Informacion/ Risi mbi gastronominë/ Të gjitha postimet

Bon, bon, bonbonet e Lé Bon

E di, është nxehtë. Nuk është fare koha e çokollatave, por nuk mund të prisja deri në shtator për të folur për diçka që e pëlqej kaq shumë. Për më tepër sot qenka edhe dita ndërkombëtare e çokollatës 🙂 dhe po përfitoj nga rasti të tregoj se si zbulova bonbonet e bëra me dorë, me shumë durim dhe përkushtim.

Përpara 2 muajsh, shkova të provoj një pastiçeri që sapo ishte hapur tek zogu i zi, që quhej Lé Bon. Kur arrita ishte pranë orarit të mbylljes. Nuk kishte mbetur shumë për të zgjedhur dhe dy ëmbëlsirat që mora (një ekler dhe një tartë) nuk më pëlqyen. Nuk do të kisha patur ndonjë interes të veçantë për t’u rikthyer nëse dikush nuk do të më kishte sjellë në vëmendje bonbonet e bëra vetë.

***

Çokollata është një produkt shumë delikat. Dramat që mund të burojnë nga çokollata i mësova me pahir kur nisa të gatuaj vetë ëmbëlsira 🙂 Pas një seri disfatash ku mëson për shembull, që të shkrish çokollatë me mikrovalë është një ide e keqe, ose që po të bjerë një pikë uji gabimisht çokollata e shkrirë tkurret, ose se si çokollatat e zakonshme nuk bëjnë një lek kur përdoren për gatim e kështu me radhë, kupton edhe që duhet përdorur cilësia më e lartë e çokollatës për gatim, për të marrë një produkt të mirë.

Ka disa lloje çokollatash në treg që përdoren për gatim: janë çokollatat me përbërje të lartë të gjalpit të kakaos (mbi 32%) që quhen couverture dhe ato që kanë përqindje të ulët të gjalpit të kakaos dhe në vend të tij përdoret një yndyrë tjetër vegjetale (hello vaji i palmës përsëri) që gjendet me emrin surrogato (ose compound)Ky produkt është me cilësi dhe kosto të ulët, nuk mund të temperohet dhe është ajo çka shpesh përdorin pastiçeritë  në Tiranë.

Couverture përdoret për mbushje, veshje me çokollatë, forma dhe bonbone por ka nevojë për temperim. Temperimi është shkrirja, punimi dhe rikthimi i çokollatës në formë solide duke kontrolluar me saktësi temperaturën. Një çokollatë e temperuar ka stabilitet të lartë, është e shndritshme, me ngjyrë të qartë, kërcet në kafshim dhe shkrin në gojë pa lënë kokrriza apo kristale.

Pikërisht se çokollata është kaq delikate dhe punimi e temperimi kërkojnë shumë eksperiencë, nuk mendoja të gjeja në Tiranë një vend që krijonte bonbone.

Bonbone të ndryshme tek Le Bon

Pralinat e bëra vetë Lé Bon: Handmade pralines ishin një zbulim që më kënaqi. Që të kuptohemi, nuk prodhohet nga fillimi çokollata – se kjo është histori më vete – por me couverture Callebaut (që është marka lider në sektor) bëhet procesi i temperimit, përgatitja e formave dhe më pas mbushja. Mbushja është padyshim pjesa më interesante sepse është ajo që bën diferencën. Fantazia, krijimtaria dhe mjeshtria e pastiçierit janë ato që mund t’i bëjnë bonbonet sa fantastike aq edhe të mërzitshme. Dhe bonbonet që provova nuk ishin aspak të tilla!

Një nga aspektet që vlerësova ishte përdorimi i produkteve të vendit si shafrani i Dumresë për bonbonet me ganache çokollatë të bardhë, apo boronicat e rakia për disa të tjera. Truffle me aromë Whiskey që ishte kaq delikat sa shkrihej në gojë. M’u duk gjetje edhe risjellja e disa prej bonboneve të ‘famshme’ si Rocher, Raffaello apo Mozart me një interpretim vendas. Bonbonet e quajtura Brigadeiro, një specialitet Brazilian, meritojnë gjithashtu vëmendje.

Mozart i risjellë nga Le Bon me mbushje tipike me marzipan

Meqënëse bonbonet janë një ide e mirë për dhuratë, them se paketimi i përshtatshëm do t’i japë edhe më shumë vlerë këtij produkti me potencial të madh.

Së fundi për Le Bon: ndoshta është rasti që duke patur një produkt kaq të mirë sa bonbonet tashmë në vitrinë, t’i kushtohet edhe pak më tepër rëndësi edhe produkteve të tjera të pastiçerisë. Siç e kam thënë edhe më parë, kemi mjaftueshëm pastiçeri konservash dhe tani na duhen më shumë produkte të zgjedhura dhe cilësore.

Sqarim për termat: Kam zgjedhur të përdor fjalën bonbone sepse më duket identifikuese e produktit në shqip. Bonbon në gjuhën frënge përdoret për çokollatat e vogla, karamelet etj ndërsa Praline në Francë quhen disa ëmbëlsira të vogla me bajame ose fruta të thata të mbuluara në karamel.  Kurse Praline në anglisht janë çokollatat e vogla.

©Bonvivant Blog. Shkrim jo i sponsorizuar.

 

 

You Might Also Like

1 Comment

  • Reply
    hamesi
    22 Korrik, 2017 at 12:10 am

    nuk ishin gje. ato me cokollate te bardhe haheshin. nejse, per tregun skandaloz te embelsirave ato shtyhen.

  • Leave a Reply