Pyetja më e shpeshtë që marr që nga momenti që vendosa të udhëtoj solo.
Më lejoni të bëj një kundër-pyetje: Përse jo?
Teksa prisja momentin e duhur, shoqërinë e duhur, buxhetin e duhur dhe gjithçka tjetër të “duhur”, kuptova që në fakt koha më e mirë për të bërë ato udhëtimet e bukura që ëndërroja, ishte pikërisht aty.
Pra, vendosa të mos prisja më dhe të dilja jashtë zonës së rehatisë. Kështu nisi gjithçka, dhe nuk jam bërë pishman asnjë ditë për këtë.
Kur udhëton, vetëm ose jo, gjasat janë që dy vështirësitë më të mëdha që duhen kaluar janë planifikimi dhe buxheti. Planifikimi për udhëtime të gjata është thelbësor. Versioni i zakonshëm i planifikimit shqiptar “me kismet” nuk funksionon. Duhet caktuar një datë, duhet piketuar vendi dhe itinerari dhe duhet blerë bileta.
Buxheti është pjesa e dytë më e vështirë sepse që të jem e sinqertë këto udhëtime nuk janë të lira. Unë nuk jam pro udhëtimeve të luksit, dhe udhëtoj me buxhet që i përcaktoj vetes, por dua edhe të ndihem e lirë të blej apo të zgjedh çka më pëlqen. Por më duhet edhe të pohoj që këto vende kanë mundësi të panumurta dhe mund të udhëtosh me absolutisht çdo lloj buxheti.
Zakonisht, bëj një lloj shpërndarjeje të shpenzimeve. Një muaj blej biletën pastaj muajin tjetër rezervoj qëndrimet. Më pas nis të grumbulloj një shumë për shpenzimet e ushqimit, transportit, blerjeve apo eksperiencave të ndryshme në vend.
Përveç dy aspekteve më sipër ASGJË tjetër nuk më ka penguar të shijoj çdo minutë të udhëtimit vetëm. Ditët atje janë aq të mbushura me aktivitete dhe me ngjarje sa vërtet nuk ndihesh i/e vetmuar. Pa përmendur që mund të njohësh të tjerë udhëtarë dhe të shkëmbesh biseda, eksperienca apo edhe të ndash pjesë të udhëtimit me ta.
Së fundi, çfarë pëlqej më tepër nga udhëtimet vetëm janë liria e plotë dhe dialogu me veten. Kur them liria e plotë tingëllon disi egoiste, por në fakt udhëtimi është i gjithi i yti, ndaj nuk është turp të pohosh që ke liri të plotë. Je i lirë të zgjedhësh aktivitetet që të pëlqejnë, ritmin e dëshiruar, të vizitosh dyqanet apo lokalet që ti do dhe mbi të gjitha të harxhosh si të duash paratë e tua.
Padyshim, këto eksperienca të reja dhe kaq të pasura me shumëllojshmëri ndjesish, përkthehen në dialogun më të shkëlqyer me veten. Përfshihesh nga një lumë emocionesh, përjeton çdo gjë imtësisht dhe je plotësisht i përqendruar aty. E në fund, mbetesh me kujtimet më të bukura në botë që janë krejtësisht të tuat.
Pra, “Përse të udhëtosh vetëm”? Sepse është dhurata më e bukur që mund ti bësh vetes. Sepse të ndihmon të njohësh veten, ndjesitë e tua, kufizimet dhe të menaxhosh situatat në një mënyrë që kur je me të tjerë apo në qytetin tënd, nuk do mund t’i përjetosh dot kurrë kështu. Çfarë po pret?
2 Comments
Eni Z.
2 Mars, 2020 at 12:48 pmSa me pelqen blogy yt! Me duket sikur kam udhetuar dhe une ne ato vende me aq detaje sa na jep ne qe jemi ndjekesit e tu. Keep sharing please ? 5 yje Michelin nga une ?
ingridxh
8 Mars, 2020 at 11:11 amFaleminderit shume 🙂 I will keep on sharing