Ky nuk është një briosh!
Sepse në fakt është një croissant dhe midis tij dhe brioche ka një ndryshim të madh.
Brioche është tip buke e ëmbël shumë popullore në Francë që përdoret edhe për French toast apo Pain Perdu. Brumi i tij nuk ka asnjë ngjashmëri me teksturën e brumit të croissant, i cili është i punuar dhe i palosur disa herë. Gjatë pjekjes gjalpi në brumë nuk e lejon të dalë avullin duke krijuar kështu ato hojet e zbrazëta në brendësi.
Të dy, si croissant ashtu edhe brioche janë të përgatitur vetëm me gjalpë, prandaj edhe ndihet shumë aroma e gjalpit kur janë të bëra mirë. Një recetë shumë të mirë për brioche të cilën e kam provuar, mund ta gjeni tek linku më poshtë nga arkivat e Mandarina. Në fakt pain brioche është i realizueshëm edhe në shtëpi, kurse croissant-i ka nevojë për më tepër punë e disiplinë.
Një tjetër diskutim është edhe nëse croissant dhe cornetto janë e njejta gjë. Cornetto mendohet të jetë fjala italiane për croissant, por në fakt ka edhe këtu debate sepse cornetto është më e ëmbël dhe nuk bëhet detyrimisht me gjalpë. Megjithatë, besoj që nuk ka një vijë ndarëse shumë të fortë midis të dyjave. Në Itali do kërkosh cornetto kurse në Francë croissant.
Pain au chocolat është po ashtu një lloj croissant i cili gjatë palosjes ka copëza çokollate të shpërndara nëpër brumë – jo vetëm në qendër si mbushje.
Zakonisht croissants që shërbehen nëpër lokale janë ose të ngrirë ose vijnë nga punishte apo furra me porosi, por në të gjitha rastet, nuk kanë asnjë lidhje me gëzimin që të jep një croissant i vërtetë me gjalpë në mëngjes.
Për fat të keq ka shumë pak vende ku mund të shijosh një croissant (perveç se në Francë). Disa vende që kohë pas kohe i vizitoj këtu janë: The Home Social Club dhe lokali tek Kodra diellit që i bëjnë vetë. Tek Francezi dikur croissant dhe pain au chocolat kanë qënë të preferuarat e mia, por më duhet të pranoj që kam shumë kohë që nuk shkoj më, pas disa episodesh jo të këndshme. Dhe së fundi edhe tek Cioccolatitaliani Tirana, kam gjetur croissant (jo briosh) të bërë mirë, meqënëse “know-how” dhe parapërgatitja u vjen nga Italia.
Përveç ngatërresës në terminologji croissant duket se nuk janë një produkt shumë popullor apo i përhapur – edhe lokalet e mëdha shesin rreth 10-15 croissants në ditë. Prandaj ajo që pyes veten është: croissant-et nuk janë të përhapur sepse nuk ka një kulturë të tillë apo nuk ka një kulturë të tillë sepse croissant-et nuk janë të mirë?
Ju si mendoni?
No Comments