Thuhet se ajo që ndodh në Berghain, qëndron në Berghain. Në fakt unë nuk mendoj që “çudirat” që ndodhin aty janë të papërshkrueshme, por ama atomosfera dhe magjia janë. Ndaj do mundohem të tregoj një histori, ashtu siç e përjetova unë.
Kur udhëtoj vetëm shpesh i anashkaloj lokalet apo klubet e natës, pak për arsye sigurie, pak sepse është vërtetë e trishtë të dalësh të pish e të kërcesh vetëm në klub. Shto këtu faktin që je nga një vend ku je mësuar të mos i flasësh askujt pa e njohur dhe aftësia e socializimit spontan është pothuaj se 0.
Këtë radhë meqënëse shoqëruesit e mi, Kevin dhe Claudia, nipi dhe mbesa, të dy gjeneratave të tjera, mezi prisnin të eksploronin skenën e klubeve të Berlinit, bëra edhe unë përgatitjet e mia në këtë drejtim. Kur lexova për vështirësinë për të hyrë në Bergain/Panorama Bar mendova që është një lëvizje marketingu nga ana a klubit. Në fakt ende mendoj se deri diku është. Por tani në retrospektivë e kuptoj që është një mekanizëm kyç që ruan ekskluzivitetin e klubit, përzgjedh klientelën dhe i bën ata që arrijnë të hyjnë të ndihen të “përzgjedhur”.
Por, le të kthehemi pas tek ajo natë.
Data 4 Mars ishte nata që shënonte rihapjet e klubeve në Berlin. Për të hyrë, përveç kodit QR të vlefshëm të vaksinës, kërkohej edhe një test i shpejtë 24 orësh. Testi bëhej në disa pika të ngritura kudo në qytet ku pasi bëje një regjistrim online, testi ishte falas.
Pasi u siguruam për funksionalitetin e këtij mekanizmi, një natë përpara Berghain bëmë një ‘nxemje’ tek një tjetër klub i njohur i Berlinit, Watergate. Një zhgënjim i vërtetë, pa asnjë element për tu mbajtur mend. Në këtë pikë pritshmëritë e mia për rrëfimet mitike të undergroundit të Berlinit u ulën paksa dhe nisa të mendoj që kam bërë pjesën time të festave në ishujt e duhur në kohën e duhur. Megjithatë nuk doja të lija pa e provuar Berghain. Fundja mospranimin e kishim në “xhep”.
Pasi lexuam çdo artikull e blog me këshilla si të hyje në Berghain, përgatitëm mjeshtërisht planin. Do visheshim me të zeza (siç rekomandohej fort kudo). Do mësynim orën 5-6 të mëngjesit (ose paraditen e së dielës) si momente me fluks më të ulët. Do dukeshim moskokëçarës. Dhe sigurisht, do rrinim sus në rradhë edhe nëse kjo do të zgjaste 2 orë. Në disa artikuj thuhej që nëse ishe në moshë pak më të madhe kishe më shumë shance të futeshe. Këtu u ndjeva e avantazhuar pa parapërgatitje :P.
Mbërritëm diku nga ora 5:50 dhe kishte rreth 10 veta në radhë të cilët kaluan relativisht shpejt. Dhe ja, aty ishte ai. Qënia gati mitologjike për të cilin kishim lexuar kaq shumë. Sveni. Bodigardi fotograf që vendos nëse meriton të hysh në Bergain/Panorama Bar apo jo. Na pa. E pamë. Jo me shikim sfidues, sigurisht. Heshtje. I tha diçka kolegut. Pastaj ia bëri me shenjë Kevinit të hiqte kapuçin. Heshtje prapë. I tha përsëri diçka kolegut. Këtë herë kolegu erdhi dhe na foli në Gjermanisht. Blogjet thoshin që nuk i kanë qejf turistët ndaj nëse flisje gjermanisht ishte me mirë. Unë Gjermanisht nuk flas asnjë fjalë, edhe pse kam bërë një nivel B1 përpara nja 15 vjetësh ku fjalët e vetme që mbaj mend, një zot e di përse, janë Luftmatratze dhe Träume. Natyrisht, mirë ishte të mos i thoja këto.
Ia ktheva në anglisht pa pikë turpi. I nxorra 6 QR kodet për të tre ne (të vaksinave dhe të testit të shpejtë) që të mos kishin kohë të rimendoheshin. Pas pak hymë në një dhomë ku tre persona na kontrolluan çantat me shumë imtësi, palltot/xhupat, në trup dhe na bllokuan me ngjitëse kamerat e celularëve. Më pas blemë biletat e hyrjes (22 Euro/pp) dhe hymë në atë hollin gjigand industrial që gëlonte nga trupat e zhveshur dhe era e lëkurës. Lamë palltot në garderobë (1.5 Euro/pp) dhe aty kuptuam që…ishim të mbi-veshur.
Arkitektura madhështore bënte që vendi të kishte hapësirë të bollshme dhe të mjaftueshme për të lëvizur lirisht. Në katin e parë ishte salla e Berghain me muzikë tekno të fortë. Me foni, drita dhe efekte që të hynin drejt e në shpirt. Ishim tmerrësisht shumë esëll. U drejtuam shpejt tek banaku për pije teksa ishim ende duke procesuar stilin BDSM të veshjeve ose mungesën e plotë të tyre.
Pasi u ambjentuam paksa, nisëm të eksploronim ambjentet gjigande që përfshinin, hapësira pushimi, banakë, tualete, dhe një kat më sipër Panorama Bar. Simotra më e gëzueshme e Berghain. Në një hapësirë më të mbledhur dhe paksa më të ndriçuar, Panorama kishte setin e vet të DJ-ve që luanin paralelisht një kat më sipër.
Kjo liri lëvizjeje dhe shprehje besoj është ajo për të cilën ky vend mban famën e një vendi madhështor. Nuk kalon shumë dhe mësohesh me pamjen, me muzikën, dritat, aromën dhe kupton që je tanimë në një kapsulë jashtë realitetit. Plotësisht i shkëputur nga bota e jashtme, sidomos ngaqë telefoni nuk është më objekt interesi. Askush nuk e ka mendjen tek telefoni. Njerëzit festojnë, kërcejnë, pushojnë, flasin, dhe mbajnë radhën për në banjo, ndërsa orët rrjedhin, DJ-jt ndryshohen dhe njerëzit qarkullojnë.
Kur ju pyeta se çfarë dëshironi të dini në veçanti mora disa pyetje interesante, deri diku edhe të pritshme për famën e klubit.
E para lidhej me përdorimin e substancave të paligjshme. Është e qartë që në klube underground teknoje me 1500 persona që bëjnë rave për 30 orë rresht ka përdorim të drograve, por absolutisht asgjë nuk ishte e dukshme. Më e dukshme dhe arrogante më është dukur në klubet e Ibiza-s apo Mykonos-it, që krahasur me Berghain tani më duken si Legally Blonde përpara The Dark Knight.
Pyetja e dytë po ashtu tabu, lidhej me seksin. Artikujt e huaj mbi Berghain, sidomos ato në fillimet e klubit lidheshin pikërsht me çudinë se seksi ishte sheshit në Berghain. Edhe në këtë pikë, personalisht m’u duk se gjithçka ishte dhe nuk ishte aty. Në katin e poshtëm kryesisht, por edhe në katet e tjera kishte disa “kuti të zeza” të drejtuara nga muri ku gjithçka mund të ndodhte por në privatësinë e atij që dëshiron të marrë pjesë. Edhe njëherë kujtova horroret që na kanë parë sytë në vende shumë më ‘puritane’.
Mendoj që Berghain arrinte të ofronte një eksperiencë për cilëndon shije. Prandaj ka atë famë që ka dhe ofron dozën e duhur të shprehjes individuale pa shkelur askënd. Dhe kur them pa shkelur askënd e kam jo vetëm në kuptim figurativ. Përgjatë të gjithë qëndrimit nuk pati një moment, përplasjeje, shtyrje, përballjeje, acarimi apo rrudhje vetullash. Edhe nëse një kontakt i vogël fizik ndodhte shoqërohej me një kërkesë faljeje dhe buzëqeshje. Me pak fjalë, më shumë përballje kam kur shkoj të blej bukë 20 metra larg shtëpisë.
Pyetja e fundit, aspak tabu por shumë me vend ishte “A ia vlen të shkosh në Berghain nëse nuk je një dëgjues i muzikës tekno?”. Më duhet të prandoj që muzika është pjesë thelbësore e eksperiencës atje. Madje thuhet që për DJ-t në ngritje një natë në Berghain është arritje e madhe që ka fuqi t’u ndryshojë karrierën. Po ashtu thuhet që ka raste kur Sveni pyet “Për kë ke ardhur sot?” për të parë pikërisht nëse ke ardhur për të shijuar muzikën dhe line up të Dj-ve.
Megjithatë nëse mësova një gjë nga kjo eksperiencë është pikërisht “kush jam unë të gjykoj shijet e të tjerëve”. Liria e shprehjes manifestohet në shumë forma, dhe Berghain është më shumë se klub, është institucion.
E vemtja gjë që do sugjeroja për këdo që dëshiron të festojë në Berghain/Panorama Bar, është të lërë të gjitha paragjykimet dhe të mirëpresë atë përvojë lirisht.
***
Ka kaluar një javë nga eksperienca në Berghain/Panorama Bar dhe kam lloj soj mendimesh. Si fillim vazhdoj fajësoj veten se si nuk i mblodha fuqitë e të kisha qëndruar edhe disa orë më shumë për të dëgjuar Ellen Allien, një nga legjendat e teknos Berlineze. Me siguri ata që ishin në radhë kur ne dolëm për të kishin ardhur.
Më pas mendoj se si arritëm të hynim aq natyrshëm, nëse qëlluam me fat apo thjesht nuk u dukëm aq shumë si turistë kuriozë. Pastaj kujtoj gjithë personelin, që nga Sveni dhe deri tek baristët brenda që ishin të gjithë në moshë pak më të madhe dhe të jepnin idenë që këtë gjë e bënin ngahera.
Kujtoj energjinë, kërcimet, entuziazmin e turmës kur Panorama Bar hapi për 30 sekonda grilat dhe pamë ditën teksa Z. Krabbenhöft kërcente tekno me kostumin e tij dhe kapelen ngjyrë bojëqielli duke na dhënë një leksion se si dashuria për muzikën dhe jetën nuk njeh kufi e moshë.
1 Comment
Një DJ në Tiranë - Bonvivant
22 Maj, 2022 at 2:01 pm[…] kam edhe udhëtuar larg për të parë koncerte apo për të vizituar vende legjendare (hello Berghain!) ndaj doja të shkruaja dy rreshta për koncertin e djeshëm të […]