Azia/ Malajzia/ Të gjitha postimet/ Udhëtime

Kuala Lumpur

Siç kam treguar në shkrimin këtu, Kuala Lumpur ishte një prej qyteteve që vizitova gjatë udhëtimit tim një mujor në Azinë Juglindore. Natyrisht mes Tajlandës së zhurmshme dhe Balit magjepës, KL kaloi disi në plan të dytë, megjithatë ja disa gjëra që më pëlqyen shumë.

Akomodimi. Çmimet e hoteleve dhe shtëpive, madje edhe atyre luksoze janë plotësisht të përballueshme në KL. Unë zgjodha një apartament të rehatshëm në katin e 26 të një kulle të re në lagjen e njohur Bukit Bintang i cili më kushtoi rreth 30 Euro/nata dhe më mundësoi që të riorganizoja dhe përgatisja rrobat për pjesën e dytë të udhëtimit.

Victoria Home Robertson në Bukit Bintang

Ushqimi, ushqimi, ushqimi. Absolutisht i mrekullueshëm, kudo. Kuala Lumpur ka një përzierje interesante kulturore me 3 grupime etnike kryesore: Malajzianë, Kinezë dhe Indianë, dhe rrjedhimisht ushqimi ka influenca nga të treja këto komunitete.

Curries të ndryshëm në Opium KL

Në KL do veçoj dy momente kryesore të lidhura me ushqimin: Darkën në një nga restorantet e qendrës që quhej Opium, me një menu degustimi që përmblidhte shkëlqyeshëm nuancat e kuzhinës malajziane, dhe tregu i natës i ushqimit Jalan Alor, me një pafundësi specialitetesh ‘street food’. Aty zgjodha të provoj satay të ndryshëm dhe guacka. Satay (sate) është praktikisht termi aziatik për shishqebap. Këtu provova sate bretkose e bok çoi (lloj lakre aziatike) dhe gocë deti në zgarë. Nuk kam fjalë për të përshkruar lumturinë e atij momenti, aty në mes të rrugës, të nxehtit dhe avujve të ushqimit, shoqëruar nga një birrë e ftohtë.

Gocë deti në Opium KL
Ëmbëlsira dhe çaj në Opium KL
Satay BBQ me perime në Jalan Alor
Lloje të ndryshme guaskash dhe karavidhesh
Sate bretkose dhe karkaleci me salcë soje
Sate bok çoi
Gocë deti pikante

Pikat kryesore të qytetit. Padyshim qendra e qytetit është një nga pikat e rëndësishme turistike për shkak të kullave më të larta në botë, Petronas Twin Towers. Xhamia e madhe Jamek Mosque mbi lumin e jetës, pallati i sulltanit dhe pak më tutje Central market janë të tjera vende interesante për t’u vizituar. Gjatë shëtitjes në China Town, u ndala për drekë tek Chocha Foodstore një restorant i fshehur me një stil shumë interesant, gjysmë industrial e gjysmë kolonial në shkatërrim.

Petronas Towers
Jamek Mosque & River of life
Pallati i Sultan Abdul Samad
Central Market
Chocha Foodstore
Sallatë me patëllxhan (shumë pikante), kallamarë të skuqur kërce, dhe lëng i fermentuar ananasi tek Chocha Foodstore

Kur gjeta këtë bar- restorant interesant në fakt isha duke kërkuar një tjetër, por me sa duket KL qënka shumë i njohur për speakeasy dhe një pjesë e bareve e restoranteve janë pa sinjalistika dhe disi të fshehura.

Speakeasy ishin bare të fshehura dhe të jashtëligjshme në periudhën e ndaluar të alkoolit në vietet ’20-’30 në SHBA e njohur edhe si “Prohibition era”. Sot termi përdoret kryesisht për të treguar një vend të fshehtë (jo lehtësisht të dukshëm) dhe që ka një stil të frymëzuar nga ajo epokë.

Qendrat tregtare. KL është shumë e njohur për qendrat tregtare madhështore dhe pazaret e shfrenuara. Në fakt qendrat tregtare nuk janë aspak në listën time të vizitave në një vend, por meqënëse çdo ditë në orën 2 niste të binte shi, m’u desh disa herë të ‘strehoesha’ në to. Natyrisht aty zgjodha aktivitetin tim të preferuar: të shoh filma. <3

Pavillon Shopping Center
Shiu i drekës në KL

Do kisha dashur të shkoja edhe në shpellën Batu Bolong por më ikën ditët shumë shpejt dhe koha nuk qe gjithmonë e mirë.

Nuk di nëse do të kthehesha për të vizituar KL sërisht edhe pse me siguri ka shumë gjëra të tjera për të eksploruar, por jam e bindur që është një qyetet shumë interesant për të jetuar e punuar si expat sepse përzierja kulturore e bën KL tejet joshës.

You Might Also Like

No Comments

Leave a Reply