Recensione/ Të gjitha postimet

Agoni alla Eatalian’s

Kur vizitova Eatalian’s nuk shkova me qëllim që të bëja recensë, por thjesht për të shijuar një darkë me mikeshat e mia, në një vend që disa ma kishin lavdëruar. Pasi na erdhi porosia, u binda që nuk ia vlente të shkruaja për ushqimin i cili deri në atë moment, po “shpëtonte” vetëm prej shërbimit të mirë.

Që një restorant të jetë i suksesshëm, nuk mjafton që një aspekt të jetë mirë (ushqimi, shërbimi apo komoditeti etj.), duhet që të gjitha bashkë të kenë një farë harmonie, ose shkurt profesionalizëm. Dhe pikërisht mungesën e këtij të fundit, dua të ndaj tani me ju, sepse qëllimi i blogut është pikërisht të thotë disa të vërteta në këtë drejtim.

Meqënëse gjithçka nisi nga pakënaqësitë tona për ushqimin, po i radhis edhe njëherë ato që i thashë shefit dhe menaxherit të restorantit kur na pyetën për të disatën herë, për ushqimin.

Personalisht, e pëlqej shumë kuzhinën italiane, por nuk e vlerësoj dot mjeshtërinë e restorantit nëpërmjet makaronave apo antipastave të ftohta, kështu që preferoj gjithmonë të zgjedh diçka tjetër. Fundja në restorante shkohet për përvojën dhe për të shijuar specialitete që nuk i përgatit dot vetë në shtëpi.

Kështu, me këtë parim, unë zgjodha një Entrecôte kurse mikeshat e mia zgjodhën respektivisht, një tagliata dhe një risotto.

Risotto Whiskey & Karakaleca @Eatlian’s

Nuk po ndalem tek risotto sepse ishte i shijshëm dhe nuk kishim ndonjë pakënaqësi lidhur me të, por pjatat e mishit na lanë të dyjave të zhgënjyera. Entrecôte erdhi në disa copëza të holla, me dhjamë rreth e përqark (që mund të ishte hequr më parë), të cilat edhe pse ishin pjekur sipas kërkesës time (medium rare – më pak se mesatare) kullonin shumë lëng (lëngu i kuq nuk është gjak në fakt). Për të evituar këtë duhet që mishi i pjekur të qëndrojë pak përpara se të serviret. Kjo lejon lëngjet e vetë mishit të përhapen edhe njëherë dhe të mos mbeten vetëm në qendër. Kur shumë lëng kullon në pjatë, nuk është eksperiencë e mirë për klientin (as atë që ka porositur shumë pak të pjekur).

“Entrecôte” @Eatalian’s

Shqetësimi tjetër ishte për tagliata-n e cila na u shërbye si një pirg i rrëmujshëm mishi, rukole, grana, domate qershi dhe uthullën balsamike që na u përhap gjithandej. Kur thua tagliata, pret një pjesë mishi tul, të prerë në pjesë vertikale (prandaj dhe emri) që nxjerrin në pah pjekjen, dhe jo një “lëmsh” të yndyrshëm. Mishit nuk i ndihej shija, rukola ishte e flashkët dhe e gjitha nuk ishte as e bukur për t’u parë e as për t’u shijuar, prandaj dhe nuk kam asnjë foto të kësaj pjate. Megjithatë duke parë që mikeshës time pjata nuk i pëlqeu, menaxheri kërkoi ndjesë dhe e solli për së dyti. Por me sa duket kjo ishte mënyra se si servirej tagliata tek Eatlian’s, kështu që hoqëm dorë, edhe pse pak të zhgënjyera, vijuam bisedat tona në qetësi….për pak kohë ama.

Pasi shefi na kishte begenisur edhe dy herë të tjera me praninë e tij (të pa kërkuar nga ne) me fjalime motivuese, madje ndër të tjera, se sa të bukura janë gratë shqiptare, vendosi të rikthehej përsëri, por këtë radhë bashkë me pronarin. Nuk e di pse mendoi që mund të na interesonte një takim i tillë, por pasi u bë prezantimi, na pyetën përsëri për ushqimin. Ne duke e marrë ndoshta më seriozisht seç duhet praninë e tyre, i radhitëm argumentat më sipër.

Por me sa duket këtu i bezdisëm fort, dhe tek tagliata shefi na u mërzit shumë dhe na këshilloi “di aprirci il cervello” për të kuptuar artin e tagliatës së tij të squllët.

Kur shkon në restorant dhe paguan për një shërbim, nuk pret të marrësh as këshilla neurokirurgjie dhe as të bësh miq zemre personelin pa takt të restorantit.

Pas disa tentativash, nga pjesëtarët e ndryshëm (menaxheri, pronari, dhe vetë shefi) për të zbutur disi absurditetin e situatës, darka na u zgjat në mënyrë të panevojshme edhe me dy orë të tjera. Në këto dy orë nuk arritëm dot t’i themi më dy fjalë njëra-tjetrës prej menaxherit, i cili në përpjekje për të na marrë me të mira, na u bashkua në tavolinë.

E pas shumë bisedash, në fund na pyeti: A do ktheheni përsëri?

Po të ishit ju, a do ktheheshit më?

Shënim: Postimet në këtë blog nuk janë të sponsorizuara. Restoranti nuk kishte dijeni për vizitën tonë dhe as për blogun. 

You Might Also Like

No Comments

Leave a Reply