Le të lëmë mënjanë për pak jugun dhe fundjavat e plazhit për të folur për fundjavat e malit, meqënëse kjo është periudha ideale për të vizituar veriun.
Nuk kisha qenë në Theth që në 2010. Por mbaj mend që si rrjedhojë e atij udhëtimi, fillova të pëlqeja shumë ngjitjet dhe kontaktin me natyrën. Madje, nisa të ndiqja edhe një grup të organizuar në ngjitje ditore në maja të ndryshme. Kuptohet, reshta së shkuari kur grupet u zmadhuan aq shumë sa dukeshin më shumë si emigrime masive sesa shëtitje në natyrë.
Kalimin nga Valbona në Theth e kisha ende në listën e dëshirave, kur Ejona (Mandarina) më pyeti nëse doja të bashkohesha me grupin e saj. E prita me shumë entuziazëm edhe pse grupi e kishte bërë edhe herë të tjera kalimin kurse për mua ishte hera e parë. Plani ishte të niseshim nga Valbona, të bënim kalimin Valbonë-Theth, të qëndronim dy netë në Theth dhe të ktheheshim përsëri duke bërë kalimin e kundërt pra, Theth-Valbonë.
Pas ngjitjes (dhe zbritjes) që zgjati rreth 6.5 orë bashkë me pushimet, arritëm në Theth. Thethi m’u duk pak i ndryshuar por shumë më i populluar se herën e kaluar. Më tepër bujtina por edhe më tepër hapësira për kamping. Ne qëndruam tek Bujtina Harusha ku kushtet dhe shërbimi ishin në raport të drejtë me pagesën prej 3500 Lekë të reja/ për person me mëngjesin dhe darkën e përfshirë. Pothuaj të gjitha bujtinat operojnë në këtë mënyrë, ku përveç fjetjes ofrojnë edhe disa vakte. Kjo është një zgjidhje mjaft praktike sepse nuk ka dyqane për të blerë dhe pas ngjitjeve të gjata, të gjesh darkën gati është një lumturi më vete. Mëngjesi pastaj, më shijoi shumë me mjaltin, bukën dhe gjalpin e freskët shoqëruar me çajin e malit, të cilin na thanë që e quanin çaj rigoni të kuq.
Ajo që më pëlqen sot e kësaj dite në Theth është që ky është një lloj turizmi bazik, që nuk aspiron të kthehet në Cortina-n e Shqipërisë por i qëndron besnik thelbit dhe avantazhit të vetëm konkurres: natyrës.
Se fundja, për çfarë tjetër mund të shkosh deri atje nëse nuk ngjit një mal, nuk ecën mes shkëmbinjve e luginave deri sa të mos i ndjesh më këmbët, apo nuk pi nga burimet me ujë të akullt që të rikujtojnë që je i gjallë.
Vendet për t’u vizituar në Theth janë:
Ujëvara e Grunasit: Shtegu është i shënuar dhe është relativisht i thjeshtë dhe afër nga kisha.
Ndërlysaj (të quajtura edhe vaskat) janë rreth 7km larg, ose rreth 2 orë në këmbë ecje (në zall). Tanimë ka edhe furgona që mund të kryejnë transport por nuk kam dijeni për çmimet, sepse ne përdorëm metodën antike: ecëm.
Syri i kaltër (ose Kapre): është edhe rreth një orë larg nga vaskat. Me siguri keni parë shumë fotografi. Por fotografitë sigurisht që nuk përcjellin kurrësesi ndjesinë që ke kur je aty, dhe mbi të gjitha nuk tregojnë se si vizitorët pasi mbarojnë setet e tyre fotografike me veshje të bukura hedhin kanoçet apo ambalazhet shtigjeve të malit.
Por që ta shijoni siç duhet një udhëtim të tillë, po rradhis disa aspekte për t’u patur parasysh përpara ngjitjes, që do të kisha dashur të m’i kishin thënë kur shkova për herë të parë pa përgatitjen e duhur.
Veshja: Veshja është shumë e rëndësishme sepse mund t’ju pengojë ose lehtësojë të gjithë eksperiencën. Nuk dua të hyj në detaje por le të themi që këpucët mund të kthehen në makthin më të madh. Koleksioni i Rita Orës tek Adidasi nuk bën punë. Çanta e shpinës është shoqja më e dashur.
Mendësia: Duhet të jesh i përgatitur shpirtërisht që nuk do të jetë e lehtë. Që do kesh vapë, do të të dhembin këmbët, që mund të vritesh, që do të të djegë dielli etj etj. Por, në thelb, është një mundim i vogël që ia vlen.
Ushqimi: Pjesa ime e preferuar. Kjo dihet por po e them përsëri: ujë, shumë ujë. Jo një shishe e vogël por as shumë sa të rëndojë. Pastaj është mirë të kesh fruta të thata për energji dhe sheqer si dhe ne ndonjë biskotë energjike si ato që na kishte përgatitur Mandarina. Se fundja, të ngjisësh malet me dy blogere ushqimi (lexo fiksimaxhie ushqimi) nuk është aq keq.
Rikthimi:
Këtu vështirësohet puna. Ngjitja nga Thethi për në Valbonë nëse je i papërgatitur (siç isha unë) ështe e fortë dhe sfiduese, saqë e bëra grupin e marathonistave të pushonin plot 4 herë, që të mos u vdisja rrugës. 😛
Ok, ndoshta po e ekzagjeroj pak, por ajo që dua të them është se kjo eksperiencë duhet marrë me një dozë serioziteti dhe se duhet të shtysh pak veten përtej kufirit të rehatisë. Sepse kur e ndjen veten në vështirësi fizike, për ironi, asgjë nuk ka rëndësi përtej atij momenti. Asgjë tjetër nuk ekziston përveç trinomit: m’u mor fryma – m’u bllokuan muskujt – më pihet ujë. Në këto mendime e sipër, kur shfaqen dy lokalet e vogla gjatë rrugës të duket sikur ripërtërihesh. Tek Simoni mund të freskohesh, pushosh e të pish kafe turke, kurse tek lokali tjetër ndoshta të provosh flinë e ëmbël apo t’i bësh një ‘vizitë’ tualetit më të pastër që kam parë ndonjëherë në majë të malit.
E fundit, por besoj më e rëndësishmja: të zgjedhësh njerëzit e duhur. Është gati si një sport skuadre, ku pjesëtarët duhet të kuptojnë pikat e forta dhe të dobëta të secilit. Mund të ketë rreziqe, mund të ketë aksidente dhe prandaj ka nevojë për solidaritet. Një grup pa një ritëm, apo rregull të caktuar mund ta bëjë më të vështirë të gjithë eksperiencën dhe të të bëjë të mos rikthehesh më kurrë. Unë kam qëlluar me fat, sepse jo vetëm në këtë udhëtim por edhe jashtë tij kam përreth njerëz që e duan natyrën dhe pëlqejnë ngjitjet, dhe kam bindjen që këto janë më të mirët.
No Comments