Nëse ka diçka që më pëlqen në Tiranë, është kafeja. Për fat, Tirana ka adoptuar stilin italian të përgatitjes së kafesë dhe ka shumë vende ku shkoj posaçërisht për të pirë kafe ose kapuçino të bërë për merak. Kështu që kur udhëtoj jashtë Shqipërisë shpesh vuaj për një kafe të mirë ekspres, madje edhe në qytete që njihen për kulturën e tyre të kafeneve.
Por edhe kësaj me sa duket po i gjendet zgjidhja. Dita ditës po çelen ato që quhen Barista style cafes, ku banakieri e përgatit kafen apo kapuçinon me mjeshtri, duke ekzekutuar saktë të gjithë procesin. Zakonisht këto kafene janë me një stil të veçantë, shpesh tejet urban, ku llojet e kafeve që serviren janë me mishela (lexo këtu për më tepër) të personalizuara. Menuja që ofrohet është shumë interesante sepse ofron edhe disa eksperienca të veçanta të servirjes së kafesë siç është V60, Chemex apo Aeropress. Këto të fundit janë metoda manuale të ekstraktimit që ndryshojnë mjaft nga kafeja ekspres. Personalisht mendoj që janë disa forma vanitoze të servirjes së kafesë të cilat, pasi të kalojë ‘buja’ , me shumë gjasa do të harrohen. Pikërisht për shkak të këtyre ekstravagancave në servirjen e kafesë, apo dhe pamjes së baristave, këto kafene të vogla, të bukura e të shtrenjta janë quajtur Hipster Cafeterias.
Për dikë që është mësuar në Tiranë ku çmimi standard për një kapuçino shumë të mirë është 150 Lekë (1.1 Euro), një Hipster Coffee ku do paguash 5-6 Euro për një produkt të ngjashëm është pak e çuditshme. Por kjo dëshmon edhe njëherë se sot po jetojmë në kohën kur eksperienca ka më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër, dhe se nuk mjafton ajo që ke shpenzuar për të dekoruar një ambjent, por ideja dhe risia që sjell.
Sigurisht, kafeja në të tilla vende është kult. Serviret bukur, është shumë e shijshme dhe ke mundësi zgjedhjesh. Në këto vende mund të gjesh edhe një menu me ushqime që përgatiten në vend dhe kryesisht janë ushqime të shëndetshme dhe organike. A është e gjithë kjo një modë? Ndoshta. Këtë do ta tregojë koha, por për dashamirësit e vërtetë të kafesë, është një eksperiencë që justifikon çmimin.
Kuptohet në të tilla kafene, baristi nuk pyet kurrë nëse kapuçinon e do me ‘bustinë’ apo me kafe sepse kjo pyetje nuk ka kuptim. Kapuçino e paketuar është produkt për shtëpi i cili rreket të zëvendësojë kapuçinon e lokalit (më kotë, sigurisht). Përse duhet të porosisësh një produkt që jo vetëm mund ta përgatisësh në shtëpi, por që përbëhet nga qumësht pluhur dhe konservantë kur mund të shijosh një kapuçino të mirë me kafe. Nëse zgjedh një kapuçino me ‘bustinë’ sepse të duket shija e butë dhe ajo me kafe të është dukur shumë e hidhur, atëhere nuk ka qënë e bërë si duhet.
Një kapuçino e bërë mirë ka shije delikate dhe është e mbuluar nga një krem i njëtrajtshëm dhe jo një shkumë poroze. Temperatura duhet të jetë e tillë që filxhani të mos të djegë dorën (dhe as gojën).
Sigurisht edhe në Tiranë ka disa vende ku e përgatisin si duhet dhe në disa të tjera jo. Disa nga vendet që më vijnë në mendje kur mendoj për kapuçino të bërë mirë
- Tribecca Bar Tirana: Tribecca është gjithmonë në listat e mia të të preferuarve që në fillimet e blogut para 5 viteve. Kafja është sistematikisht e mirë.
- Rrjeti i kafeneve Sophie: Nuk e pëlqej shumë idenë e rrjeteve se më duket si deja vu në çdo vend, por më duhet të pranoj që kafeja dhe kapuçino në këtë rrjet është një “bast” i sigurtë.
- Fusion @Toptani: Vendodhje e favorshme së bashku me servirje të mirë.
- NOOR Coffee: e pëlqej për kafenë ose kapuçinon në tarracë tani në pranverë.
Ka edhe shumë të tjera, jam e bindur, por këto janë ato që zakonisht vizitoj për shkak të rutinës time ditore dhe kur dua të jem e sigurtë që mund të gjej produktin që kërkoj.
No Comments