Nuk e mohoj që ka patur periudha kur kam menduar që koktejlet i përkasin një të kaluare me lëngje ngjyrë blu, me çadra të vogla dhe me banane të prera si delfin. Gjëra që nëse ende i shikoj në një lokal, më mirë porosis ujë.
Tani nuk mendoj më kështu. Koktejlet nuk janë demode, përkundrazi, kanë arritur një nivel të ri, që nuk bazohet më vetëm tek pamja, por tek shija.
Sot vendet që shërbejnë koktejle ndahen në dy kategori: ato për turistë që kanë koktejle që askush me dy pare mend në kokë, nuk do të donte të pinte, dhe ato që bëjnë miksologji. Në të tilla vende, koktejlet janë të listuar, të sofistikuar dhe të kushtueshëm.
Ka shumë diskutime nëse miksologjia është thjesht një term që shkon me profilin prej hipsteri të barmanit me tatuazhe e mjekër apo është një fjalë e goditur për të treguar pikërisht erën e re të koktejeve. Megjithatë, miksologjia merret me përzierjen korrekte dhe të mirë studiuar të përbërësve në gotën tuaj. Ka ikur koha e një tipi që bën disa xhonglime në banak por nuk bën dot të njejtin koktejl dy herë. Tani është koha e parapërgatitjeve, infuzioneve, biters të bërë vetë, frutave të sezonit, bimëve të thara e të tymosura, erëzave të veçanta dhe sigurisht koleksioneve të zgjedhura të alkooleve.
Por nuk dua të vijoj të tregoj se sa larg kanë shkuar me parapërgatitjen, servirjen dhe kombinimet, shtetet me një standard të ndryshëm nga i yni. Në thelb ajo që më shqetëson është që na serviren pije me cilësi të ulët pa na ofruar alternativa nga ku mund të zgjedhim.

Koktejl në Korfuz
A jemi gati të shpenzojmë 1500 Lekë për një koktejl?
Çështja e kostove është padyshim një pengesë serioze, sepse për të krijuar koktejle të veçanta me parapërgatitje të bëra nga vetë lokali, kërkohet shumë punë, njohuri dhe lëndë e parë cilësore. Nga ana tjetër pamundësia e tregut për të përballuar çmime të larta, bën që shumica të zgjedhin rrugë të shkurtra duke përdorur alkoole të lira, shurupe apo likere të cilat kurrësesi nuk japin rezultate mbresëlënëse, duke i larguar klientët pak e nga pak nga koktejlet, pa e kuptuar as vetë.
Baret që zgjedhin rrugën e shkurtër jo vetëm që nuk i vlerësoj por i bëj përgjegjës për prishjen e standardeve dhe për keq-edukimin e klientelës; e cila vazhdon e beson se Caipiroska është me luleshtrydhe dhe se Vodka Sour është vetëm me frut pasioni. Pastaj janë edhe koktejet lajle-lule plot me koncetrate të Colonial-it, për të cilat ka një vend të veçantë në ferrin e koktejleve.
Segmentimi shpesh është zgjidhja. Por që t’i ofrosh klientit mundësinë e zgjedhjes duhet të nisësh nga një menu. Fundja, koktejet janë si një pjatë në restorant, ke nevojë të dish se çfarë përmban. Nuk mund të vazhdojmë të porosisim në hava me shpresën se do të na qëllojë një koktej i mirë.
E meqënëse të krijosh koktejle signature është padyshim pjesa më e vështirë (dhe e kushtueshme), një zgjidhje mund të jenë koktejlet klasike, të cilat jo vetëm që nuk janë zhdukur, por kanë marrë një jetë të re, shpesh edhe me ndonjë ‘twist’ të vogël. Fundja, çdo bar duhet të ofrojë Margarita apo Daiquiri, Bloody Mary e Mimosa për brunch, Old Fashioned e Martini, apo edhe Negroni, Spritz dhe GT për aperitiv.

Koktejl @Dante’s Athine (2015)
***
Në bazë të sugjerimeve tuaja kam bërë një listë me baret më të njohura në Tiranë me nga një koment për secilin, duke konsideruar ato lokale që kanë një barmen të specializuar, një banak të pajisur, një menu të dedikuar koktejlesh dhe disa vite që e bëjnë këtë punë.
Nouvelle Vague: Më pëlqen pozicionimi në treg dhe puna e tyre. Më duket interesante ideja e koktejleve signature që afishohen si korniza dhe mbi të gjitha mendoj se Bossa Nova Cocktail Van-i i tyre në Livadh ishte një nga idetë më të bukura që kam parë këto kohë, siç e kam shprehur edhe më parë në story-t e mia në Instagram.
Radio: Tek Radio do pija koktejl. Kam pirë plot edhe në të kaluarën. Klasikë ose jo. Kanë një menu të gjatë, kanë edhe një menu sezoni. Kanë zgjedhje shumë të mirë pijesh dhe e dinë se çfarë bëjnë. Nuk e mohoj që Radio është jo vetëm një nga baret e mia të preferuar, por është edhe ndër më të qëndrueshmit në stil dhe shërbim.
Tribecca: Në përgjithësi i pëlqej koktejet tek Tribecca. Herë pas here bëjnë edhe ndonjë koktejl të ri (ose të ditës) gjë që më duket ok. Nuk ka sajesa me shurupe, dhe nëse kërkon një klasik është korrekt. Do të ishte mirë nëse do të afishonin një menu, edhe pse vendi i vogël të lejon të jesh në kontakt të drejtpërdrejtë me barin.
Salt: Nuk është vendi që do shkoja posaçërisht për kokteje, por më pëlqen që kanë futur një gamë të gjerë xhinesh dhe kombinimesh. Kanë një menu edhe për koktejet dhe mund të shkosh edhe për të ngrënë edhe për të pirë diçka. Ky është gjithmonë një kombinim i mirë.

Koktejl @ SALT
Dada?: Pas një menuje interesante të krijuar bashkë me barmenin nga Barcelona gjatë dimrit, duket se leksionet e Cristian Pineda u harruan. Madje herën e fundit që porosita koktejl ishte jo vetëm i mërzitshëm por akoma rrudhem kur e kujtoj sa i pabalancuar qe në shije. Presim se mos me sezonin e ri vjen edhe ndonjë ndryshim.
Colonial: Mendoj që është i mbivlerësuar dhe se në vend që të ruante me fanatizëm koktejet sepse ishte i pari, zgjodhi rrugën më të lehtë, me shumë Monine dhe me pak fantazi…duke dalë njëherë e mirë nga harta e koktejdashësve (kritikë) si puna ime.
Bonus* – Hemigway: Edhe pse nuk është koktej bar i mirëfilltë zotëron një koleksion mbresëlënëse pijesh. GT shërbehet shkëlqyeshëm kurse koktejlet e tjera, me bazë rumi janë të listuara në një menu të vogël të frymëzuar nga Hemingway, dhe ekzekutohen në mënyrën e duhur me lëndë të parë të zgjedhur për merak.

GT @ Hemingway
1 Comment
Ilda
7 Shtator, 2017 at 7:14 pmShume i drejte artikulli. Nga padami sme del e keqja sa gjera te shpifura kam pire. Kam tentuar disa here por snuk. Salt per mua eshte i paarritshem dhe shyqyr qe ekziston. Po ashtu Nouvelle.