Në dhjetor të vitit të kaluar nisa #Burgerhunt – një kërkim për të gjetur burgerat më të shijshëm. Ky projekt i cili ishte në planet e mia nga kohë, u mirëprit dhe u mbështet nga Coca-Cola, si një shoqëruese e natyrshme e hamburgerit.
Në fakt nuk është hera e parë që bëj një “gjueti” të tillë. Për herë të parë kam bërë diçka të ngjashme në Janar të 2014 tek blogu im i atëhershëm (nëse jeni kureshtarë mund ta shihni këtu). Në atë kohë, mbaj mend që mezi i gjetëm rreth shtatë vende për t’i vizituar nga të cilat një pjesë e mirë e tyre është mbyllur.
Tanimë, ka shumë vende që shërbejnë burgers dhe nga këto kam zgjedhur përsëri rreth shtatë vende. Më vjen keq që nuk arrita t’i vizitoj të gjitha por koha ishte faktor kufizues. Megjithatë, do të vazhdoj të provoj në bazë të sugjerimeve dhe risive për #Burgerhunt të radhës. Fundja Tirana është e vogël, herët a vonë të gjithëve u vjen radha 😉
Për vlerësimin e këtyre burgers u bazova në disa pika kryesore:
- Mishi: Është faktori kryesor i një burgeri. Duhet të jetë i butë dhe të ruajë lëngjet sepse ato e bëjnë të shijshëm. Një qofte ideale ka rreth 20% yndyrë (dhjamë). Mishi i viçave të njomë, mendohet të jetë tepër i lehtë për të bërë një hamburger të mirë sepse kanë pak masë dhjamore dhe muskuj, dhe duke i shtuar gjatë grirjes dhjamë shtesë përsëri nuk arrihet shija dhe struktura e dëshiruar.
- Buka: E dyta pas mishit, për nga rëndësia. Buka e duhur mban ‘të lidhur’ të gjithë burgerin. Duhet të jetë e butë që të mund të shtypet dhe kafshohet. Duhet të jetë në përpjesëtim të drejtë me mishin në mënyrë që në çdo kafshatë të shijosh të gjithë përbërësit. Zakonisht përdoret një simite pak e ëmbël (sweet bun) sepse balancon shijen e fortë të mishit dhe elementin e athët që zakonisht ka një hamburger.
- Përbërësit e tjerë: E veçanta (dhe sekreti) i një burgeri të mirë është pikërisht pika e balancimit mes mishit, bukës dhe përbërësve të tjerë. Një hamburger ‘klasik’ zakonisht ka përveç mishit, domate, sallatë, kastravecë trushi, qepë dhe një salcë (majonezë ose mustardë). Por e bukura e hamburgerit është që nuk ka rregulla, dhe mund të eksperimentohet me shijet dhe përbërësit me qëllim që të arrihet një shije më komplekse në tërësi.
- Shoqërueset: Patatet janë padyshim të pandara, prandaj kanë rëndësi si janë të përgatitura dhe me cilën salcë shoqërohen.
- Prezantimi: Jam pro prezantimeve ekstravagante që kohët e fundit janë shumë në mode, por qëllimi është gjithmonë shija. Prezantimi është një ‘show’ me të cilin mund të bëj edhe pa, nëse gjithçka tjetër është në rregull.
- Shija në tërësi: Pas çdo burgeri që kam provuar dhe shqyrtuar elementet e mësipërme një e nga një, kam pyetur veten ‘A do të rikthehesha për një buger tjetër këtu?’ Në fund të fundit një hamburger është një ushqim popullor dhe sado elemente ‘teknike’ të ketë, në momentin që kafshon dhe shijet e tij kombinohen, asgjë tjetër nuk ka rëndësi.
- Çmimi: Zakonisht nuk përmend çmime në këtë blog sepse besoj që ushqimi dhe përbërësit cilësorë kushtojnë, dhe së dyti sepse edhe restorantet e lokalet, ashtu si çdo produkt e shërbim tjetër në botë janë të ndarë sipas kategorive dhe kanë target-grupet e tyre. Në fund secili zgjedh të blejë apo jo produktin/shërbimin në varësi të mundësisë. Megjithatë këtu e kam përfshirë për referencë.
Kujdes! Renditja më poshtë është kronologjike.
***
1. Rixhi’s
Rixhi’s sapo ishte hapur kur nisa #Burgerhunt dhe shkova menjëherë ta provoja. Besoj që është një nga vendet e hapura së fundmi që kanë një koncept të qartë dhe të ndërtuar mirë. Një vend, që padyshim do e zgjidhja për burger edhe pse mendoj që duhet të punohet pak më tepër në drejtim të krijimit të balancave të duhura të shijes.
Burgeri: Në menu kishte shumë lloje, por në këtë #burgerhunt kam zgjedhur Mona Lisa
Mishi: I butë, i pjekur mesatar dhe i marinuar mirë.
Buka: Një simite paksa e ëmbël e përgatitur nga vetë lokali dhe ndoshta buka më e mirë për burger që kam provuar në Tiranë deri më tani.
Përbërësit e tjerë: Bacon i skuqur, djathë, qepë, domate, sallatë.
Shoqërueset: Patatet nuk ishin të zakonshmet French fries por thela të mëdha patatesh (wedges) të cilat janë një alternativë shumë e mirë ndaj patateve të skuqura të zakonshme. Vetëm që duhet patur kujdes me skuqjen e tyre sepse shpesh mbeten të pabëra në mes. Ketchup-i që shoqeronte pjatën ishte Heinz, që menjëherë dallon nga ketchup-i gjysëm transparent dhe pa shije që përdoret rëndom.
Tërësia: Mishi dhe buka ishin padyshim elementet kryesore të suksesit të këtij burgeri. Le të themi që ky burger i kishte të gjitha ‘letrat’ në rregull, por përsëri pata ndjesinë sikur diçka mungonte. Besoj që përsosja e balancës së shijeve të përbërësve mund ta çojë këtë burger nga OK në shumë mirë.
Çmimi: 950 Lekë
Do rikthehesha? Po, do rikthehesha dhe do e rekomandoja si vend i specializuar për burger.
***
2. Vila Ferdinand
Vilën Ferdinand e zgjodha sepse kanë patur shpesh në menunë e tyre specialitete amerikane të sjella mjaft mirë. Por këtë herë u zhgënjeva disi nga burgeri në menu, i cili kishte disa probleme.
Burgeri: American Cheeseburger
Mishi: I pjekur në masën e duhur dhe i butë.
Buka: Simite e ëmbël (e gatshme).
Përbërësit e tjerë: Djathë, sallatë, domate, qepë.
Shoqërueset: Patatet French Fries ishin të skuqura mirë dhe ketchup i zakonshëm.
Tërësia: Në tërësi cheeseburgeri anonte nga shija e ëmbël për shkak të bukës dhe qepës e cila ishte prerë shumë trashë (ose duhet të ishte pjekur më shumë në skarë që të zbutej më tepër). Mungonte padyshim një “zing” – diçka që thyen shijen, diçka e thartë, e athët dhe/ose e tymosur.
Çmimi: 690 Lekë
Do rikthehesha? Jo nuk do rikthehesha. Nuk di çfarë ka ndodhur me këtë vend.
***
3. Last supper
Tek Last supper kam provuar disa herë Hamburger të ndryshëm dhe kam patur disa eksperienca të ndryshme. Disa të mira e disa më pak. Uroj që të mos kemi më ‘surpriza’ sepse me sa kam parë Last Supper po kthehet në një vend për burger, dhe duke marrë parsysh edhe stilin e lokalit them se i shkon për shtat, por me kusht që paqëndrueshmëria të mënjanohet plotësisht.
Burgeri: Në menu kishte shumë lloje, por në këtë #burgerhunt kam zgjedhur Oh Jesus
Mishi: Mishi ishte shumë i butë dhe i shijshëm. Në rastin tim ishte medium rare edhe pse do e kisha preferuar medium, sepse në përgjithësi qoftet kanë nevojë për pak më tepër pjekje.
Buka: Në fillim ishte një bukë e zakonshme dhe e zëvendësuan me një të re që me sa kuptoj e sjellin nga jashtë. Kjo bukë është më e lehtë, më e butë dhe të lejon që të arrish ta kafshosh këtë burger kaq të lartë, që më parë ishte e pamundur të konsumohej.
Përbërësit e tjerë: Bacon, domate, sallatë, avokado, vezë e skuqur, salcë, djathë, kastravecë turshi.
Shoqërueset: Patatet e prera në copa të mëdha (wedges) dhe ketchup janë ok për të shoqëruar burgerin, por kanë nevojë për më tepër marinim dhe për t’u skuqur më thellë në mënyrë që të jenë më kërce nga jashtë.
Tërësia: Vështirë të flasësh për tërësi shije tek një burger kaq i madh, të cilin pata pak vështirësi ta konsumoja. Përbërësit e shumtë nuk janë gjithmonë garanci për burger më të mirë, megjithatë për dikë që kërkon një burger gjigand ky është i bërë mjaft mirë.
Çmimi: 670 Lekë
Do rikthehesha? Po, do rikthehesha për burger por jo për këtë lloj.
***
4. Muma
Muma është një vend relativisht i ri i cili ka fituar popullaritet dhe ka gjithmonë shumë gjallëri. Më pëlqen edhe fakti që ka edhe një menu ushqimesh, me një prekje pak fusion, për të shoqëruar pijet. Prandaj vendosa të provoja burgerin sepse m’u duk se i shkon për shtat stilit dhe formatit.
Burgeri: King Burger
Mishi: Burger i dyfishtë. Qoftet e pjekura mesatare.
Buka: Sweet bun i gatshëm por pak i hupur.
Përbërësit e tjerë: Qepë, domate, djathë (dy shtresa bashkë me mishin), sallatë, salcë cocktail.
Shoqërueset: Patatet e shtëpisë duhet të ishin pak më tepër të skuqura dhe kërce, por ishin padyshim shumë më të shijshme se ato te ngrirat qe shijojnë si karton. Ketchup shtesë ishte i zakonshëm.
Tërësia: Edhe pse mishi ishte pjekur në masën e duhur, prerja në mes dhe ndarja e mishit në dy qofte më të holla bëjnë që t’i humbasë shpejt lëngjet dhe të rezultojë më i thatë. Së dyti, qepa e bardhë i jepte shije shumë të fortë dhe ndoshta do të ishte dashur të përdorej një qepë e kuqe ose të karamelizohej.
Çmimi: 650 Lekë
Do rikthehesha? Do rikthehesha për drink dhe për atmosferën por do zgjidhja diçka tjetër nga menuja.
***
5. Duff
Duff ka qënë i pari sports bar, dhe si i tillë nisi të ofronte edhe disa specialitete amerikane si cheesecake e burgers. Prandaj nuk mund të mungonte në këtë #bugerhunt.
Burgeri:Bacon Burger
Mishi: Mishi i pjekur në masën e duhur dhe mjaft i butë.
Buka: Simite e ëmbël e gatshme por i përshtatej madhësisë së burgerit.
Përbërësit e tjerë: Bacon (i skuqur fort), sallatë jeshile, kastravecë turshi, djathë, qepë, domate dhe majonezë.
Shoqërueset: Patate e ngrira dhe pak të thata. Salcat shoqëruese ishin mustarde dhe ketchup, të dyja të zakonshme.
Tërësia: I paraqitur shumë më thjeshtë se vendet e tjera dhe me shoqërueset e zakonshme, më duhet të pranoj që ky burger ishte plot shije! Bacon i skuqur fort i jepte shijen e kripur e cila balancohej mirë nga qepa dhe kastravecët turshi.
Çmimi: 450 Lekë
Do rikthehesha? Po, do rikthehesha për këtë burger. Po i ndryshuan edhe patatet e salcat akoma më mirë.
***
6. TSK – Tirana Street Kitchen @Dada
Për TSK-në kam folur edhe më parë këtu, kështu që nuk po e zgjas më tej, por sigurisht nuk mund të mungonte në këtë #burgerhunt.
Burgeri: Bacon Cheeseburger
Mishi: Mishi ishte i marinuar mirë por do e kisha preferuar vetëm pak më medium dhe më pak kripë.
Buka: Buka e zakonshme, por e ‘shpëtonte’ thekja.
Përbërësit e tjerë: Bacon i thekrisur, djathë, sallatë, radikio, domate, kastravecë turshi (të bërë vetë).
Shoqërueset: Patatet e veshura me kërce erëzash ishin shumë të shijshme. Të shoqëruara me mustardë.
Tërësia: Kombinimi i shijeve funksiononte plotësisht. E bënin burgerin me personalitet ku ndihej çdo shtresë që nga mishi, tek djathi i pjekur, turshitë etj. Për shkak se djathi është i skuqur dhe burgeri shumë i marinuar kishte pak më tepër kripë.
Çmimi: 390 Lekë
Do rikthehesha? Po.
***
7. Munegu
Munegun përveç rekomandimit nga disa miq, e gjeta nga postimet në instagram dhe ç’është e drejta në menu kishin shumë lloje burgerash.
Burgeri: Monaco
Mishi: Burgeri ishte i pjekur mirë por ishte pak i marinuar.
Buka: Buka simite e ëmbël e gatshme por e ëmbëlsonte pak më tepër se duhet.
Përbërësit e tjerë: Djathë, qepë e kuqe, domate, sallatë, kastravecë.
Shoqërueset: Patatet e skuqura të shtëpisë shoqëruar me dy zarfe ketchup dhe majonezë ishin të shijshme.
Tërësia: Në tërësi burgeri ishte disi i zbehtë, kryesisht për shkak të mungesës së përbërësve të thartë (kastravec turshi, mustarda) dhe duke gjykuar nga mpiksja e mishit, marinimi ishte bërë gjatë përzierjes së brumit jo në fund duke krijuar pore dhe duke e bërë të ngjeshur.
Çmimi: 650 Lekë
Do rikthehesha? Nuk jam fort e sigurtë.
***
Gjatë kohës që kam bërë postimet kam marrë shumë komente (kryesisht në instagram). Disa prej tyre ishin shumë të detajuara dhe të sakta. Disa prej tyre reflektonin plotësisht perceptimet apo konkluzionet e mia dhe disa prej tyre shkonin në drejtim të kundërt. Kjo pjesë më pëlqen shumë. Është mëse normale që të ketë shije të ndryshme dhe eksperienca të ndryshme. Ajo çka pëlqejmë në një vend është një tërësi elementesh jo pjesë të shkëputura, prandaj zgjodha të përdor pyetjen “A do të rikthehesha?” për gjetjen e vendeve më interesante për burgers. Nëse rikthehemi diku do të thotë që ai vend na përmbush idetë dhe kërkesat që kemi për ushqimin, shërbimin, ambjentin dhe buxhetin. Jo sepse është në modë.
Së fundi, gjatë këtij #burgerhunt në të gjitha vendet që kam ngrënë, djemtë që kanë qënë në shërbim, kanë qënë jashtëzakonisht të sjellshëm dhe më kanë ndihmuar me të gjitha kapriçot e mia (nuk jam klient i qetë – besoj kjo është e qartë në këtë pikë), prandaj dua t’i falënderoj. Jam e bindur që një pjesë e mirë e tyre (në mos të gjithë) nuk e kishin idenë se çfarë po bëja me gjithë ato shishe Coca Cola në tavolinë por përsëri u treguan të gatshëm të ndihmonin. 🙂
5 Comments
Artan
9 Shkurt, 2018 at 6:59 pmKam qelluar te provoj tek Last Supper te njejtin hamburger (Oh Jesus) dhe ishte vertet per te thene Oh Jesus ne nje kuptim negativ. Nuk do t’i hiqja asnje presje asaj qe ke shkruar por do te shtoja vetem dicka. Ate qe edhe niveli i kripes ishte thuajse joekzistent. Hamburger shume i veshtire si shije dhe si sasi. Une nuk do te rikthehesha.
P.S. Menyra e gatimit le shume per te deshiruar tek Last Supper edhe ne menute e tjera jo burgera. Sherbimi nga na tjeter shume i mire.
Amateurhomecook
11 Shkurt, 2018 at 4:28 pmDo doja te ishin perfshire te Burgerhunt edhe: spaghetti western, pllati11, the home, se fundmi dhe Cappriccio qe ofrojne per mendimin time burgera cilesor.
ingridxh
11 Shkurt, 2018 at 4:59 pmSiç e kam përmendur është e pamundur të përfshihen të gjitha vendet në një hark kohor të caktuar aq më tepër kur shumë lokale po e bëjnë burgerin pjesë të menusë. Për vendet që përmendni: pallati 11 është mbyllur edhe pse kam provuar shumë herë burger aty. The home ka shumë specialitete të tjera të shkëlqyera dhe i kam përmendur shpesh për to. Spaghetti western do shkoj ta provoj megjithëse është vend tex-mex dhe do pëlqeja të gjeja specialitete të tilla me tepër se burger.
Bel
13 Shkurt, 2018 at 2:22 pmUne pasi lexova artikullin u frymezova per te provuar burgerin Bacon Cheeseburger ( rastesia me coi te TSK – Dada) .
Hamburgeri linte shume per te deshiruar, mungese shije totale: Pa kripe, pa salca, pa turshi, dhe mbi te gjitha me nje fije te holle proshute crudo qe kishin tentuar ta piqnin dhe thjesht e hallakaste edhe me teper shijen. E vetmja gje e mire ishin patatet e skuqura, fatkeqsisht te shoqeruara me nje salce akull te ftohte.
Me vjen keq qe pjeses me te madhe te lokaleve ne Tirane i mungon qendrueshmeria: nuk merr dot dy here te njejten cilesi sherbimi.
ingridxh
13 Shkurt, 2018 at 2:59 pmOh Bel,
Me vjen vertet keq qe nuk keni patur nje eksperience te mire dhe mbi te gjitha per nje vend qe e kam pelqyer.
Qendrueshmeria dhe vijueshmeria jane vertet problem dhe une i druhem shume. Meqenese TSK me ndjek ne postime uroj qe nga ky dialog te marre shkas per te bere dicka.
Faleminderit 🙂