Recensione/ Të gjitha postimet

Unë, HABURGER

Haburger është hapur nga pak kohë dhe prandaj nuk munda ta përfshij në #burgerhunt përpara disa muajsh. Megjithatë doja doemos të shkruaja diçka për të sepse nuk janë edhe aq të shumta vendet që sjellin diçka të re, dhe më frymëzojnë të shkruaj.

Pas 6 muajve pritje dhe një ngatërrese në adresë arrita më në fund tek Haburger, që më duhet të pranoj, ishte më i vogël dhe më pa pretendime se ç’prisja. Emri tejet i gjetur dhe marketimi në rrjetet shoqërore më kishte përgatitur për diçka ‘cool’ por nuk më kishte përgatitur për muzikën ‘old school hip hop’ në sfond dhe për çmimet plotësisht të pranueshme në menu.

Bugeri i shtëpisë, patate të skuqura dhe birrë

Menuja ishte e thjeshtë dhe e fokusuar tek produkti kryesor. E gjeta me vend që edhe pijet ishin të zgjedhura me kujdes për të shoqëruar sa më mirë bugerin, dhe jo sa për të kaluar radhën. Në derë shkruhej që bugerat janë të bërë me mish viçi shqiptar dhe në fakt, edhe emërtimet dhe përbërësit në menu i qëndronin kësaj linje. Nga ato çka kam provuar deri më tani, bugeri i shtëpisë, por kryesisht burgeri pikant i quajtuar Dardan Speci :), më ktheu në disa shije të vjetra.

Bugeri pikant Dardan Speci

Tek Dardan Speci përbërësit si gogozharja, salca pikante dhe mishi, në një kombinim të thjeshtë dhe plotësisht shqiptar, më kujtuan pak ato shijet e burgerave të parë fare në vitet 90, që kishin pak përbërës por që na bënin thellësisht të lumtur.

Buka e bërë vetë si buka e lepurushit të dikur ishte e butë dhe paksa e ëmbël, mishi ishte i shijshëm dhe i pjekur sa e kërkova, dhe kombinimi i shijeve të përbërësve funksiononte plotësisht. Vetëm patatet me djathë dhe salcë janë tepër të velshme dhe të squllura.

Birra e Prishtinës dhe patatet e skuqura

Haburger është një nga konceptet më të kopsitur, më realistë dhe më të mirëmenduar që kam parë këto kohë në Tiranë dhe nuk e di ende nëse më pëlqen më shumë për faktin që nga muzika e deri tek emrat e burgerave ka personalitet, që është jashtë bllokut dhe nuk është investuar në kolltuqe por në ide, apo sepse burgerat janë thjeshtë të shijshëm dhe pa pretendime ashtu sikurse djemtë dhe vajzat pas banakut. Mund të jenë edhe të gjitha bashkë, prandaj unë Haburger!

 

You Might Also Like

No Comments

Leave a Reply