Vendosa ta përfundoj këtë shkrim që e kisha nisur nga kohë, sepse dikush më kërkoi t’i rekomandoja disa vende në Beograd. Ndoshta Beogradi nuk është vendi ku planifikoni pushimet e radhës….por nëse ju bie rruga, mund t’ju duhen disa sugjerime.
Do e nis me zonën time të preferuar, që quhet Beton Hala. Një zonë ish industriale buzë lumit Sava, me bare e restorante të vogla dhe plot gjallëri. Restaurant Café-të që radhiten aty buzë shëtitores, shpalosin stile kuzhine e arkitekture nga më të ndryshmet.
Toro Latin gastrobar: Vendi që do të shkoja përsëri e përsëri dhe nuk do të më mërzitej kurrë. Me një përzierje shumë interesante mes kuzhinës aziatike, klasike dhe asaj meksikane, tek Toro pjatat janë të ekzekutuara dhe prezantuara me shumë kujdes duke nxjerrë në pah tipare të secilës kuzhinë. Këtu nisi edhe fiksimi im me tacos pasi provova mini tacos me ton tataki.

Mini Tacos me ton @Toro

Guacamole dhe levrek @Toro

Tartat viçi @Toro

Pulë në stil aziatik @Toro
Cafe Lavash: Me një influencë libaneze, mezet tek Lavash ishin të gjitha tejet të shijshme, të përgatitura si duhet dhe me teksturat e ngjyrat më të bukura. Ne porositëm disa prej mezeve të vogla nga lista e gjatë dhe e shumëllojshme si dhe piten më të shkrifët me mish qingji, që kam provuar ndonjëherë. Kësaj të fundit, nuk arrita t’i bëja as fotografi.

Hummus @Cafe Lavash

Tabbouleh @Cafe Lavash

Falafel @Cafe Lavash
Comunale: Një restorant i mirë italian. Me pjata klasike dhe disa pak më të modernizuara, por gjithmonë me përbërës cilësorë që i bëjnë pjatat të spikasin, si këto spaghetti “të thjeshtë” me peston e shtëpisë. Këtu provova edhe një fileto Black Angus të pjekur në perfeksion.

Spaghetti al pesto @Comunale

Black Angus @Comunale
Ambar: Në Ambar isha për një darkë pune ku menuja ishte zgjedhur paraprakisht, ndaj nuk munda të shoh me detaje se çfarë ofrohej, por tema e restorantit ishte kuzhina tradicionale (aka mish dhe qofte) të sjella në një formë të re. Në fakt më pëlqeu shumë çdo trajtim i pjatave tek Ambar. Duke filluar që nga kajmakët e ndryshëm në fillim të darkës, duke vijuar më pas me fileton e pulës me erëza dhe elb që ishte tejet e butë dhe e shijshme dhe në fund me një qofte qinjgji me rrepa, filiza soje dhe ananas që e lehtësonin dhe freskonin shijen e theksuar të mishit. E shkëlqyer dhe e gjetur.

Antipastë me kajmakë të aromatizuar @Ambar

Fileto pule me erëza dhe elb @Ambar

Qofte e shoqëruar me sallatë aziatike @Ambar
Në qytet:
Smokvica: Tipi i lokalit që pëlqej shumë: jo shumë i madh, art deco, plot me objekte, lule, gëzim dhe personalitet. Smokvica është vendi ideal për mëngjes, brunch, për kafe paradite në oborrin e bukur, për një ëmbëlsirë, për një drekë apo darkë ose për një burger, për shembull 🙂

Burger @Smokvica
Manufaktura është restoranti i parë që kam provuar. Kuzhinë tradicionale e shërbyer në një mënyrë simpatike. Nuk është stili i restorantit që pëlqej zakonisht por për disa pjata të thjeshta me përbërës karakteristikë, është alternativë shumë e mirë në qendër të qytetit.

Meze @Manufaktura

Qofte me mish gici @Manufaktura
Lorenzo & Kakalamba është një eksperiencë më tepër se sa thjesht një restorant. Historia thotë që i zoti i lokalit ka qenë më parë i përfshirë në biznesin kinematografik, dhe ka marrë shkas nga kjo për dekorin e pazakontë dhe ekstravagant. Kurse kuzhina është ndikuar nga vendi i origjinës së tij, Pirot, dhe kuzhina italiane, pas të cilës thonë që është i dashuruar. Të them të drejtën, mbaj mend pak nga gatimet atë darkë sepse ambjenti është kaq hipnotizues dhe i ngarkuar me objekte të veçanta sa merr plotësisht vemendjen.

Një detaj nga dekori i restorantit
Crna Ovca: Vendi ku hyj sa herë kaloj aty përpara, pavarësisht sa kam ngrënë apo sa e velur jam. Madje mbaj mend specifikisht një rast kur isha tejet e ngopur dhe temperatura rreth 200 jashtë, zgjodha sorbeton me lime dhe borzilok, freskues, i lehtë dhe shumë i shijshëm. E veçanta e Crna Ovca (Delja e zezë) është që shijet ndryshojnë pothuaj çdo ditë dhe ka gjithmonë shije që nuk të ka shkuar në mendje të provosh më parë, si psh akullorja me gorgonxola.

Akullore me gjalpë e boronicë dhe maskarpone, fëstëk, mjedër

Matcha luleshtrydhe e tharë dhe sorbeto lime borzilok
Maison Boho ka pak kohë që është hapur në qendër të qyetit. Me një design minimalist por edhe pak art deco është ambjenti ideal për një gotë verë apo shampanjë – meqënëse edhe vetë lokali e sugjeron. Menuja nuk është shumë e gjatë dhe nuk ofron shumë zgjedhje, por pjatat sjellin një kombinim të mirë të kuzhinës italiane me një prekje moderne.

Sallata Boho

Spaghetti të zeza me bottarga dhe lime @Maison Boho
Homa Restoran është një restorant ‘gourmet’ me pjata të sofistikuara dhe të prezantuara në mënyrë të shkëlqyer. Restoranti është jo shumë i madh, disi minimalist dhe me një oborr të bukur, ideal për drekat e darkat jashtë. Tek Homa provova menunë e degustimit sepse isha shumë kurioze për të parë krijimet e restorantit dhe teknikat e përdorura, dhe në fakt në këtë aspekt eksperienca ishte shumë interesante. Kombinime elegante shijesh në pjatat vegjetariane dhe ato të peshkut, e më pas shije të theksuara tek pjatat e tokës, dhe në fund ëmbëlsira “legjendare’ siç e quajnë tek Homa, Saksija, që është në fakt një saksi ose vazo lulesh e mbushur me çokollatë.

Antipastë vegjetariane me domate në tre mënyra @Homa

Levrek me lëng @Homa

Gjuhë viçi @Homa

Fileto viçi në dy mënyra @Homa

Saksija me çokollatë @Homa
Dudurudu: Është një restorant i vogël që herë pas here ka muzikë live. Kur them muzikë live mos përfytyroni restorantet e zhurmshme shqiptare të tipit tradicional, por diçka shumë elegante me një këngëtare që këndon këngë të njohura pop, blues apo rock të përshtatura për vendin. Zgjedhja e verave është shumë e mirë dhe menuja e ushqimit i shkon për shtat stilit në tërësi.

Mousse de Fois Gras

Muzikë live @Dudurudu
Dinamika e qytetit, llojshmëria e bareve, restoranteve e kuzhinave dhe….verërat vendase për t’u zbuluar, janë ato që kam shijuar më tepër në Beograd:). Ndoshta këto vende nuk do i kisha gjetur pa sugjerimet e mikeshës sime që jeton atje, që si një ‘bonvivante’ e vërtetë, më shoqëroi në çdo cep të qytetit në kërkim të vendeve më interesante :).
No Comments