Të gjitha postimet

Pak retrospektivë

Jo vetëm këto kohë reflektimi, por edhe më parë, i kam bërë një pyetje vetes: “Çfarë i ndodhi jetës së natës në Tiranë?”

Ndoshta jam subjektive dhe nostalgjike, por habitem se si ky qytet përfundoi peng i tallavasë, shampanjave dhe instagramit në këtë mënyrë.

Tani do thërras të gjithë nostalgjikët të kujtojmë disa vende ‘ikonike’ që brezi i ri zor se i ka dëgjuar.

***

The Living Room ose i njohur si Livingu. Vendi ku nuk mund të parashikoje kurrë nëse do futeshe apo jo atë natë. Nuk kishte rëndësi nëse ishe veshur bukur apo ishe dikushi me rëndësi sepse nëse rojet nuk donin që të të lejonin nuk kishte përplasje këmbësh apo kërcitje dhëmbësh që ta ndryshonte këtë. Ama nëse atë natë ishe fatlum, me siguri do kaloje mirë. Muzika ishte një lëmsh këngësh të njohura që rigorozisht ndërpriteshin tek minuta 1:30. Me siguri kjo ishte edhe arsyeja pse kalonim aq mirë dhe koha ikte aq shpejt. Aashtu ngjeshur me njëri-tjetrin e duke bërë uf-puf arrinim të kërcenim, pinim, gëzonim e madje bënim edhe ndonjë njohje të re. Se fundja nuk kishim alter ego virtuale, si tani.

Alma de Cuba apo siç quhej (gabimisht) L’Alma. Alma ishte ndër të parat klube me kartë anëtarësie. Të kishe kartën e Alma de Cuba ishte gati gati si të kishe një Master Card Black, në nivel prestigji. Me të, u mundësoje hyrjen edhe miqve që prisnin tek dera të bindur, të urtë e të veshur bukur. Brenda, Alma de Cuba ishte një nga lokalet më të bukura e me personalitet që kam parë ndonjëherë. Edhe pas gjithë këtyre viteve ende e kujtoj me ëndje hapësirën, stilin ruin dhe frymëzimin kubanez që kishte.

Nuk di nëse përzgjedhja e klientelës nëpërmjet kartave rezultoi e suksesshme deri në fund, por di që Alma ndryshoi ‘lojën’ e jetës së natës në atë kohë, me një qasje krejt të thjeshtë: muzikë më të mirë dhe pije më të lira.

Lollipop ose shkurt Loli. Këtu duhet të bëj një parantezë:

Loli që njihni sot nuk ka lidhje me atë të përpara 10 viteve. Madje për ata që e njohin Lollipop si është sot, është si të shohësh Mickey Rourke tani, pa e parë kur ishte i ri tek filmi “9 javë e gjysmë“.

Në atë kohë, si për ironi, slogani i Lolit ishte “Killing bad music”. E shkruar kjo në gërma të mëdha në still pop art nëpër mure.

Dhe nuk ishte një slogan dekorativ, siç ndodh rëndom. Ishte një zotim. Çdo javë na priste një festë e flaktë dhe pothuaj çdo muaj ishte i ftuar nga një superstar DJ. Nuk di tani, por ne e kishim gjë të madhe të shikonim live Roger Sanchez, Mark Knight, Sharam etj.

E meqënëse të gjitha këto janë përpara kohës së telefonave inteligjentë, do t’ju lutesha që nëse keni foto të këtyre vendeve të më ndihmoni ta plotësoj këtë shkrim duke iu kredituar.

Në vend të mbylljes:

E kisha nisur këtë shkrim kohë më parë për të bërë një retrospektivë të jetës së natës, ku shpesh ndihemi të papërfaqësuar dhe pa zgjedhje. Por natyrisht në zhvillimet e muajit të fundit, kjo temë duket një luks i madh.

Sinqerisht nuk e kam idenë se si do të shkojë fati i këtij sektori pas këtij momenti seriozisht kërcënues. Druaj se edhe këtë herë do të gjendet në rrezik biznesi i ri, i brishtë, i drejtë dhe pa mbështjetje.

Kjo është një krizë e pazakontë por nëse sektori do ishte rregulluar që më parë, ndoshta të gjithë ata që punësojnë edhe dhjetëra të tjerë, nuk do të gjendeshin mbi gjilpëra tani, duke menduar nëse biznesi i tyre do mbetet një kujtim i mirë, apo do jetë ende aty për të shërbyer – shpresojmë sa më shpejt – sërish.

You Might Also Like

No Comments

Leave a Reply