Informacion/ Recensione/ Të gjitha postimet/ Uncategorized

Një DJ në Tiranë

Muzika është pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e jetës time, është burim frymëzimi dhe ngushëllimi. Ndaj dhe i kam ndjekur gjithmonë me rigorozitet ndër vite ardhjet e DJ-ve që vlerësoj. Shpesh kam edhe udhëtuar larg për të parë koncerte apo për të vizituar vende legjendare (hello Berghain!) ndaj doja të shkruaja dy rreshta për koncertin e djeshëm të Solomun. 

Jam e bindur që ju ka dalë kudo në storie sepse dukej se të gjithë ishin aty dje. Uroj të mos jeni duke rrotulluar sytë me bezdi. Nuk ka asgjë të keqe që në një qytet të vogël si Tirana një event paksa më i madh të përqafohet masivisht. Donëse zbehu evente të tjera. 

Megjithatë dua të ndalem tjetërkund. Pa dashur të behem si ekspertët e Eurovizionit dy javë më parë, do ndaj disa mendime nga perspektiva e “klientit” ashtu siç është në stilin tim ?

Përpara së gjithash dua të nënvijëzoj që dje atmosfera ishte fantastike. Falë edhe kontributit të të rinjve të Kosovës sigurisht. Një turmë e gjallë, e bukur dhe e gëzueshme. Vendodhja gjithashtu mu duk gjetje. Për herë të parë u gjet një funksion interesant për lulishtën në krah të shëmbëlltyrës së pllakës gjigande të dushit, që është sheshi Skënderbej. Po ashtu edhe ekrani dhe grafika ishin të lavdërueshme, bashkë me atë katrorin në mes që shihte mes shalëve të kalit të Skenderbeut ?

Pati ama dy aspekte, që ende çalojnë kur vjen puna për të tilla evenimente. Njëri mund të përmirësohet me eksperiencë kurse tjetri kërkon shumë më tepër punë personale dhe kolektive.

  1. Organizimi. Shumë nga elementet e një organizimi të mirë ishin aty, por përsëri shkaktohet stres e tension për gjëra krejt të panevojshme. Në disa momente e gjeta sjelljen e personave në poste facilitimi, të pasjellshme dhe arrogante. Nuk ka asnjë arsye përse stafi duhet të flasë apo sillet sikur po hyjmë në formacion luftarak, dhe jo sikur po hyjmë në një koncert ku pritet të kalojmë mirë. Pa përmendur pastaj zgjidhjet qesharake si “birra Corona është vetëm për zonën VIP”. Që ta heqim njëherë e mirë këtë fetishin kombëtar me gjërat e shtrenjta, Corona nuk është produkt luksi, dhe zona VIP nuk merr vlerë sa për të paguar 4-fish çmimin e biletës se shite një birrë çfarëdo.
  2. Sjella e pjesëmarrësve. Agresiviteti që mbizotëron në jetën tonë të përditshme nuk fle kurrë, as gjatë një eventi të mirëpritur. Mungesa e mirësjelljes, dhembshurisë dhe ruajtja e hapësirës personale janë aspekte që nuk e di se sa punë e breza do të duhen për tu korrigjuar. Do thoni ju, po çfarë prisje ti në një event aq të populluar? Hmm, unë do thoja që krahasimisht me evente të tilla në shtete me vëllim popullate dhe dashamirësi për muzikën më të madhe, nuk ishte aq i ngarkuar sa për të shtyrë, prekur apo shkelur pa kërkuar as edhe njëherë të vetme falje. Aq më pak për të hedhur të gjitha mbeturinat, përfshi shishet e qelqit në tokë ku mund të rrëzohet e dëmtohet dikush.

Megjithatë, mendoj që duhet ekperiencë për të gjitha. Si për të mësuar organizimin pa incidente dhe si për të mësuar të jemi pjesë e species njerëzore, ndaj shpresoj të kemi vazhdimisht evente muzikore të ngjashme ku secila audiencë të gjejë atë që i përshtatet dhe të mësohemi të gjithë me praninë e njeri-tjetrit.

You Might Also Like

2 Comments

  • Reply
    K
    24 Maj, 2022 at 4:37 pm

    Po per coronen qe ishte vetem per VIP area spaske shkrujt? ?

    • Reply
      ingridxh
      22 Qershor, 2022 at 11:38 am

      Hahhah paskam harru. Gallate me vete ajo.

    Leave a Reply