U frymëzova nga një video për Mykonos, e publikuar nga një blog i ri udhëtimi që quhet Travel with Ardi, dhe nga një ‘Greek Night” me grupin, për të përfunduar këtë shkrim të nisur vjet pas kthimit nga pushimet në Greqi. Me këtë rast heqim pak edhe mendjen nga moti i çuditshëm dhe fillojmë mendojmë për pushimet.
Cyclades ose ‘Kikladhes’ quhen 220 ishujt në detin Egje, të grumbulluar pranë njeri-tjetrit në formë qarkore. Ishujt më të vegjël janë të pabanuar, kurse pjesa tjetër janë destinacioni kryesor turistik për miliona turistë nga e gjithë bota. Dy ishujt më të njohur janë Mykonos dhe Santorini, të cilët për shkak të marketimit të jashtëzakonshëm janë shumë të populluar dhe mjaft të shtrenjtë.
Do përpiqem të bëj një përmbledhje të shkurtër të eksperiencave dhe njohurive që kam grumbulluar gjatë vizitave të mia, duke u përqëndruar tek ato aspekte që janë me interes kur udhëton për herë të parë. Jam e bindur që do lë shumë pa mbuluar por le ta quajmë “një guidë fillestarësh për të mos rënë pre e kurtheve për turistë”.
Si të shkojmë?
Për udhëtimin ka disa opsione:
- Mund të udhëtoni me makinë Tiranë – Athinë (Pire) dhe pastaj nga Pireu në secilin prej ishujve. Mund të merrni edhe makinën me vete sepse në shumicën e ishujve vjen shumë në ndihmë. Bileta e tragetit varion nga destinacioni dhe nga koha e blerjes por zakonisht kushton rreth 70 Euro/personi.
- Mund të udhëtoni Tiranë – Athinë me avion dhe më pas të merrni tragetin për ishullin e zgjedhur. Trageti mund të merret qoftë nga Pireu ose nga Rafina që është më afër me aeroportin. Ka edhe autobus që kushton vetëm 4 Euro nga aeroporti në Rafina dhe anasjelltas. Por duhet të shikoni paraprakisht nëse ka traget nga ai port në ishullin e zgjedhur. Për këtë mund t’ju vijë në ndihmë ky website Viva.gr
- Mundësi tjetër është të shkoni me avion në Mykonos sepse Easyjet operon nga shumica e kryeqyteteve evropiane. Nga Shqipëria besoj ky version duhet të jetë shumë i kushtueshëm (si zakonisht) dhe nuk di nëse lidhen oraret e fluturimeve.
Në momentin që jeni në ishull është e volitshme (dhe zbavitëse) të merrni me qera një Quad (30-40 Euro/dita), motoçikletë (20-30 Euro/dita) ose makinë (50-70 Euro/dita). Lëvizja me një mjet do t’ju kursejë kohë, para dhe do t’ju lejojë të lëvizni në shumë plazhe të ndryshme të bukura.
Këto janë pak a shumë ‘rregullat’ por çmimet mund të ndryshojnë në varësi të kohëzgjatjes, periudhës dhe ishullit.
Jeta në ishull.
Tani po i radhis ato që kam vizituar duke dhënë për secilin nga një përshtypje. Kam shënuar në krah edhe kur i kam vizituar sepse jam e bindur që Mykonos e Santorini kanë ndryshuar shumë vitet e fundit për shkak të fluksit shumë të lartë.
Mykonos (vizituar në Gusht 2011): Në atë kohë Greqia ishte në krizë (edhe pse nuk perceptova asnjë grimë të saj). Veçoritë e Mykonos janë gjallëria, jeta e natës dhe prania e komuniteti LGTBQ (Kujdes! Nëse jeni homofobë, shkoni më mirë në Vlorë).
Festat e Mykonos janë në konkurrencë me Ibiza dhe DJ të njohur luajnë në klubet e hapura deri në agim. Eksperiencë shumë e bukur nëse je ndjekës i muzikës elektronike. Gjithashtu një pjesë e lokaleve dhe plazheve më në zë, organizojnë festa të bukura edhe gjatë ditës/pasdites. Sigurisht, nga ana tjetër ka edhe plazhe më të qeta ku nuk ka as nevojë të paguash për shezllong dhe çadër.
Kur të mbërrini do të merrni një hartë të ishullit dhe me siguri do t’ju rekomandojnë Elia dhe disa plazhe në pjesën juglindore të ishullit (Kalo Livadi, Kalafati etj) që janë plazhe për të gjithë familjen, janë të organizuara dhe kanë edhe pika për sporte uji.
Në pjesën jugore janë plazhet për festa si Paradise dhe Super paradise (që janë si Tropikali në Durrës) kurse duke u ngjitur pak më lart në Psarou fillojnë plazhet ku mund të parkosh Yacht-in ?. Këtu, festat e pasdites në disa nga plazhet/lokalet më në zë si Nammos apo më i riu Scorpios (të cilin nuk e kam vizituar sepse është hapur vitet e fundit) janë idealë për të shijuar perëndimet e bukura të Egjeut.
Në pjesën veriore janë ishujt e paorganizuar dhe rrjedhimisht më të qetë ku më ka pëlqyer në veçanti Panormos. Nuk do të rekomandoja pjesën perëndimore të ishullit sepse është shumë afër portit. Me siguri ka shumë të tjerë prandaj ndoshta ky link mund t’ju vijë në ndihmë.
Për sa i përket ushqimit në gjiret e vogla të plazheve ka zakonisht një ose maksimumi dy lokale/restorante ku për të thënë të drejtën kam ngrënë mirë në secilin prej tyre por asnjëherë nuk kam paguar më pak se 40-50 Euro/personi. Sot me siguri ka ndryshime. Janë hapur lokale e restorante të reja me pjata elegante dhe të sofistikuar për t’iu përgjigjur kërkesës së klientelës më sqimëtare sepse në Mykonos ka shumë të tillë.
Santorini (Gusht 2014): Ah ishulli vullkanik më romantik i mundshëm, por jo në Gusht. Shumë i përfolur. Shumë i populluar. Mjaft i shtrenjtë, sigurisht. Si rrjedhim edhe shumë kurthe turistësh.
Të tilla janë për shembull udhëtimet ditore me varkë që pretendojnë se të çojnë në pikat më të bukura. Në fakt thjesht humbet një ditë në një udhëtim absurd në purgator. Gjithashtu, nuk di nëse është një ide e mirë të zbresës (e jo më të ngjitësh) 588 shkallët e famshme sepse është plot me turma njerëzish, gomerësh, mushkash, dhe italianësh të hipur majë tyre me shkopinj për selfie nëpër duar. Një makth. Nuk arrin të shikosh asgjë nga panorama e bukur dhe sistemi yt fokusohet në dy pika primare: si të mos rrëshkasësh dhe si mos të të shtypë mushka teksa je duke mbajtur frymën prej erës së keqe. Alternativë për këtë zbritje e ngjitje është teleferiku 5 minutësh.
Plazhet janë po ashtu shumë të populluara dhe nuk arrin të shijosh plotësisht as bukuritë natyrore. Për aq pak sa kam qëndruar nuk munda të gjej ndonjë alternativë ku çadra ngjitur është më larg se 5cm.
Pjesa e marketuar dhe shumë e bukur është Oia, ku është shumë e vështirë (në mos e pamundur) të rezervosh hotel pak muaj përpara. Edhe tavolinat në baret e vogla nga ku duken perëndimet e mrekullueshme të diellit, janë të rezervueshme gati një vit përpara, zakonisht për ndonjë propozim. Prandaj mirë është të përgatitesh që mitet e ngritura nga Instagrami mund të mos përputhen me realitetin pavarësisht buxhetit që keni në dispozicion.
Syros (Gusht 2014/Korrik 2017): Syros konsiderohet si kryeqyteti i Cyclades dhe është në mes të rrethit të ishujve dhe rrjedhimisht në mes të rrugëve detare. Është një pikë strategjike për ta ndarë udhëtimin në disa etapa. Syros është një ishull që është lënë në hije dhe që përmendet shumë pak. Disa teori thonë që grekët duan ta mbajnë për vete, dhe prandaj pjesa më e madhe e ishullit është e pabanuar dhe e pa përdorur. Me stil neo- klasik me ndërtesa të bukura dhe me një teatër që konsiderohet si La Scala e vogël, Syros është një ishull jo fort tipik turistik.
Netëve nuk ka shumë festa apo gjallëri si pjesa tjetër e ishujve por është shumë piktoresk. Aktiviteti im i preferuar në Syros është të shpenzoj ditën tek Asteria. Asteria është një lokal në buzë të detit brenda në qytet, me muzikë të bukur (jo të lartë dhe as reggaeton!) me pije e ushqime të lezetshme dhe mbi të gjitha ka një klimë shumë miqësore dhe shplodhëse.
Një restorant që më pëlqeu veçanërisht këtë herë në Syros ishte edhe Kouzina. Me ushqime greke por të kombinuara dhe të sjella në mënyra të reja. Ideja për të kombinuar ushqimin mesdhetar, që në vetvete është tejet i shijshëm, me teknika apo përbërës të rinj, mbetet suksesi i restoranteve moderne greke.
Ios (Gusht 2014): Për Ios thonë që është Mykonosi i ri, plot me gjallëri, festa dhe shumë të rinj. Në fakt, edhe pse kam qëndruar shkurt, atmosfera në Ios ishte vërtet shumë e ndezur. Veçanërisht në plazhin më të njohur, Mylopotas, kishte gjallëri, festa, sporte ujore dhe shumë bare, natyrisht.
Por ajo që më ka mbetur në mendje është ndjesia e veçantë e rërës, e përbërë nga guriçka fare të vogla të verdha që nuk e kam hasur as në plazhet tona zallore dhe as diku tjetër. Në Ios më kujtohet një restorant në qendrën e vjetër të qytetit i quajtur Katogi ku mezi arritëm të gjenim vend. Ushqimi padyshim ishte i shijshëm dhe mjaft kreativ, por kamarierja që na shërbeu, ishte mishërimi i shërbimit grek: e shpejtë, e shkathët, e qeshur, poliglote dhe që meritonte një bakshish të majmë.
Naxos (Korrik 2017) Naxos është ishulli më i madh i Cyclades. Po ashtu është edhe ishulli që prodhon më shumë specialitete gastronomike (kryesisht bulmete) për shkak se terreni i tij është më pjellor dhe i gjelbëruar se ishujt e tjerë.
Simbol i Naxos është Portara (tempulli i Apollonit) i cili duket edhe kur kalon me traget. Ishulli është vërtet shumë i madh dhe ka shumë për të eksploruar por pjesa më e njohur e plazheve është e përqendruar në krahun jug-perëndimor. Plazhi i Agios Prokopis që është i pari dhe më i populluari ka plazhe ranore të organizuara me çadra e shezlonge.
Ndërkohë nëse vijon më poshtë, plazhi i Plaka që është edhe më i gjeri, ofron shumë mundësi: plazhe të organizuara dhe me shërbime pak më luksoze, plazhe të tjera më të aksesueshme dhe hapësira të lira. Këtu më ka mbetur në mendje restoranti elegant me një stil shumë interesant, Tortuga. Më pëlqen shumë të zbuloj të tilla restorante që sjellin pjata moderne mbi një bazë të fortë dhe të shkëlqyer mesdhetare.
Paros (Korrik 2017): Paros është i fundit që kam vizituar dhe nga shumë aspekte nuk ka fort ndryshim nga të tjerët, e megjithatë do e rendisja tek të preferuarit e mi. Plazhet janë shumë të bukura dhe ka zgjedhje (si gjithmonë) midis plazheve të organizuara dhe atyre të lira për pushuesit. Edhe vizita në Antiparos është diçka që ja vlen të organizohet, por që unë nuk arrita ta bëj.
Në Paros më pëlqeu shumë edhe qendra e qytetit me dyqanet shumë më artizanale dhe artistike se ishujt e tjerë që janë plot me çikërrima tipike për turistë. Po ashtu më pëlqeu veçanërisht një restorant modern i quajtur Levantis edhe ky një përzierje e kuzhinës dhe përbërësve të zonës, kombinuar me përbërës të rinj.
Përpara se ta mbyll:
- Nëse vendosni të vizitoni Cyclades mos qëndroni vetëm në një ishull, shkoni në 2-3 prej tyre.
- Provoni verërat greke. Janë të shkëlqyera dhe pothuaj të panjohura për ne. Natyrisht nuk mund të lini pa pirë Ouzo dhe birrat lokale si Alfa dhe Mythos ose birrat më pak komerciale të ishujve si Red Donkey (Santorini) psh.
- Disa nga pjatat tipike që detyrimisht do i hasni janë: oktapodi me pure fava (që është e preferuara ime), cingaridhet e skuqura, djathërat e pjekur, qoftet e perimeve, si dhe sallatën Dakos që është një një alternativë interesante ndaj sallatës greke klasike, me djathin e butë të Kretës.
- Restorantet që kam përmendur janë ato më të veçantët, por eksperienca e vërtetë janë tavernat tipike me ushqimin e thjeshtë por jashtëzakonisht të shijshëm.
Tani po shkruaja këtë postim dhe hapa këto fotot e vjetra më kaploi nostalgjia për ditët e nxehta dhe jetën në ishuj. Fundja, është më se e natyrshme të dëshirosh të rikthehesh përsëri e përsëri në një vend ku kalon shumë mirë. Gjynah që nuk mund të them të njejtën gjë për Dhërmiun, nga i cili dua të iki sa më larg…deri në Egje madje.
Shënim: Fotografitë e Mykonos, Ios dhe Santorini janë të pakta dhe të vjetra për shkak të evolimit të teknologjisë ?
No Comments