrisht edhe përreth këtyre muajve mund të hasësh në kohë të mirë por më shumë gjasa ka të jetë periudhë me shi, prandaj shumica e turistëve përpiqen të mos rrezikojnë në periudhat e ndërmjetme. Unë zgjodha këtë periudhë, sepse gjeta një biletë më të lirë.

Itinerari im. Bangkok – Chiang Mai – KL – Ubud – Canggu – Uluwatu
Në fakt kur bleva biletën për Tajlandë rreth 6 muaj përpara udhëtimit u vura në dilemën nëse ja vlente të “rrezikoja” apo jo, dhe vendosa që nuk do e lejoja shiun të më pengonte në udhëtimin e shumë pritur. Kështu që u përgatita edhe për skenarin që koha do të ishte e keqe.
Kur nisa të bëj rezervimet për hotelet dhe fluturimet nga një vend në tjetrin kuptova që do e kisha shumë të vështirë të bëja zgjedhjet e duhura në pafundësinë e mundësive që ofronin këto vende, aq më tepër pa ditur se ku do të më pëlqente të qëndroja më tepër e ku më pak, kështu që vendosa t’i bëj planet rrugës.
***
Fluturimi që kisha zgjedhur ishte nga Brukseli për në Bangkok me KLM Airlines. Hoteli në Bangkok ishte i vetmi që kisha rezervuar që nga Tirana dhe tani që e mendoj është hoteli që më ka pëlqyer më pak. Në Bangkok qëndrova 4 netë dhe pata mundësinë që të vizitoj disa nga pikat kryesore edhe pse moti nuk ishte gjithmonë i mirë.

Bangkok
Meqënëse koha nuk ishte për plazh, vendosa të ngjitem në Chiang Mai në veri të Tajlandës, në vend që të vijoja në jug drej ishujve. Në Chiang Mai rezervova për dy netë me idenë që ishte një qytet i vogël por në fakt kishte kaq shumë tempuj dhe gjëra për të eksploruar, sa vendosa ta zgjas qëndrimin tim edhe me dy netë të tjera.

Chiang Mai
Nga Chiang Mai u nisa për Malajzi. Kuala Lumpur është qytet i madh, por besoj që 4 netë siç qëndrova unë, janë të mjaftueshme për të krijuar një ide të qytetit. Kush ka qejf shopingun ndoshta duhet të llogarisë edhe ndonjë ditë më tepër për të vizuar qendrat e shumta tregtare.

Kuala Lumpur
Nga Kuala Lumpur u nisa për Indonezi, në Bali. Nga aeroporti shkova direkt në Ubud ku do të qëndroja 4 netë. Ubudi më shokoi. Nuk di as vetë saktësisht përse, por di që ishte hera e parë që u përballa me diçka krejtësisht ndryshe nga ç’kisha parë deri në atë moment. Sapo më kaloi disi gjendja e shokut (që zgjati gjysmën e ditës së parë), i kërkova zonjës së shtëpisë të shtoja qëndrimin tim me 4 netë të tjera sepse kuptova që doja patjetër të qëndroja më shumë aty.

Orizoret në Ubud
Meqënëse më shumë se gjysma e pushimeve kishte ikur pa e kuptuar dhe pa bërë asnjë ditë plazh vendosa që 8 netët e fundit të shkoja në dy qyteza pranë detit: Canggu dhe Uluwatu.
Canggu është një zonë shumë e njohur në pjesën Jugperëndimore të ishullit, me plazhe të gjera ranore shumë të përshtatshme për surf. Një pjesë e turistëve zgjedhin Seminyak, por unë pasi pashë dhe pyeta vendasit, zgjodha Canggun si një vend më pak i rrahur por njësoj i bukur dhe i gjallë. Në Canggu kam mbetur e habitur me cilësinë e bareve, restoranteve dhe me njerëzit e mrekullueshëm që takova rrugës.

Brunch në Canggu
Pas 4 netëve në Canggu, 4 netët e fundit i kalova në Uluwatu, në pjesën edhe më jugore të ishullit. Më duhet të them që në këtë pjesë të Balit, oqeani bëhet edhe më madhështor dhe plazhet edhe më të bukura. Nuk mund të kërkoja mbyllje më të bukur për një udhëtim si ky.

Uluwatu
Tani që e mendoj në retrospektivë, jam e lumtur që itinerarin e planifikova hap pas hapi. Natyrisht kur rezervon në distancë të shkurtër kohore, ka edhe më tepër kosto sepse nuk gjen gjithmonë alternativat më të mira dhe më të lira, por nga ana tjetër zgjedh të qëndrosh më pak apo më shumë pa qënë i kushtëzuar nga vendime që i ke marrë pa e njohur vendin.
Tani që e njoh, di saktësisht ku dhe kur të shkoj.
No Comments