Ku të shkojmë?/ Risi mbi gastronominë/ Të gjitha postimet

Një Gin & Tonic, por i përsosur

U bë kohë që ka një rikthim të Gin & Tonic nëpër botë, dhe në fakt kjo frymë ka filluar të ndihet paksa edhe në Tiranë. Por kur flas për Gin & Tonic të përsosur, nuk e kam fjalën për atë që jemi mësuar deri tani, por për një nivel krejt të ri, që përfshin një bazë premium*, një tonik të mirë dhe një servirje elegante të shoqëruar me limon, lime, piper, xenxefil, kastravecë, petale etj të cilat i japin aromë dhe pamje tërheqëse.

Për ironi, deri një vit më parë, Gin & Tonic ishte pija që kurrë nuk do porosisja…derisa gjatë një udhëtimi në Barcelonë duke ndjekur guidën online Spotted by locals, zbulova disa bare të vogla, si ky këtu, me shumëllojshmëri xhinesh, madje disa syresh edhe të bërë vetë, të cilat më bënë shumë pështypje. Kështu fillova të interesohem dhe të eksperimentoj pak nga pak me disa lloje të zgjedhura xhinesh që për habinë time, kishin shije shumë më delikate dhe më aromatike se i zakonshmi.

Pas kësaj e pashë të gjithë çështjen e Gin & Tonic me një sy tjetër 🙂 dhe nisa “hulumtimin” tim në Tiranë. Ajo që vë re shpesh është që lokalet presin të ketë kërkesë për një produkt që ata ta sjellin. Unë besoj se duhet të jetë e kundërta. Madje ka raste kur disa lokale kanë në banakun e tyre disa etiketa xhinesh premium dhe nuk dinë t’i shesin, servirin apo marketojnë. Por ka sigurisht edhe bare ku këtyre pijeve u bëhet tamam yzmeti, dhe të preferuarat e mia në këtë kategori janë Hemingway dhe Radio.

Koleksion xhinesh @Hemingway Tirana

Hemingway Bar: Nuk është hera e parë që e përmend Hemingway-n sepse vërtet më pëlqen shumë për personalitetin që ka si bar, atmosferën, vlerat që kultivon dhe koleksionet e jashtëzakonshme të pijeve. Kështu, kur zbulova se përveç koleksionit më të madh të rumeve në Tiranë, ka edhe një koleksion shumë të mirë xhinesh, nisa t’i provoj. Madje po përpiqem pak nga pak t’i provoj që të gjithë, por më duket e kam humbur ca fillin këto kohë, sepse nuk di më kë të veçoj :). Tek Hemingway ka edhe një menu të cilës mund ti referohesh pë të bërë zgjedhjet, si dhe servirja nga pikëpamja e kombinimeve dhe estetikës është gjithmonë e veçantë dhe ndryshon nga një etiketë në tjetrën.

Radio Bar Tirana: Edhe Radio është një nga vendet që pëlqej në Tiranë për shumë arsye. Ka një gamë shumë të mirë pijesh në përgjithësi, ka një stil të mirë-përcaktuar, ofron gjithmonë gjëra të reja të zgjedhura me kujdes etj. Më duhet gjithashtu të theksoj që Radio ka qënë pionere e pijeve premium, me disa etiketa të importuara vetë, që përpara disa vitesh.

Për t’iu kthyer edhe njëherë temës, një xhin që konsiderohet premium, rrjedhimisht ka edhe një çmim më të lartë. Për referencë, nëse një Gin & Tonic i zakonshëm kushton midis 500-600 Lekë, një GT me Hendrick’s kushton rreth 700-1000 Lekë me një tonik të zakonshëm, kurse me një tonik të zgjedhur siç është Fentiman’s shkon rreth 1000-1200 Lekë.  Për versionet edhe më premium, që kam provuar tek Hemingway,  si Jinzu, Alkimist, Copper Head, Geneva apo Bathtub çmimi është natyrisht edhe më i lartë.

Bathtub Gin

Copper Head Gin

Megjithatë, kur nuk dua të bëj eksperimente apo të “rrezikoj” me çmimet, meqë një pjesë e mirë e lokaleve nuk i afishojnë ato, zgjedh Hendrick’s sepse nga kategoria e tij është ai që preferoj më tepër. Eshtë më delikat dhe ka tone të kastravecit dhe trëndafilit (që i pëlqej shumë të dyja). Kurse Fentiman’s është zgjedhja ime e një toniku cilësor, sepse nuk është  shumë i ëmbël, është natyral dhe nuk e mbyt apo izolon erën e vetë xhinit.

Disa nga baret që kanë më shumë se dy- tre etiketa xhinesh në banakët e tyre janë Tribecca, Dada, +39 Food & Club, etj.

Tani meqënëse sekretet i zbuluam, jemi gati për një Gin & Tonic. Gëzuar! 😉

*Do ti referohem me fjalën ‘premium’ meqënëse kjo është terminologjia që përdoret për produktet me një cilësi të lartë, vlerë më të madhe dhe që kanë epërsi brenda kategorisë. 

 

 

 

You Might Also Like

No Comments

Leave a Reply