Informacion/ Recensione/ Të gjitha postimet

A mund të kem një menu, ju lutem?

Kjo është pyetja e parë që bëj kur shkoj në një restorant. Dhe jo, nuk pranoj “Nuk kemi”, për përgjigje.

Është e habitshme se si ende sot nëpër disa restorante mungon menuja. Kjo në rastin më të mirë është neglizhencë apo mungesë serioziteti dhe në rastin më të keq, rrugë e hapur për abuzime. Menuja është hallkë me rëndësi në komunikimin midis klientit dhe kuzhinës dhe prandaj nuk duhet të mungojë në asnjë rast.

Menuja është e domosdoshme… edhe sikur shefi të jetë vetë Albus Dumbledore.

Për rikujtesë, po radhis disa argumente përse na duhet kjo e shkretë menu:

  1. Për të patur mundësinë të zgjedhim me kujdes pjatat, të shikojmë përbërësit dhe kombinimet e shijeve apo teknikave.
  2. Për të parë çmimet. Të mësosh çmimet përpara se të të vijë pjata nuk është turp. E kundërta, madje, është aq absurde sa të bësh pazar në një supermarket ku çmimet i sheh kur ke arritur tek arka.
  3. Është detyrim nga shteti. Në listën e kërkesave për informacion, së bashku me NIPT-in, është edhe afishimi i menusë.
  4. Kamarieri nuk ka nevojë të mbajë mend të gjitha pjatat dhe përbërësit. Por edhe nëse i mban, klienti nuk ka pse të dëgjojë recitime kur mund të lexojë një menu.
  5. Restoranti radhit pjatat por njëkohësisht promovon punën e kuzhinës dhe shefit të saj.
  6. Restoranti tregon profesionalizëm. Parapërgatitja është thelbësore për kuzhinën e një restoranti dhe në mungesën e menusë, ajo që ne marrim është thjesht një improvizim.
  7. Menuja ditore është OK. Vetëm na e shkruani në një copë letër, në një dërrasë me shkumës, në gur…s’ka rëndësi, thjesht shkruani diçka, diku.

Bonus: E di që është e tepërt të kërkojmë edhe këtë, por aman, na kurseni gabimet drejtëshkrimore, se na pritet oreksi.

Argumentet më sipër nuk janë teka, janë normë. Madje, siç kam përmendur (në pikat 5 dhe 6), është në interes edhe të vetë restorantit të ketë një menu, veçanërisht ato që pretendojnë se ofrojnë kuzhinë të sofistikuar.

Më poshtë do t’iu tregoj se si mungesa e menusë mund të dëmtojë të gjithë eksperiencën, duke ju referuar vizitës time tek Delano Restaurant & Lounge.

Kur shkuam ishte mjaft qetësi. Pasi morëm menutë, kuptuam që kishim 2 menu krejt të ndryshme. Kamarieri na shpjegoi që menutë ishin për referencë, sepse ishin të sezonit të kaluar dhe pjatat e momentit ishin të tjera. Dakord. Nisën pyetjet nga ana jonë: kjo është? Po kjo? Po kjo tjetra? Kamarieri na përsëriti që menutë nuk duheshin marrë në konsideratë. Dhe ne i përsëritëm që nuk po kuptonim ku të bazoheshim  për të bërë porosinë. U rrek të na sugjeronte. E kotë. Sugjerimi i levrekut me verë limon kur unë në menu shoh një fileto levreku krokante me domate të thara dhe argjinarë është si të kërkosh Camembert  por të të sugjerojnë gjizë. Hendek i madh.

Dikur arritëm të gjejmë një zgjidhje midis asaj që ne dëshironim të hanim dhe atyre që restoranti donte që ne të hanim. Pasi kishim pritur një copë herë, na njoftuan se një prej antipastave nuk ishte e disponueshme. E lamë. Pritëm për të tjerat.

  • Levreku im krokant me domate të thara dhe argjinarë me sa duket ishte “martuar” me fileton me verë për të dhënë një fileto aspak krokante, me domate të thara dhe kaperi. Argjinarët kishin ikur. U mundova t’ia them kamarierit por nuk iu duk me vend që të më dëgjonte. Uroj që tani të jenë duke e lexuar.

 

Fileto Levreku @Delano

 

  • Risotto me karakalecë dhe me kunguj ishte në shije po njësoj siç duket edhe në këtë fotografi: i trishtë dhe i mërzitshëm.

Risotto (sultiash) @Delano

  • Entrecôte, që në të vërtetë ishte fileto, ishte e pëgatitur shumë mirë. Kjo ishte edhe pjata që na solli disi në humor.

    Fileto viçi @Delano

Në fund na ofruan fruta dhe ëmbëlsira që me sa duket ishin të përgatitura nga vetë restoranti. Një gjest, që për të thënë të drejtën, e vlerësuam shumë.

Ëmbëlsira @Delano

A do të kishte qënë e përkryer eksperienca po të kishte patur një menu? Këtë nuk e di.

Por ajo që di me siguri është që momenti i porosisë do të kishte qënë shumë më i lehtë dhe pjatat (të paktën në përshkrim), do ishin përputhur me pritshmëritë tona për to, pa u kthyer në gojëdhënë.

You Might Also Like

No Comments

Leave a Reply