Siç e kam përmendur (shumë shpesh madje) blloku duhet të çmitizohet njëherë e mirë, për t’i dhënë mundësi edhe zonave të tjera të Tiranës të zhvillohen dhe bizneseve të reja pa buxhete astronomike të kënë një mundësi për të mbijetuar. Blloku ka qënë shpesh epiqendra e pastrimit të parave ku pronarët natyrisht nuk shqetësoheshin për shërbimin apo për kënaqësinë e klientit, duke shformuar thellësisht tregun e shërbimeve. Tani ka ardhur koha që bizneset reale, me këmbë në tokë të kenë një shanc, por larg bllokut dhe çmimeve Nju Jorkeze të qerave aty.
Prandaj së fundmi kam filluar të frekuentoj shumë një zonë që më pëlqen dhe që duket se ka perspektivë të mirë. Bëhet fjalë për zonën mbrapa Stadiumit Dinamo ose fillimin e rrugës së Komunës së Parisit. Në atë zonë më parë, ka patur vetëm një arsye të fortë për të shkuar, Restoranti Amor. Amor, është një restorant i konsoliduar, me pjata të ekzekutuara në mënyrë korrekte dhe që për 12 vjet i ka qëndruar stoik tregut, duke u fokusuar tek shija dhe jo tek shfaqja. Në fakt është restoranti që rekomandoj sa herë dikush më pyet ku të shkojë për darkë pune, shoqërie, ditëlindje apo darkë intime, sepse jam e sigurtë që do të kënaqen. Me një menu të testuar, me përbërës të zgjedhur dhe me shërbim gjithmonë të kalibruar nuk ka risk që ndonjë lunatik të të prishë darkën me shpikje të panevojshme.
Në po të njejtën zonë është edhe Pasta da Pucci, tek i cili nuk shkoj më që kur vendosa që nuk do harxhoj më paratë e mia për “gjithçka me pana dhe uthull balsamike” këtu e 6 vjet më parë.
Pak më tutje janë një seri restorantesh Vita 99 për të cilët e kam humbur numurimin por më duket se po përpiqen ti bëjnë 99 në të njejtën rrugë. E nisën me pasta, pastaj kaluan tek picat pastaj tek peshku, e tani me siguri do hapin ndonjë edhe me ushqim kinez…sepse pse jo.
Nga një darkë me mikeshat e mia përpara një viti tek restoranti ku shërbejnë makarona kryesisht, mbaj mend shumë pana, shumë tartuf fallco dhe shumë volum. Kurse piceria tashmë është Apulia, për të cilën kam shkruar këtu dhe që është opsion i mirë nëse po kërkon një pizza ose një panzerotto.
E për ta mbyllur kuadrin e mbretërisë së panas, një tjetër restorant i quajtur Terracotta, është hapur së fundi aty ku ka qënë Basilico. Edhe pse i pëlqej shumë restorantet e vogla dhe besoj shumë në kësi lloj iniciativash, me keqardhje më duhet të them që ishte një zhgënjim. Pas procesit tejet të koklavitur të porositjes, hëngrëm gjithë prodhimin ditor të burratës, sallatën me quinoa më lëmsh që kam ngrënë ndonjëherë dhe makarona të tej ziera. Kur mendoj që secilën prej tyre mund ta kisha realizuar me produkte më cilësore dhe me mjeshtri më të madhe në shtëpi, filloj e mendoj përse dreqin zgjedh të shkoj të provoj restorante që as vetë nuk e dinë ç’po bëjnë.
Një tjetër vend që pëlqej në atë zonë dhe që ka fare pak kohë që është hapur është edhe Ndeze Fikun. Ndeze Fikun, është një bar i vogël i lezetshëm ku shërbejnë pije, ndonjë snack të vogël shoqërues dhe koktejle të lezetshme, poshtë një peme që në fakt nuk është fik. ? Muzika, atmosfera dhe stafi janë shumë ftues dhe vendi është ideal për një pije pas pune.
Ah, vetëm një këshillë për patatet e ziera dhe të skuqura: marinojini më shumë dhe shtoni një salcë sepse janë pa shije dhe të mbesin në fyt.
Së fundi po e mbyll me një tjetër të preferuar: VENA. Emri është absolutisht i gjetur dhe nuk besoj se mund të gjendej diçka më e përshtatshme që të përmbledhur atë që gjen kur shkon aty: thjeshtësi, zgjedhje të jashtëzakonshme verash, ushqime të lezetshme për të shoqëruar verat dhe madje edhe disa leksione falas mbi verën. Vena është tejet specifike, dhe natyrisht pas saj është dikush që e njeh shumë mirë verën si Fationi. Nuk do i bëj lavde Fationit se ai nuk ka nevojë, por do them vetëm që i besoj verbërisht rekomandimeve apo shpjegimeve të tij. VENA është një vend për ata që e duan verën dhe që pëlqejnë të mësojnë gjëra të reja rreth saj, pa shumë llukse por me shije.
Për mbyllje, meqënëse Fationin e kam njohur virtualisht nga blogu i tij, Vindipendent, po i bëj thirrje të shkruajë përsëri për verërat, sepse sa më shumë klientë të informuar të jemi ne, aq më shumë shance për mbijetesë do të kenë edhe vendet e reja e të vogla jashtë territorrit të madhërishëm të bllokut.
No Comments