Nuk kisha në plan të shkruaja për Cioccolatitaliani sepse të gjithë e njohin tashmë. Por vendosa të shkruaj nja dy fjalë duke marrë shkas nga një episod në Instagram mbrëmë i cili më bëri të mendoj dhe të shtroj një pyetje:
Një biznes shërbimi, që bllokon dhe përdor pa të drejtë fotografitë e një blogu që bën kritikë kulinarie, si sillet kur një klient ankohet për ta?
Kështu që po hartoj një “leksion” për Ciccolatitaliani, dhe për të gjithë baret e restorantet që nuk dijnë dhe nuk duan të merren me ankesat e klientëve. Ka ardhur koha që të kuptojnë njëherë e mirë që jetojmë në një vend të lirë, dhe këtë e them edhe si blog edhe si kliente e zakonshme.
- Klienti ka të drejtë: Thënie e vjetër kjo, gati klishe. Po, por për vende që e kuptojnë çfarë do të thotë konkurrencë. Kur mendoj raste kur kam paguar në bare e restorante për pjata me ushqime të përgatitura keq, të pangrënshme ose edhe të prishura, dhe në fund edhe kam paguar për to, sigurisht që klienti ka të drejtë! Prandaj ka edhe blogje si ky i imi që klienti të ketë zë, sepse ka ardhur koha.
- Blogjet janë realitet: Blogjet janë hapësira të lira, për të shprehur mendime apo për të ndarë ide, kështu që mund të më bllokoni nëpër mediat sociale por kjo nuk do të thotë që problemet tuaja nuk ekzistojnë.
- Mediat (sociale ose jo) nuk janë vetëm për lavdërime, por edhe për të vënë në dukje atë çka është e drejtë. Facebook apo Instagrami, nuk janë vetëm për check-in, reposte apo për të treguar pjatat e dekoruara bukur, janë edhe për të dhënë e marrë ‘feedback’ nga klientët.
- Kritika është e vyer: Për ata që e kanë të vështirë ta kuptojnë po e përmbledh. Një klient kritikon – ju e dëgjoni – ai rikthehet. Një klient kritikon – ju e mohoni – ai nuk kthehet më dhe flet keq për ju.
- Duke degjuar përmirësohesh: E di që franshizat vijnë me formula të gatshme, por nuk ka pak raste kur kanë dështuar në Tiranë pikërisht për faktin që nuk kanë ditur të përshtaten dhe të bëjnë adaptime për tregun. Për të bërë këtë duhet të dëgjosh klientin, dhe çdo zë që të bën një kritikë. Pastaj nëse kritika të vlen apo jo, të ndihmon apo jo, këtë e përcakton ti.
- E fundit: Nëse Cioccolatitaliani, ka investuar shuma marramëndëse për pllaka, tulla e llaç, i këshillojmë ta zgjerojë gamën e investimeve në trajnim të stafit në shërbim, marketing, PR, kujdesi ndaj klientit dhe kurs gjuhe se menuja është plot me gabime.
E meqënëse, herën e fundit që isha tek Ciccolatitaliani mbajta disa shënime po i publikoj edhe këto për të patur krahas këshillave më sipër edhe një përmbledhje të gjërave që shkojnë dhe jo aty, edhe kjo falas nga bonvivant.
Po i publikoj të pa redaktuara, ashtu siç i kam shkruar atë ditë.
***
Cioccolatitaliani është mjaft interesant për kategorinë e tij, dhe ka një pozicionim shumë të mirë të markës. Por ka disa gjera që më çudisin:
- Racione tmerrësisht të mëdha: kjo vlen për ëmbëlsirat sepse tek të kripurat është e kundërta. Kjo ndikon që edhe çmimet të jenë më të larta. Të them të drejtën unë ëmbëlsirën e konsideroj delikatese dhe nuk besoj tek volumet gjigande të akulloreve dhe brumërave.
- Shoh që promovohen më shumë krepa/waffles të mbiçmuara kur në menu ka disa delikatesa siç është Millefoglia Siciliane.
- Përse pjata klasike siç është Caccio e peppe duhet ti shtojnë kokrra të thërrmuara kakaoje, mbi të gjitha pa e shënuar në menu. Për të qënë realiste ishte kombinim interesant por duhet ta dija më parë çfarë më priste. Ah po! Duhet edhe të na njoftonin që spaghetti-t do duhet ti hanim me një pirun ëmbëlsire duke na përmirësuar ndjeshëm aftësitë e përdorimit të pirunit.
- Përse çdo pjatë ka disa dekore të tepruara. Nuk besoj se dikush që ka ngrënë një ëmbëlsirë të shkëlqyer do hajë ca kuba orizi me çokollatë për mbyllje.
Megjithatë unë shkoj kryesisht për Millefoglia-n edhe pse është gjigande dhe nuk arrij asnjëherë ta mbaroj, mezi hahet (duhet thyer me lugë pjesa kërce për ta shijuar siç duhet) … dhe kushton 900 lekë, por fundja, gjërat e mira kushtojnë.
***
Këto i kam shkruar para rreth 1 jave. Mendimet e mia nuk kanë ndryshuar në thelb. Por arroganca që m’u shfaq dje, në një gjest ndoshta të vogël, sapo e tejkaloi me disa pikë edhe arrogancën e tipit “Çe deshe që e erdhe!” që merr sa herë shkon.
2 Comments
Lili
8 Nëntor, 2017 at 1:20 pmhahet *
ingridxh
8 Nëntor, 2017 at 3:57 pmMe këtë rast, ndreqa edhe një lapsus tjetër :). Meqë nuk kam redaktore, këto kritikat dashamirëse më ndihmojnë të përmirësohem. Faleminderit.