Recensione/ Të gjitha postimet

Kuzhinat etnike: Inshanoo

Restorantet etnike janë pika ime e dobët. Në fakt janë edhe pika e dobët e tregut këtu, sepse ka shumë pak të tilla. Kur flas për restorante etnike e kam fjalën për restorante të specializuara në kuzhina nga etni të ndryshme (psh. restorante vietnameze, japoneze, kineze, balineze, tajlandeze, libaneze, argjentinase, peruane, meksikane etj).

Kur më treguan për këtë humus bar, me ushqim nga lindja e mesme, që quhet Inshanoo, u gëzova shumë. E para sepse kam pothuaj eleminuar mishin dhe baza e ushqimit tim janë pikërisht qiqrat. Së dyti, sepse, le ta themi hapur, vdes për humus.

E gjetëm relativisht lehtë në hyrjen e Pazarit të ri. Ambjenti ishte i vogël e i lezetshëm, por kuzhina e hapur krijonte erë dhe tym dhe krijonte atmosferën e një fast- food, për të cilin nuk ishim përgatitur.

Menuja ishte e shkurtër. Aq e shkurtër sa për të qënë zhgënjyese. Sidomos kur flasim për kuzhinën e lindjes së mesme që ka jashtëzakonisht shumë asortiment.

Edhe pse e kuptoj që menuja e kufizuar të mundëson të garantosh freskinë e përbërësve, disa pjata përfaqësuese nuk duhet të mungojnë nëse dëshiron të prezantosh një kuzhinë etnike. Të paktën një tabouleh, babaganoush e disa lloje të tjera salcash (meze) që bashkë me humusin të shërbehen me pite të sheshta, dhe jo bukë-pite.

Porositëm gati gjithë menunë. Pra 4 pjata. Përveç dy pjatave me mish. Zgjedhja e pijeve ishte gjithashtu e kufizuar. Piva ujë.

Sallatë me domate, kastravecë, qepë dhe dressing me tahini.

Sallata me dressing me tahini nuk ishte e keqe por duke qënë se kishte tahini në çdo pjatë, na erdhi në majë të hundës. Sallata tjetër me karota, lakra dhe turshi ishte aq e mirë sa mund të jetë një sallatë e tillë.

Sallata me lakra dhe karrota. Vetëm karrotat kishin disa erëza pak më të veçanta.

Pjata me falafel ishte ajo që më pëlqeu më shumë. Zgualli i tyre ishte kërc ndërsa pjesa e brendshme e butë dhe e shijshme. Salca (përsëri) me tahini e shoqëronte mirë pjatën. Me një fjalë, nëse nuk do ishte për falafelin e shkëlqyer, me siguri nuk do kisha ndonjë arsye tjetër për t’u rikthyer tek Inshanoo. Humusin e bëj mjaftueshëm shpesh (dhe mirë) në shtëpi edhe pse këtu ishte i shijshëm, i lehtë dhe me strukturë të mirë.

Falafel janë qofte vegjetariane me qiqra dhe erëza.

Gjatë të gjithë kohës tek Inshanoo, pyeta veten nëse koncepti i një lokali të vogël, tip fast food-i, me pak specialitete e me çmime të lira, është mënyra më e mirë për të prezantuar kuzhinën etnike në një vend me rezistencë të ndjeshme kulturore dhe me mungesë informacioni.

Nga një anë është klientela që e njeh dhe ka pritshmëri për kuzhinën etnike. Shpesh kjo klientelë zgjedh cilësinë përmbi çmimin. Nga ana tjetër është klinetela që nuk ka informacion dhe duhet prezantuar me një kuzhinë të panjohur. E cila për fat të keq, pavarësisht çmimit mund të mos ketë fare interes për kuzhinën etnike. Se cila fiton, mbetet për t’u parë.

Megjithatë donëse ka shumë për të përmirësuar, u heq kapelen atyre që zgjedhin të ndërmarrin një rrugë të pa shkelur, në vend të një tjetër dyqani qoftesh “klasike”.

You Might Also Like

No Comments

Leave a Reply