Recensione/ Të gjitha postimet

Brutal, por jo si 2020-a

Ndoshta udhëtimi në Vietnam në krye të këtij viti, më dërgoi në një tjetër orbitë referencash, por kurioziteti im për të provuar ushqime e vende të reja është nxitur fare pak këtë vit. Pa përmendur karantinën, oraret e kufizuara, buxhetet kolovitëse dhe distancën sociale.

Megjithatë, të paktën tani në fund, një restorant interesant iu shtua këtij kryeqyteti që ripërsërit veten në pafundësi.

Brutal by Flower është restoranti i hapur rishtazi në Tiranë. Në fakt, Hotel Flower në Durrës ka disa vite që nën kujdesin e shef Genti Malavecit, për të cilin kam folur edhe më parë, ka bërë një ndryshim thelbësor në kuzhinën e bregut, e cila deri më tani ka qënë tmerrësisht e mërzitshme.

Kroketa me sepie, beshamelë dhe aioli

Tek Brutal ka një vijueshmëri mendimi me menunë tek Flower, për sa i përket kombinimit të përbërësve, teknikave dhe përzierjeve etnike. Por nëse Flower ka një kollarisje që i shkon për shtat edhe ambjentit, tek Brutal ka një prekje më moderne dhe më spontane. Termi brutal, nuk është i kotë. Brutalizmi përveç se një rrymë e arkitekturës që gjendet edhe në Shqipëri me shumicë, ka edhe shumë kuptime simbolike e sociale që janë në koherencë me stilin kuzhinës.

Bark toni (otoro), me gjalpë të karamelizuar dhe qiqra

E bukura e kohës ku jetojmë është që edhe kuzhina ka ndryshuar. Kuzhina e sotme moderne është e lirë, e shumëllojshme dhe merr frymëzim ku t’i dojë qejfi. Sot shefat përziejnë, krijonë dhe hidhen nga një cep i botës në tjetrin, duke sjellë të panjohurat në forma të njohura.

Qafë qingji në sous vide

Pikërisht këtë frymë ndjej kur lexoj menunë tek Brutal, apo edhe tek Flower. Dalloj terma, teknika, përbërës që i njoh, i dua dhe që do doja t’i hasja më shpesh. Padyshim përbërësit mbeten një problem i pazgjidhur në këtë treg të vogël dhe të shtrenjtë në krunde, prandaj u jap pikë shtesë atyre që nuk bëjnë kompromise.

Tartar viçi me kimchi

Pa dashur të zgjatem, po e mbyll duke thënë që tartari i viçit me kimchi, barku i tonit me gjalpë të karamelizuar dhe qafa e qingjit në sous vide, më çuan dëm disa muaj vegjetarianizmi dhe mezi pres të kthehem prapë për ti shijuar sërish. Por menuja është e pasur dhe e ngjyrosur me shumë influenca ndaj mbetet në shijen e gjithëkujt për të gjetur të parapëlqyerën, natyrisht duke ruajtur pak vend në fund për ëmbëlsirën.

Dacquoise me krem

E nëse ky vit ishte brutal në shumë drejtime, Brutal by Flower ishte mbyllja që na duhej për të na kujtuar se idetë më të mira çelin pikërisht në kohët më të vështira.

You Might Also Like

No Comments

Leave a Reply