Gjatë kërkimit tim të vazhdueshëm për vende me personalitet dhe me menu të lezetshme kam piketuar disa që më pëlqejnë shumë. Asnjë prej tyre nuk është saktësisht i ri, apo i sapohapur, madje pikërisht këtu qëndron e bukura: janë vende që kanë arritur të mbajnë shërbimin dhe thelbin e tyre ndër vite, ndryshe nga mijëra vendet e tjera që përjetojnë spiralen e pafundme të hapjeve – mbylljeve – riarredimeve – riemërimeve – rimishërimeve.
Po i quaj vende që “nuk bien në sy” sepse nuk më dalin përpara sa herë hap instagramin me sponsored ads, sepse nuk bëjnë check-in të gjithë njerëzit që duan me doemos të na tregojnë se ku ndodhen por që thjeshtë janë aty, në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme për të ofruar një shërbim të pëlqyeshëm.
Kafe Mehmeti. Kjo kafene e vogël tek Pazari i ri, është pikërisht ajo çka kemi nevojë: një vend i bërë me kujdes e përkushtim. Është plotësisht e qartë, për këdo që ka qënë tek Kafe Mehmeti, përse ky vend është i dashur, i qetë dhe i rehatshëm. Produktet paksa tradicionale si kafja turke, boza, bakllavaja, janë disa gjetje interesante që me sa duket i kishim harruar, dhe është mirë që i rigjetëm.
Caffé del libero pensatore. Një vend gjysëm ‘sekret’ që do e zgjidhja për një aperitiv apo për një kafe. Ky lokal më kujton tamam baret italiane, që janë shumë klasike por kanë produket e tyre të zgjedhura me kujdes. Me disa snacks të vegjël për të shoqëruar pijet dhe me një aperol të bërë saktë, ky vend rikthen të gjithë nostalgjikët e Italisë, edhe njëherë pas në kohë.
01. Ky lokal ka shumë kohë, por e kam bërë të preferuarin tim, tani që kam lëvizur pranë asaj zone. Tek 01 pëlqej pothuaj çdo gjë. Tavolinat e vogla me mbulesa të bardha, zgjedhjen e gotave dhe filxhanëve, zgjedhjen e pijen, shoqërueset e vogla që të sjellin sa herë porosit ndonjë pije, koleksionin e mirë të pijeve alkoolike, lulet që dekorojnë ambjentin dhe mbi të gjitha shërbimin e shkëlqyer. Më duket si një oaz i butë mes zhurmës së rrugës dhe lokaleve në krah që luajnë regaton në mes të ditës. Ky lokal më jep shpresë që nëse ka vullnet të mirë, bëhen gjëra të mira kudo, në çdo cep të Tiranës.
BONUS:
Këtë shkrim e kisha përgatitur përpara vitit të ri por Bar 01 ishte në një rikonstruksion dhe nuk desha ta publikoj në atë kohë. Meqënëse prita kaq shumë, po shtoj këtu në fund një vend të sapo hapur që e provova dje.
Sera Bistro & Bar. Një qoshkë e ngrohtë dhe simpatike me premisa të shkëlqyera për tu bërë një brunch spot shumë i mirë. Dje provova avokado toast dhe french toast dhe veçanërisht avokado toast m’u duk shumë OK. Gjithashtu më pëlqeu edhe predispozita e kamarierëve për të plotësuar kërkesat tona për Mimosa të improvizuara dhe për ta marrë porosinë edhe paksa më vonë orarit të shënuar në menunë e brunch (09:00-13:00).
Gjithmonë kam besuar (dhe do vijoj ta bëj) që një bar duhet të ketë një menu interesante, një shërbim të mirë dhe nëse qëllon që është i rregulluar me sqimë, akoma më mirë, por në asnjë rast kolltuqet apo shandanët nuk kanë rëndësi nëse dy të parat nuk përmbushen. Realisht, nuk kemi më nevojë për lokale të mbi-investuara që shesin vetëm kafe të bërë keq dhe ujë pa gaz, kemi nevojë për produkte e shërbime cilësore. Siç thotë shprehja “ndërtoje dhe (klientët) do të vijnë”.
No Comments