Vitin e kaluar prita disa miq që kishin ardhur nga jashtë për të vizituar Shqipërinë. Së bashku, organizuam një udhëtim 3-4 ditor në Himarë, Qeparo e Sarandë.
Ç’është e drejta, në 3-4 ditë mund t’u tregosh plazhe të mrekullueshme dhe t’u sigurosh ushqim të mirë edhe turistëve më sqimëtarë. Ama, po të kishin qëndruar më shumë se aq, kam frikë se do kisha rënë në përsëritje. Një tjetër faktor që siguroi suksesin e jashtëzakonshëm të këtij udhëtimi ishte edhe periudha. Fillimi i shtatorit është koha ideale për të vizituar jugun sepse festat me shkumë, muzika e lartë dhe turmat shampanjëpirëse janë davaritur dhe plazhet private janë tashmë në pritje të mbylljes së sezonit…edhe pse në fakt është ende herët.
Megjithatë, kudo ku shkuam kaluam shumë mirë. Por udhëtimi ynë pati një moment kulmor gastronomik, i cili edhe sot kujtohet me shumë nostalgji nga i gjithë grupi. Për rastësi, ishte edhe vakti i fundit që hëngrën në Shqipëri përpara se të niseshim për Korfuz, si tip qershie mbi tortë.
Duke qënë se vjet nuk e kisha blogun dhe këtë vit nuk i dihet kur do të kem rastin të rikthehem, po ju tregoj për eksperiencën tonë tek Harmony Hotel Restaurant, sa pa ikur sezoni :).
Zakonisht jam shumë skeptike për ruajtjen e standardit në restorante dhe nëse nuk do të isha e sigurtë që puna e kuzhinës është gjithmonë koherente nuk do të shkruaja pa e provuar përsëri. Por, në këtë rast jam e bindur që edhe sivjet, shefat e kuzhinës, të cilët i kam “përgjuar” së largu që në krye të qershorit, do të kenë krijuar një menu po aq interesante sa ajo e verës së kaluar.
E nëse po mendoni që ky është një shkim i sponzorizuar apo “me mik”, do më duhet edhe këtë herë t’ju zhgënjej. Unë besoj se vendet e mira në të vërtetë nuk kanë nevojë as për mua e as për tituj të tipit “këtu ushqehet filani apo fisteku” apo për fjalitë e përsëritura të gazetareve që bëjnë shkrime nga zori.
Ky shkrim është vetëm një rekomandim për një vend që mendoj se meriton vëmendjen e atyre që e pëlqejnë vërtet ushqimin dhe kërkojnë një eksperiencë për t’u mbajtur mend midis atyre për t’u harruar.
Siç e theksova, me siguri menuja do të ketë ndryshuar këtë vit, prandaj fotografitë dhe përshkrimi i pjatave janë më tepër një ilustrim për atë çka mund të presësh nga ky restorant. Plus që tani, pas gati një viti, nuk i kujtoj saktë të gjithë përbërësit, por eksperiencën në tërësi. Nga ana tjetër, fatmirësisht, këmbëngulja për t’i bërë fotografi çdo pjate që e gjykoj interesante, më ka mundësuar një arkivë goxha të pasur :).
***
Antipastat që provuam nga menuja ishin oktapodi i ftohtë me salcë mustarde dhe fileto e marinuar e levrekut me avokado. Kurse pjatës me brandade (qofte peshku merluc) me një salcë të bukur ngjyrë çiklamin, nuk arrita as t’i bëj as fotografi, aq shpejt u zhduk.

Antipastë oktapodi

Fileto levreku i marinuar
Pjatat e para ishin disa por ajo që më mbeti më tepër në mendje ishte një risjellje e një pjate tipike greke si klitharaqet me karkalec dhe domate të vogla. Një gjetje interesante.

Klitharaqe me karkalecë
Pjata kryesore ishte një tavë personale levreku me perime të pjekura ngadalë. Më pëlqejnë dy aspekte në këtë pjatë: peshku është i pastruar dhe i filetuar dhe perimet i shtojnë lezet pa mbuluar esencën dhe freskinë e peshkut. Ky kombinim sa i thjeshtë aq edhe i shijshëm, më rikujtoi sa të mërzitshme janë shpesh pjatat e peshkut nëpër restorante.

Tavë levreku me perime
Së fundi, ëmbëlsirat: Cheesecake i risjellë si millefeuille dhe ganache çokollate me qumësht. Teksa po shkruaj realisht po më shkon lëng goja.
Cheesecake i sjellë në këtë formë më pëlqeu shumë. Kremi i djathit i lehtësuar dhe biskota e kompresuar në formë pete kërce, i jepnin një fytyrë krejt të re një ëmbëlsire që e mbarte plotësisht shijen klasike por me një dëndësi të re, jo aq velëse.

Cheesecake i risjellë në formë millefeuille
Ganache me çokollatë dhe krem me lime, ishte me të drejtë, një gëzim më vete për të çmendurit pas çokollatës.

Ganashë me cokollatë të bardhë
Për ta mbyllur, mendoj që është një surprizë e bukur të shkosh në një hotel në Sarandë, mes qindrash të tillë, dhe të gjesh një nivel të tillë kuzhine. Me këtë, i referohem harmonisë së teknikave të përdorura, përbërësve të zgjedhur, ndërtimit të menusë dhe sigurisht, shijes. Në fund të fundit shija është ajo që të mbetet në mëndje në mënyrë të pavetëdijshme dhe të pakushtëzuar.
2 Comments
Ermir
19 Korrik, 2017 at 4:02 pmTe sugjeroj te vizitosh Hotel Flower ne Golem dhe do ndihesh shume mire si per shijen si per cmimet, pasi Harmoni i ka pak si te kripura cmimet, per mendimin tim.
ingridxh
19 Korrik, 2017 at 6:39 pmE njoh edhe Flower dhe me siguri do e vizitoj se shpejti edhe pse per te thene te verteten tani ajo zone me duket disi e ngarkuar dhe perpiqem ta evitoj.