Dy gjëra më mbetën pishman këtë verë: si nuk bëra pak më shumë plazh dhe si nuk arrita të deshifroj kodin e porositjes së një kafeje të ftohtë në këtë qytet plot me kafene. Për të parën nuk ka zgjidhje, ndërsa për të dytën po bëj disa shpjegim me shpresën se mos hedh pak dritë mbi këtë çështje lehtësisht të zgjidhshme.
Në këto tre muaj vere, sa herë kam porositur kafe të ftohtë çfarë nuk më kanë parë sytë. Kafe me qumësht të ftohtë si supë, kafe me shllak (kjo fjalë i shkon plotësisht për shtat neverisë që kam për këtë produkt), kafe me shurup çokollate (kush dreqin e shpiku këtë), kafe me qumësht të rrahur, kafe me qumësht të parrahur, kafe me sherbet, kafe që quhen ‘Late’, kafe që quhen ‘frapuçino’, kafe që quhen ‘fredo’, ‘fredoçino’, fredo kapuçino e më the e të thashë. E prapë, me gjithë këto emra dhe mundësi, përfundoja duke i kërkuar kamarierit të më sillte atë produkt që kishte vetëm kafe, qumësht dhe akull, asgjë tjetër.
***
Kur flasim për kafe të ftohtë do të kemi parasysh dy kategori: kafe të ftohta me bazë ekspresi siç janë 99,9% e rasteve në Tiranë dhe cold brew.
Ndryshe nga ekspresi që ekstrakton kafenë në temperaturë të lartë dhe presion maksimal, në cold brew kafeja ekstraktohet butësisht gjatë qëndrimit në ujë për shumë orë, pa nxehtësi dhe pa presion. Rezultati është delikat, me aroma të pastra, pa hidhësi dhe me notat e dallueshme të kafesë që mund të keni zgjedhur.
Cold Brew zakonisht gjendet në ato që quhen kafene “Specialty” për të cilat unë kam folur përciptas këtu shumë kohë më parë, por që më shumë detaje dhe informacione i gjeni në blogun e specializuar, Columbia Supremo.
Për fat të keq nuk kemi asnjë të tillë të mirëfilltë në Tiranë. Ju mund të thoni që Coffee Lab është e tillë, por unë kam rezervat e mia. Kur shkova për të provuar cold brew, vajza në banak, pasi më pa sikur e kisha sharë, më tha që nuk ka dhe më ktheu kurrizin. Përgjigjen e pyetjes time të dytë “ka mbaruar sot, apo nuk e bëni më?” nuk arrita ta deshifroj nëpërmjet kurrizit. Do doja të gjeja forcën për t’u rikthyer, por meqënëse Tirana nuk vuan për zgjedhje lokalesh me staf të pasjellshëm, vendosa t’i çoj dëm nervat diku tjetër.
Për kompesim (dhe për çudinë time), duke kaluar rrugës pranë një pike të Mulliri i vjetër pashë një tabelë që promovonte cold brew. Hyra disi me mosbesim, sepse rrallë më kanë pëlqyer produktet aty, por në këtë rast cold brew më pëlqeu shumë. Madje vajzat tek banaku i bënë ballë me shumë delikatesë pyetjeve të mia prej klienti zevzek.
Le të kthehemi tani tek kafetë e ftohta me bazë ekspresi. Besoj është e qartë që baza e çdo kafeje është një ekspres i mirë i ekstraktuar në 30 sekonda. Për këtë kam folur gjatë këtu, kështu që po ndalem tek dy kafetë e ftohta më thjeshta dhe klasike: Shakerato dhe Kapuçino e ftohtë. Nga këto, rrjedhin edhe gjithë llojet e tjera.
Forma më e mirë për të shijuar ekspresin e ftohtë është Shakerato. Ekspresi, akulli dhe shurupi i sheqerit, rrihen në shaker për të krijuar volum dhe përzier plotësisht përbërësit. Kur kërkon një Shakerato, kamarieri duhet të kuptojë që praktikisht ke kërkuar një ekspres të ftohtë ndaj pyetja e vetme do ishte mbi sasinë e sheqerit.
Kapuçino e ftohtë (ose Cappuccino Freddo) : Këtu ndryshimi është qumështi i ftohtë i cili rrihet më vete dhe krijon një shkumë delikate dhe të qëndrueshme. Kafeja ekspres pasi ekstraktohet dhe i shtohet sheqeri (ose jo) bashkohet me qumështin dhe akullin. Natyrisht, një kapuçino e ftohtë nuk ka shurupe, aroma të shtuara apo akoma më keq shllak (seriozisht, kjo fjalë më tmerron).
Ndërkohë në një univers paralel, tërësisht grek, është Frapeja.
Frape ka në vend të kafesë ekspres, Nescafé. Zakonisht shërbehet e rrahur me ujë, sheqer e akull, por rëndom porositet edhe me qumësht. Këtu shpesh ka një ngatërrese sepse ka një ndryshim midis asaj që quhet Frape në Greqi dhe Frape në vendet e tjera, kryesisht ato ku ka rrjete të mëdha globale, kur përveç kafes (jo Neskafe në këtë rast), i shtohen qumësht, aroma e shurupe.
Unë e kuptoj që universi i kafesë është i errët dhe i komplikuar por nëse nuk do të shpiknim emra dhe produkte të tjera dhe të përdornim terminologji të njejtë për produktet bazike, do ishte shumë më lehtë jo vetëm për të porositur një kafe por mbi të gjitha për të krijuar dhe mbajtur standarde. Kjo madje është ajo çka ka nevojë dëshpërimisht në këtë treg të mbipopulluar nga improvizues serialë.
2 Comments
Glendi Kuka
23 Shtator, 2019 at 12:43 pmNdoshta “cold brew” eshte akoma teper taboo per tregun tone o Ingrid… 😛
Po dhe dicka pa me te thjesht si “flat white” akoma nuk dine te bejne :/
Mos valle duhet te jemi ne konsumatoret qe duhet te kerkojme me ngul produktet e sakta?!
ingridxh
5 Tetor, 2019 at 2:17 pmPadyshim qe ne duhet te kerkojme dhe te mos mendojme qe ‘he se ku dine keto’. Ironia eshte qe nga ana e vet biznesi mendon te njejten gje per klientet dhe rrjedhimisht nuk ndryshon asgje. Eshte absurde qe me kete numer kaq te larte lokalesh qe ka ketu, te kete kaq pak risi.