Recensione/ Të gjitha postimet/ Udhëtime

Mes Puglia së Italisë dhe asaj të Tiranës

Kur gjendesh mes një populli plotësisht të fiksuar pas ushqimit dhe ku 80% e bisedave janë rreth karbohidrateve, je në vendin e duhur, dmth në Itali.

Por edhe nëse nuk je veçanërisht i fiksuar me ushqimin, me siguri, arti, kultura, arkitektura, historia, njerëzit, natyra ose atmosfera do të të bëjnë për vete.

Ekspozita e Edoardo de Candia në kishë, Lecce

Këtë mendova muajin e kaluar kur vizitova Puglia-n, rajonin e takës së çizmes i cili në pak kilometra mbledh vende të bukura dhe një mori specialitetesh ushqimore me famë edhe nëpër botë.

Itinerari ynë nisi nga Bari ku me një makinë të vogël me qera, nisëm të udhëtojmë edhe më drejt jugut duke i marrë me rradhë qytezat e vogla: Polignano a mare, Monopoli, Alberobello, Ostuni e më pas Lecce. Në Lecce qëndruam tri netë dhe nga aty vizituam Torre del Orso dhe La Grotta della Poesia, një pikë tejet piktoreske dhe shumë e Instagramuar.

Grotta della poesia

Pas Lecce-s u nisëm për në Gallipoli duke kaluar në Poggiardo dhe shkurtimisht në Castro. Dy netët e fundit i kaluam në Gallipoli, që mbahet edhe si Ibiza italiane.

Lecce

Gallipoli

Secila prej pikave ku qëndruam na pëlqeu shumë, dhe secila prej tyre kishte diçka të veçantë. Në Polignano a mare, pamë urën antike nga ku zbret në një plazh të bukur mes shkëmbinjve. Kurse qyteza e vjetër e ndërtuar në majë, ofronte një pamje mbresëlënëse.

Polignano a mare

Polignano a mare

Alberobello i njohur për Trulli-t, një zonë e mbrojtur nga UNESCO është një qytezë e tërë e ndërtuar në metodën karakteristike të ndërtimit të shtëpizave me formë konike.

Trulli di Alberobello

Ostuni, me qytetin e vjetër në majë të kodrës, i gjithi i lyer me të bardhë (i njohur edhe la cittá bianca) ishte një tjetër zbulim që nuk e prisnim.

Aperitiv në Ostuni

Pastaj në Lecce na bëri përshtypje qyteti i vjetër me shumë sheshe e ndërtesa historike dhe gjallëria e tij.

Lecce

Fundjava në Lecce

Kurse Gallipoli në fakt, na zhgënjeu pak me qetësinë e këtij fillim Shtatori, por ne e kompesuam mjeshtërisht me plazh, verë dhe ushqim të mirë.

Molusqe në Gallipoli @La Lampara

Ushqimi dhe vera e mirë, pa dyshim na shoqëruan kudo, por më poshtë, do të ndalem tek disa aspekte që më bënë pak më tepër përshtypje:

Verërat e mira me çmime të pranueshme. Italia e jugut është prodhuese e madhe vere dhe e prisja që do pija verë të mirë. Por ajo që nuk prisja ishte që këto vera të kushtonin midis 10-20 Euro/shishja në restorante. Pothuaj në secilin prej restoranteve që provuam shumica e verërave ishin në këtë kategori, me ndonjë përjashtim për verërat e gazuara – zakonisht Franciacorta (që është e veriut në fakt) – ose të kuqet e vjetërsuara. Përpos verërave shumë të njohura të kuqe, siç janë Primitivo di Manduria, Negroamaro, Salice Salentino apo edhe Susumaniello, na pëlqyen shumë edhe disa nga verërat e bardha që provuam si Verdeca, Fiano, Falanghina, Bombino bianco etj. Të gjitha shumë interesante dhe të shkëlqyera për shoqërimin e pjatave tipike.

Taralli dhe një d’Arapri, një Bombino bianco i gazuar sipas metodës klasike

Brumërat e shumëllojshëm. Për një person që i ka qejf brumërat, padyshim Puglia është parajsë. Ka kaq shumë lloje specialitetesh prej brumi që janë vetëm të asaj zone, saqë nuk di ç’të provosh më parë. Disa prej specialiteteve tipike bareze, si orecchiette-t për shembull, janë të njohura kudo, por ndërkohë ka edhe ushqime jo kaq të njohura por që janë shumë të shijshme si panzerotti-t, një tip calzone i vogël por i skuqur, apo pucce-t, lloj simitesh tipike, që mund të mbushen me proshutë apo djathë sipas recetës.

Një tjetër specialitet që e pëlqej shumë janë taralli-t, biskotat e vogla rrethore shumë të njohura. Taralli-t kryesisht janë të kripur (por ka edhe variante të ëmbla) dhe brumi i tyre përgatitet me shumë lloje erëzash e farash. Friselle-t janë po ashtu si taralli-t, por gjigandë, të pjekur dy herë dhe lagen pak me ujë përpara se të shërbehen me mozzarella, vaj ulliri, domate etj.

Ravioli me stracciatella dhe spinaq në Lecce

Pucce me capocollo, mozzarella dhe argjinarë

Taralli të ndryshëm

Frutat e detit të freskëta. Në Puglia, koncepti det e tokë ka kuptim të vërtetë sepse kuzhina e këtij rajoni i zotëron të dyja shumë mirë. Por unë u përqëndrova tek frutat e detit dhe peshku, sidomos në variantet e gjalla (crudi e carpacci) sepse janë një prej s dhe së dyti sepse në Itali është i detyrueshëm kalimi i frutave të detit e peshkut në një ngrirje të thellë (-20 gradë) në një pajisje që quhet Abatitor*, për arsye higjenike.

Kaq shumë lloje molusqesh me shije tejet delikate e njëkohësisht të dallueshme mes tyre, dhe me aromën më të thellë të detit, nuk kisha provuar kurrë. Për më tepër të shërbyera në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, vetëm me një thelë limon, që të lejon të dallosh dhe të shijosh plotësisht cilësinë dhe freskinë e tyre.

Crudo levreku me salcë passion fruit @Pescaria, Polignano a mare

Përzierje guaskash dhe fruta deti crudo @Pescaria

Karavidhe në Poggiardo @LaPiazza

Oraret e ushqimit. Çdo udhëtim ka një aspekt negativ, dhe unë jam e kënaqur që ishte vetëm ky. Të gjitha restorantet ishin të hapur vetëm nga ora 12.00-15.00 dhe nga 18.00-22.00. Këtë e kuptuam një ditë të bukur, kur pas disa orësh vizita andej këtej, mezi po prisnim të shijonim drekën tonë të vonët. Në fakt është e kuptueshme që kuzhina të pushojë dhe të parapërgatitet nga një shërbim në tjetrin, por atë ditë desh na ra pika.

***

Meqënëse erdha e frymëzuar nga Puglia vendosa të provoj dy restorante që prej kohësh i kisha në listë:

I pari quhet Apulia. Apulia është një restorant i vogël i specializuar në pizza dhe panzerotti. Panzerotti-t më tipik janë të mbushur me mozzarella, domate e borzilok dhe më pas të skuqura. Por mund të mbushen edhe me proshutë, kërpudha apo djathëra të tjerë e të piqen në furrë (panzerotti al forno).

Apulia është aty ku më parë ka qënë Vita 99 Pizza. Nuk i njoh fazat e tranzicionit nga njeri vend në tjetrin por për një kohë të gjatë kam hezituar të shkoj më parë kisha mbetur plotësisht e pakënaqur nga pizzat dhe nga shërbimi i Vita 99 Pizza. Mbaj mend që jo vetëm nuk erdhi pizza Napoletane me ‘cornicione’ që prisja por mbaj mend edhe se si kamarierja u bezdis shumë nga vendosmëria ime për të ngrënë pizza-n që doja unë, e jo atë që donte ajo.

Panzerotto @Apulia

Por meqënëse pashë në Facebook postime interesante tek Apulia, mendova të shkoj t’i vizitoj përsëri tani që duket se kanë një frymë të re, një emër dhe një menaxhim të ri. Këtë herë shkoi mirë. Në menu kishte zgjedhje interesante, por unë preferova një panzerotto klasik dhe një pizza pikante. Pizza ishte e shijshme dhe mbi të gjitha përbërësit e përdorur ishin ndryshe nga sallami e djathi i lirë që gjen rëndom nëpër piceritë e Tiranës. Ishte pa anët e mbushura me gjizë, të cilat personalisht nuk i pëlqej, dhe që më duket një sajesë, në mungesë të cornicione-s. Nga ana tjetër besoj që  panzerotti-t janë risia e vërtetë e Apulia, sepse janë një produkt tipik, që nuk i gjen kudo, dhe mbi të gjitha i bërë si duhet – me mozzarella (jo Gouda).

[alert style=”warning”]

Azhornim 9 Nëntor 2017

Mbrëmë vendosëm të shkojmë tek Apulia për pizza. Për një darkë spontane mes jave, mes miqsh. Një pjesë e grupit kishte arritur përpara dhe me sa duket kishte patur vështirësi në sigurimin e një tavoline për 6 veta. Jo se nuk kishte tavolina të lira por sepse grupi ynë nuk ishte mjaftueshëm i madh (???). Ne, edhe sikur të ishim duke i lënë pa pizza grupet e uritura që mund të kishin ardhur (por që nuk erdhën), besoj nuk duhet të ishim pritur me një fjali të tillë. Sepse përveçse pa takt, i bën klientët jo të mirëpritur. Veçanërisht kur rezervimet paraprake nuk janë pjesë e zakoneve tona darkuese.

Për sa i përket pizzave, përveç zgjedhjes time që kishte stracciatella sipër dhe që e përmirësonte shijen ndjeshëm, të tjerat do t’i përkufizoj si të thata dhe jo mbresëlënëse. Gjithashtu panzerottoi me sallam pikant, pesto dhe ricota – ishte e mërzitshme dhe në konkurrencë të plotë me pitet me gjizë. [/alert]

Panzerotto @Apulia

Vizita e dytë ishte tek InPuglia, i cili pretendon se bën ushqim tipik të kuzhinës pulieze. E ku ka më mirë sesa kur kthehesh nga Puglia gjithë frymëzim….dhe zhgënjehesh si dreqi!

Kur hapa menunë mendova se vërtet ngjante me menutë e restoranteve në Puglia: antipasta tipike, pjata deti dhe toke dhe makaronat e shumëllojshme. Vendosa të porosis disa pjata të ndryshme që të arrija të kuptoja fizionominë e restorantit. E nisa, si do kisha bërë edhe në Puglia, me një burrata. Pastaj vijova me një përzgjedhje antipastash të shefit dhe me një sallatë oktapodi në shtrat Parmigiano, dhe në fund zgjodha orecchiette me brokoli dhe capocollo di Martina Franca.

Po e nis nga burrata, që nuk ka kurrë shijen ose kremozitetin e një burrate cilësore, por këtu nuk po ‘fajësoj’ restorantin për mungesën e zgjedhjes në treg, por për prezantimin.

Burrata @InPuglia

Antipasta ishte për të ardhur keq. Asnjë nga pjesët e saj nuk ishte e ngrohur njësoj, që të krijonte përshtypjen e disa elementeve akoma më të palidhura se pamja e tyre e trishtë në pjatë. Më kujtoi pak antipastat e dasmave dikur.

Antipasta e shefit @InPuglia

Që të kuptohemi, antipastat përgatiten paraprakisht, por në momentin e shërbimit, duhet që të jenë të shërbyera me një lloj koherence, në pamje dhe shije. Parmigiana ishte plotësisht pa shije dhe e ftohtë, midhjet e gratinuara të thara kurse tortino me kungull ishte i vetmi që haej.

Sallata e oktapodit – pa shtratin e Parmigiano-s – ishte shumë e thartë nga marinimi i tepruar dhe oktapodi i fortë si gomë.

Oktapodi pa shtrat @InPuglia

Pastaj vijmë tek makaronat. Përveç orecchiette-ve, edhe proshuta e quajtur capocollo dhe që prodhohet në Marina Franca është tipike e zonës. E zgjodha këtë pjatë pikërisht se kishte këto dy elemente që doja të shijoja. Por edhe në këtë rast pjata ishte shumë e kripur, dhe yndyra më la një djegie në grykë të cilën nuk munda as ta korrigjoj me verën e kutisë që m’u shërbye.

Se me gjithë verërat e mrekullueshme që kishte në Puglia, nuk ishte gjetur një që të mund të shërbehej e hapur, për klientët që dëshirojnë të pijnë vetëm një gotë.

Orecchiette me brokoli dhe capocollo @InPuglia

Sidoqoftë, Puglia nuk është larg, edhe pse nuk do ishte keq të mos na duhet të bënim 100 milje detare, për një pjatë orecchiette e një gotë vere për të qënë.

 

*Abatitor – Pajisja që arrin temperaturë të ulët në kohë shumë të shkurtër, pa cënuar cilësinë e peshkut, për arsye higjenike. Nuk di nëse ka një fjalë të saktë në Shqip.

You Might Also Like

No Comments

Leave a Reply