Informacion/ Të gjitha postimet

Jo, nuk është ashtu siç duket

Do shkruaj vetëm një herë për Dhërmiun dhe pastaj do pres të lexoj, përgjatë muajve të ardhshëm, statuset e inatosura të atyre që harxhojnë një rrogë të plotë dhe 12 orë të jetës së tyre në këtë udhëtim të pakuptimtë.

Kam kohë tashmë që nuk angazhohem më në kësi fundjavash torture, dhe verat e mia janë më të bukura dhe më pak të sëkëlldisura. Besoj se në harkun e këtyre viteve (2007- 2012 kur shkoja në Dhërmi pothuaj çdo fundjavë) kam parë çdo lokal të vogël të bëhej i madh, çdo zonë të virgjër të zhvirgjërohet, çdo vend me muzikë normale të shndërrohet në tallava dhe mbi të gjitha, ditët e bukura të plazhit jonian, të kthehen në një tangërllëk qesharak mes pluhurit, pisllëkut, tensionit të ulët dhe bingos me ujin e dushit.

***

Rreth viteve 1999-2000 kur nuk kishim viza, dhe nuk lëviznim nëpër fundjava sepse rrugët ishin në pikë të hallit, ishte Saranda, zona më e populluar nga turistët. Por pasi çmimet arritën pikun, pushuesit instiktivisht e braktisën Sarandën (duke e lënë me pasoja vite me radhë). Kjo i dha shkasë vendeve hibride si puna e Dhërmiut që të kishin një moment shkëlqimi.

Me një Havanë të vogël me pije e muzikë të mirë, për vite me rradhë u bë magneti i Tiranës drejt jugut, dhe entuziazmi shkonte deri aty sa në fundjavat e ngjeshura të mes-verës mund të flije edhe në haur mjafton që të shkëlqeje tek Havana. Por fundja kur je 20 vjeç prioritetet janë të ndryshme. Kanë kaluar tashmë 10 vjet që nga koha kur Havana ishte kasolle, dhe gjërat kanë ndryshuar shumë. Vetëm që nuk jam e sigurtë nëse kanë shkuar në drejtimin e duhur.

Mëngjes karakteristik dhërmiot: i pangrënshëm por i shtrenjtë

Të gjithë i dini çmimet, trafikun, mundin për të arritur, plazhet private, ushqimin e tmerrshëm, ngrefjen e panevojshme dhe gjithë peripecitë e tjera që kthehen në deja vu çdo vit, prandaj nuk do ndalem tek asnjë prej tyre. Këtë herë do e shoh nga ana e ofruesve të shërbimit, për të kuptuar njëherë e mirë përse kjo është një industri tërësisht disfunksionale e cila duhet sabotuar, për të vendosur një standard të ri, të vërtetë.

  1. Sezoni veror në jug zgjat vetëm 1.5 muaj. Nga data 15 Korrik deri 30 Gusht, pa llogaritur ndonjë fundjavë që mund të ndodhë të prishet koha, i bie rreth 7-8 fundjava. Kjo e bën automatikisht një sezon të cungët.
  2. Dimri shkatërron çdo gjë. Që do të thotë çdo vit rindërtohet dhe rinvestohet edhe njëherë nga e para.
  3. Gjithçka është larg. Qoftë për ndërtim apo furnizim apo krah pune, gjithçka sillet nga Tirana dhe kështu kostot rriten edhe më shumë prej largësisë dhe transportit.
  4. Infrastruktura është e amortizuar. Energjia është në konkurrencë të fortë me qiriun që ngahera. Uji që ndonjëherë është me kripë në rubinet, asnjëherë nuk është mjaftueshëm i ngrohtë sa për një dush të plotë. Frigoriferët gjithashtu nuk e ruajnë dot ushqimin sepse nuk arrijnë të ngrijnë.
  5. Stafi i shërbimit është i “importuar”. Siç thashë edhe më sipër gjithçka që sillet nga Tirana do të kushtojë më shumë. Në rastin e stafit të shërbimit, kush mendoni që do të shkonte në Dhërmi për pak muaj punë? Dikush që ka eksperiencë dhe e bën punën mirë apo dikush që do të kalojë një verë në Dhërmi, me shpresën që ‘do bëjë lekë’ në një mënyrë apo një tjetër.
  6. Stafi i shërbimit është i frustruar. Gjasat janë që ky i riu më sipër që ka ardhur për të punuar gjatë verës, të shfrytëzohet përgjatë atyre 3 muajve në një mënyrë që as ja ka marrë mendja, sepse ai nuk e di që edhe pronarët do nxjerrin fitime mbi ato 1.5 muaj. Kështu që nis një “Hunger Game” në miniaturë, ku sigurisht klienti “vdes” gjithmonë.
  7. Kostot janë tejet të larta!! Kosto të tilla kaq të larta nuk mund kurrësesi të shlyhen me 1.5 muaj punë, sado i frytshëm qoftë ai çikë sezon.

Pra, të gjitha këto kosto + kosto + kosto + kosto + kosto që duhet të shlyhen brenda një sezoni, do përplasen tek ne në të gjitha format e mundshme, duke na nxehur, acaruar, provokuar dhe sigurisht rrënuar ekonomikisht.

Në fund të fundit që të dilet me fitim në kushte kaq të vështira, me kaq shumë kosto, me kaq shumë mundim, nuk është punë për të gjithë. Prandaj shumë prej bizneseve që popullojnë atë gji, janë biznese lavatriçe, biznese muzike tallava e ushqimesh të prishura, kazinosh të fshehura, shampanjash me xixa…që sigurisht në fund nuk japin kupon tatimor.

Oferta muzikore. Nuk besoj se ka ndryshuar gjë.

Kujtoj që sa herë nisesha për Dhërmi mendoja: do jetë nga ato fundjavat e mira, apo nga ato të këqijat ku çdo gjë shkon ters? E meqënëse nuk kam më nevojë për këtë lloj adrenaline në jetën time, ky është viti i 6 që unë refuzoj të harxhoj qoftë edhe një kacidhe në atë katund me pretendime.

 

 

You Might Also Like

10 Comments

  • Reply
    Egi
    19 Qershor, 2017 at 1:00 pm

    Me fal por ky nuk mund te quhet artikull aspak. E para eshte nje lum ankesash, pa nje sugjerim zgjidhjeje, pa nje opsion, pa nje alternative. Ok, ju paskeni qene aq e pasur sa keni shpenzuar dikur 4 rroga ne muaj duke kaluar fundjavat ne jug, po tani ku shkoni ju si eksperte? Pishina? Cdo fundjave jashte vendit? Na ofro sugjerime ne qe ju lexojme se nuk do e kalojme veren ne ballokon.

    E dyta mllefi dhe inati nuk ju kane lejuar qe ta ndani Dhermine nga pjesa e tjeter e jugut. “Jugu” ose me saktesisht plazhi i jugur ne Shqiperi fillon nga Vlora e perfundon ne Sarande, ku pershihet Qeparo, Jale, Himare, etj, e nuk mund te vendosni ne nje thes te gjithe vijen bregdetare vetem se ju keni vendosur te braktisni Dhermine. Qe te kuptohemi ka probleme ne jug pafund, ka abuzim ne cmime e probleme me sherbimin dhe fakti qe e keni braktisur eshte zgjedhja juaj personale por kjo nuk ju jep aspak te drejten te beni te tilla thirrje. Jugu ka bukuri natyrore te padiskutueshme dhe ai nuk shfrytezohet vetem nga “lacat” dhe “takat 15 cm” por ka shume njerez qe marrin rrugen dhe nga viset me te larta te shqiptarise vetem per te shijuar detin dhe bukurine e ketij bregdeti fantastik dhe ju siguroj se sado i keq te jete sherbimi ne cdo rast ushqimi eshte me i mire se ne Mal te Zi dhe Maqedoni dhe cmimet disa here me te lira.

  • Reply
    ingridxh
    19 Qershor, 2017 at 1:26 pm

    Egi,
    Qellimisht e kam theksuar Dhermiun sepse mendoj qe eshte vendi qe ka shkuar me ‘larg’ me abuzimin ndaj klientit. Une nuk mohova bukurite, dhe nuk bera nje krahasim midis jugut tone dhe Malit te zi apo Maqedonise, qe per te thene te drejten nuk i kam pare kurre si destinacion kulinar.
    Mundet qe postimi ne blog (meqe nuk mendoni se eshte artikull) te tingelloje si lume ankesash por me beso, qe keto ankesa burojne nga frustrimi i paster qe merr cdo fundjave ne Dhermi, dhe jane nje thirrje per bizneset atje, meqenese kaq kam per momentin ne dore te bej.
    Per sa i perket menaxhimit te rrogave te mia nder vite, me ler te te them qe ne 2007 kur une kam filluar te shkoj ne Dhermi cmimet nuk ishin si sot, dhe meqenese une isha ende studente, jo vetem qe nuk harxhoheshin 4 rroga (se nuk i kisha) por prandaj kam permendur edhe fjetjen ne “haur”.
    Se fundi, kam dy jave rresht, qe vizitoj plazhe dhe pishina, pikerisht me qellimin qe te bej kerkim dhe te sjell alternativa ne kete blog i cili eshte i pasponzorizuar dhe i paanshem.
    Te falenderoj.

  • Reply
    Joniada
    19 Qershor, 2017 at 3:53 pm

    Shkrimi mese i drejt per mua shumica e atyre qe shkojn ne Dhermi por edhe Jal (e cila as kjonuk ngelet mbas nga abuzimet )shkoj per te bere check-in edhe per tangerllek une e kam shume afer edhe perferoj te shkoj ne nje periudh kur sezoni ska filluar ende se sinqerisht eshte bere nje vend kush te shesi me shume pordh ( me falni per shprehjen por eshte e sakt) edhe eshte per te ardhur keq se une shkoja ne Dhermi edhe gjithe bregun me pare ,rrija gjithe diten plazhi ishite i te gjitheve edhe jo si vitet e fundit ske as ku te ulesh se plazhet janeeshte me pages edhe kur nuk vendos te marresh shezllom te shikojn sikur je ne pike te hallit e me perbuzje jo se une e caj shume koken por me bezdis fakti qe duhet te degjoj muziken e bezdisur te atyre plazheve private qe vetem muzik nuk mund te quhet mos te flasim fare per ushqimin ku te shesin peshkun e rezervatit si te fresket, me pak fjale mua (Ankesat e tua mu duken mese te drejta tek ky artikull)

  • Reply
    Gardenia
    20 Qershor, 2017 at 12:41 am

    Nuk kam kaluar asnje fundjave te jetes time ne Dhermi, pikerisht sepse kam pasur ndjesine e pakendshme qe ju pershkruani kur jam ndalur thjesht per nje kafe. Bukuria qe vret kuleten dhe humorin me duket mua (thjesht per te perdorur nje term letrar). Gjithsesi kush gjen kenaqesine dhe ja mban xhepi te kaloje cdo fundjave atje shume mire ben, por ky lloj “mitizimi” i fundjave ne jug dhe paprekshmeria e tyre me duket nje sindrome prej njerezish te paevoluar.

  • Reply
    Irakli
    20 Qershor, 2017 at 9:51 am

    Per te mundesuar vleresimin e lexuesit gjykoj se perben qendrim te njeanshem pasqyrimi i vetem problemeve pa i shoqeruar ato edhe me epersite. Disa nga argumentat e perdorur jane gjetje te sforcuara.
    Megjithate, trajtimi i problemit ne kete menyre nuk me dukjet gjetje e pranueshme

    • Reply
      ingridxh
      20 Qershor, 2017 at 10:20 am

      Irakli,
      Ky artikull eshte nje prej shume kendveshtrimeve qe mund ti behet kesaj ceshtje. Besoj epersite jane shume te qarta per te gjithe dhe te perqendruara vetem tek bukuria natyrore, dhe duke qene se kjo nuk eshte merita jone, nuk eshte gjithmone e nevojshme te biesh ne perseritje. Argumentat qe jane dhene aty, reken te japin edhe anen tjeter te medaljes, per te kuptuar edhe pse bizneset e kane te veshtire atje. Nuk e kuptoj sakte se cila ju duket gjetje e papranueshem dhe e sforcuar duke marre parasysh qe i kam provuar ne kurriz keto, por ne cdo rast e kuptoj qe artikulli mund te mos jete ne pelqimin dhe interesin e te gjitheve, keshtu qe ju mirekuptoj dhe falenderoj per komentin.

  • Reply
    ce guevara
    22 Qershor, 2017 at 10:50 am

    po nje dreke normale ne dhermi ( e thjeshte ) burre e grua dhe dy femijet e rritur shkon te pakten 65 euro dhe nuk kenaqesh me cilesine dhe sasine kurse me 40 eorp ne mal te zi ne te njejta kushte kenaqesh shume me teper per cilesine dhe sasine prandaj kush shkon nje here ne dhermi si une nuk do tja shohe me bojen,,,,

  • Reply
    Anjeza
    11 Korrik, 2017 at 1:21 pm

    Edhe une bashkohem me Ingridin dhe me te tjeret qe nuk jane pro Dhermiut, Kam qene ne Dhermi dy vite rresht. hera e fundit vitin e kaluar dhe e them me bindje te plote qe sdo kthehem me. Cmimet , papertypshmeria si e hoteleve qe jane per pike te zeze por qe cuditerisht kushtojne sa jashte, ushqimi po si i vobekte dhe i servirur sikur cfare eshte, pisllik po. Le pastaj tangerlliku e shitja mendsh e disa individeve qe thua sikur ku jane e ca po bejne. PLazhe free sbehet llaf, harbutizmi dhe paedukata e atyre qe punojne ne keto zona arrijne kulmin sidomos kur je nje person i thjeshte por qe mund te kesh pare e studiuar jashte por qe gjithsesei te etiketojne nga poshte larg… te tille njerez larg, sa keq per dhermiun jugun e shume zona te Shqiperise qe jane katandisur keshtu… Pervec detit asgje seshte per te shpetuar… sa keq!

  • Reply
    El
    15 Korrik, 2017 at 5:02 pm

    Nuk i heq asnje presje ketij artikulli. I vetmi kompromis qe bej eshte qe vizitoj Dhermiun e jugun vetem ne qershor e shtator, per te shijuar detin dhe natyren ne menyre me “ekonomike”( krahasuar me muajt e tjere, por perseri larg te qenit ekonomik), e mbi te gjitha larg luksit te shtirur qe te ofron ky vend. Fatkeqsisht kam vite qe pushimet i bej jashte Shqiperise. Duket absurde, por edhe 1 jave ne jugun e Frances te shkon njesoj ( ose ndoshta me lire) se ne fshatin me pretendime.

  • Reply
    code
    6 Gusht, 2018 at 12:30 pm

    Agreed !!

  • Leave a Reply