Recensione/ Të gjitha postimet

Ok, po pres dhe pak

Ka disa javë që më del vazhdimisht në instagram një restorant i ri meksikan i quajtur Prit Pak ku fotografia prezantuese ishte një tako, dhe unë natyrisht duhet të shkoja menjëherë. Për ata që e kanë humbur apo nuk janë në dijeni të fiksimit tim të vjetshëm me takot, po risjell në kujtesë shkrimin këtu.

Tentativa e parë më shkoi dëm sepse me sa duket ditën e diel qënka pushim dhe në instagram ku marketohej nuk ishte shënuar kund. Në fakt nuk është as e gabuar dhe as e çuditshme që ditën e diel një restorant të jetë mbyllur, por ngaqë në Shqipëri kjo nuk ndodh shumë shpesh jemi ç’mësuar.

Më në fund u bëra mbarë të rikthehesha, në një ditë me shumë shi, për një drekë të shpejtë. Kur hyra me një çadër të lagur në dorë, për disa minuta rresht na u duk vetja të padukshme: askush nga stafi nuk na hodhi sytë, as për të na drejtuar tek tavolinat e as për të na thënë ku mund ta vendosja çadrën pa bërë qull gjithë lokalin, meqënëse nuk kishte një vend apostafat për të. Vendosëm të ngjiteshim në kat të dytë, ku përjetova një flashback të vogël në vitet e gjimnazit (lexo rreth 20 vjet më parë) kur lokalet ishin të zbrazëta, pa personalitet me tavolinat e vendosura rresht dhe me ndonjë çift duke u puthur.

Pas 35 sekondash erdhi kamarierja me duar ne xhepa, të cilës i kërkuam menu. Pasi erdhi menuja kërkova edhe ndonjë sugjerim, por ndoshta edhe unë e ekzagjeroj ndonjëherë me kërkesat.

Porositëm një Tako carnita, një Chipotle me oriz basmati dhe chilli con carne dhe një byreçkë Santa Fé, dhe këtu besoj u kuptuam që edhe ky është një tjetër restorant i Serendipity. Në thelb, jam pajtuar me faktin që mbajnë monopolin e ushqimit Tex-Mex në Tiranë, thjesht mendoj që nëse do hapësh 4 restorante do ishte mirë sikur ndonjëri prej tyre të ishte në fakt…meksikan.

Byreçkat Santa Fé që besoj nuk ka njeri që nuk i njeh

Më duhet të pranoj që tako karnita ishte shumë më mirë se tako që kam provuar më parë. Takot e buta ishin të plota, me përbërës të përgatitur mirë, dhe mishin e butë dhe pa kursim. Por përsëri mendoj që i mungonte një dimension shije që e bën tako dhe e shpëton njëherë e mirë nga hija e sufllaqes. Për këtë nuk ka ndonjë sekret kozmik, thjesht më shumë salca, speca jalapeño, koriandër, lime dhe mishi më tepër i marinuar me erëza.

Tacos Carnita

Për sa i përket Chipotle me chilli con carne, do më duhet të bëj disa sqarime paraprake: Chipotle është një lloj speci pikant i tharë dhe i tymosur që përdoret për të bërë disa versione salcash. Madje blogu Bake my day happy ka një recetë me to këtu. Pra, chipotle në fakt nuk është një pjatë, por thjesht një lloj speci. Ndërsa Chilli con carne është një gjellë pikante tipike meksikane e gatuar ngadalë me speca, mish erëza dhe shpesh salcë domate e fasule të zeza etj.

Chipotle, Basmati, chilli con carne

Në këtë rast emërtimi i pjatës Chipotle mund të jetë një referencë ndaj një nga zinxhirëve më të mëdhenj të kuzhinës së çastit meksikane që quhet Chipotle, dhe që në menu ka një pjatë që quhet Burrito Bowl. Burrito bowl është një burrito e hapur, ku përbërësit (mishi, salcat, fasulet etj.) shtrohen mbi një shtrat orizi, që ishte edhe ideja e pjatës që ne porositëm.

Pra, nëse Chipotle ishte e një burrito në tas, duhet të kishte një shpjegim, sepse sinqerisht kur porosita nuk kisha asnjë ide se çfarë mund të prisja nga ajo pjatë. Megjithatë në vetvete, ideja më pëlqen dhe është diçka e re që nuk gjendet tjetër kund por përsëri më lë dyshuese shija në tërësi. Përbërësit që duhet të shoqërojnë orizin basmati që shërben si bazë për pjatën duhet të jenë të lidhur me njeri-tjetrin në mënyrë që pjata të ketë një harmoni shijesh. Në këtë rast, Chilli përveç se duhet të jetë më pikant, m’u duk një përzierje e konservash më tepër se një gatim. Nuk kuptova dot as praninë e ullinjve të zi dhe aq më pak të djathit të bardhë tek ajo që besoj duhet të ishte pico de gallo. 

Chipotle chilli con carne  

Në fund e mbyllëm me ca churros të kuqe të panevojshme dhe tejet të vajosura. Meqënëse çokollata me të cilën shoqërohen zakonisht churros kishte mbaruar dhe kishte vetëm shurup çokollate, që në fakt është sheqer me esencë dhe nuk ka asnjë lidhje me çokollatën, na sollën pak akullore që gjithësesi nuk na shpëtoi nga velja ekstreme.

Churros

Në thelb Prit Pak nuk më duket koncept i keq. Është në një zonë të Tiranës ku nuk ka shumë restorante, ka disa pjata ndryshe nga simotrat, ka çmime pak më të ulëta dhe ka disa risi në menu (Takos dhe Chipotle-t) që mund të pëlqehen lehtë nga të gjithë. Mund edhe të pozicionohet fare mirë si Taqueria e parë në Tiranë, por për ta bërë këtë duhet pak më tepër guxim në krijimin dhe mbi të gjitha diferencimin e shijeve nga njëra pjatë në tjetrën duke i përdorur me zgjuarsi përbërësit tipikë. E meqë ra fjala tek përbërësit tipikë…aman blini ndonjë kokër lime!

 

You Might Also Like

No Comments

Leave a Reply