Informacion/ Të gjitha postimet

Pazar i ri, avaz i vjetër

Meqenëse pazari i ri është bërë kryeqendra e blogimeve kohët e fundit, mendova t’i dedikoj një shkrim, por këtë herë duke e parë në aspektin e tij primar si pazar, jo epiqendër mode. 

Që të kuptohemi, pazari i ri më pëlqen, madje këtë fundjavë e vizitova dy ditë rresht. Kur kujtoj sa zonë e qelbur dhe e rrëmujshme ka qenë, gëzohem shumë që ka pësuar një transformim të tillë. Në veçanti si dashamirëse e ushqimit, më duket shumë praktik një treg ku mund të zgjedh frutat e perimet apo të bëj pazare të tjera pa m’u dashur të shkoj nga një vend në tjetrin. 

Pazari i ri

Diku lexova që pazaret janë esenca e qytetit. Nëse do të kuptosh vërtetë një qytet, vizito pazaret. Këndvështrim interesant ky, dhe sa më shumë e mendoj aq më i vërtetë më duket. Për shembull, kur kujtoj pazaret La boqueria dhe Santa Caterina, janë pikërisht si vetë Barcelona: plot ngjyra, të zhurmshëm e plot shije. Me stendat e proshutave karakteristike dhe lloj – lloj specialitetesh spanjole që mund t’i provosh në çast si Tapas. Kështu edhe pazari ynë, po ta shohësh me këtë sy, reflekton pikërisht esencën e qytetit tonë:  lokale me shumicë. Kjo provon edhe njëherë, dyshimin tim se kafenetë janë njëkohësisht oferta jonë turistike për të huajt,  kohëkalimi ynë i preferuar kombëtar, dhe i vetmi objektiv për biznes. 

Tezga të pazarit nga brenda

Më vjen shumë keq kur shikoj qepena të mbyllur apo dyqane e tezga bosh, ndërkohë kafenetë plot. Ky presupozohej të ishte  pazar, dhe jo një version pa makina lluksoze i bllokut. Nuk do isha kundër lokaleve sikur ato të ishin më tepër në funksion të pazarit dhe më pak në funksion të dembelizmit tonë kolektiv. Po ju tregoj shkurt disa nga eksperiencat e mia nëpër pazar: 

  • Hera e parë që vizitova pazarin ishte qetësi e madhe. Kishte pak tregtarë dhe pasi bleva pak gjëra vendosa të ha diçka në atë që m’u duk një gjetje shumë e mirë, Food Truck-u i quajtur Fun Food. Nuk ishte fare “funny”. Ata që shërbenin aty nuk i njihnin përbërësit që duhet të shisnin. Ngatërruan salcat curry – kikirikë me salcën meksikane. Përbërës të pa lidhur mirë me një rezultat mediokër. Shumë vend për përmirësim, po shumë ama.
  •  Një herë tjetër, në darkë. Kishte një festë. Ishte ftohtë por birra ishte e ngrohtë. Muzika e fragmentuar dhe njerëzit të shpërndarë. Bleva ca lajthi. Vetëm ato ishin të mira.
  • Një herë tjetër isha e ftuar në një nga dy restorantet e Markatës së peshkut. Po flas për atë që nuk ka as menu dhe as tualet. Asgjë e veçantë përveç se peshk i skuqur me shumicë.
  • Disa herë për kafe tek Back home. Muzika reggaeton – se me sa duket u çel sezoni. Me aroma shoqëruese me variacion mishi, peshku dhe kanali. Lypës me turne çdo 10 minuta.

Do pyesni ju, po pse shkon?

Për pazar, sigurisht. Kënaqem shumë kur shëtis nëpër tezga dhe shikoj produkte nga më të ndryshmet. Këtë fundjavë për shembull, u kënaqa duke zgjedhur ullinj. Zotëria që i shiste, me shumë durim më shpjegoi prejardhjen, llojet, më ofroi t’i provoja, madje më dha edhe një pecetë letre që të fshija duart.

Tregëtarë të ndryshëm në pazar

Meqenëse unë bëj pazar vetëm një herë në javë dhe blej pak sasi, nuk e kam ndjerë nivelin e lartë të çmimeve që, sipas amvisave (atyre të vërteta :)), është faktori kryesor që i pengon të blejnë aty. Nga ana tjetër, edhe shitja me shumicë ku furnizoheshin edhe një pjesë e lokaleve duket se nuk po funksionon aq mirë sa dikur, sepse pikat ose janë mbyllur ose furnizimi është vështirësuar për shkak të parkimit dhe çmimeve.

E pak nga pak, nëse nuk ka konsum, do të fillojë të bjerë ajo hija e trishtimit. Qepena të tjerë do të mbyllen. Produktet nuk do të jenë më të freskëta. Më shumë erë e keqe do të vijë nga tezgat e peshkut e mishit dhe akoma më shumë klientë do të largohen.

Dyqane anës pazarit

Duke marrë parasysh që Pazari i ri ka qenë subjekt i PR-it politik, me të cilin nuk dua që ky postim të asociohet, dua të vendos theksin vetëm tek fakti që një qyteti i duhet më shumë një hapësirë pazari se një grupim (tjetër) lokalesh. Ndoshta do të ishte rasti që ta kthenim situatën përmbys: ta vendosnim pazarin në qendër dhe pjesët e tjera në funksion të tij, dhe jo e kundërta, siç është momentalisht.

You Might Also Like

7 Comments

  • Reply
    Elio
    14 Qershor, 2017 at 8:58 pm

    Dakord 100% me ty. Gjithsesi ka vend per permiresim. Pres pershembull hapjen e nje lokali ngjitur me ate te peshkut pa banjo, Bike and Burgers me duket do te quhet. Ndoshta I ben konkurrence Stephen Center aty prane, per burger. Mund te jete interesante. Shpresoj mos te jete fake.

    • Reply
      ingridxh
      15 Qershor, 2017 at 1:10 am

      Edhe unë jam 100% dakord me ty se po e pres atë lokalin e ri premtues Bikes & Burgers ?, dhe sigurisht që ka vend për përmirësim, sepse ky ishte qëllimi i shkrimit fundja ?

  • Reply
    I_vaposuri
    10 Korrik, 2017 at 3:31 pm

    Provo bozen te Bar Mehmeti. Boza qe shitet neper Tirane eshte dite drite larg asaj te Shkupit e Dibres se Madhe. Thone per njerin ne Kavaje, po nuk e di.
    Ndersa dhalla eshte nje tjeter prove se njohurite humbin kur largohen njerezit e vdes tradita. Erzeni ka pushtuar tregun me nje letyre te ngjashme si konkurrenti i vete tjeter i madh, Lufra. Por nje baxho modeste tek ish-17 nentori, Mozarrella, ka dic te pijshme.

    • Reply
      ingridxh
      10 Korrik, 2017 at 4:11 pm

      Faleminderit. Me pelqekan shume sugjerimet tuaja prej te vaposuri :).

  • Reply
    Bake My Day Happy
    14 Maj, 2018 at 11:04 am

    Si perfundim ky Bikes & Burgers nuk u hap kurre, mbeti ne tentative dhe u hap thjesht si kafene 🙁

    • Reply
      ingridxh
      14 Maj, 2018 at 12:56 pm

      Jo vetem qe nuk u hap po edhe emri i ndryshoi. Gjss une kur u hap shkova direkt se prisja burgers, por perfundova me nga ato perzierjet me patate te ngrira, ketchup te lire dhe salcice qe nuk dua as eren tua degjoj. ?

  • Reply
    Bake My Day Happy
    14 Maj, 2018 at 4:13 pm

    Nuk e përcaktoj dot në është mungesa e vizionit të atyre që hapin bare-restorante apo “injoranca” e tregut që nuk i pranon risitë ?. Mgjt mendoj dhe ideja e të fituarit që ditën e parë është një minus i madh për një start-up (i referohem patateve të ngrira e salçiçeve këtu)

  • Leave a Reply