Informacion/ Të gjitha postimet

Baba au Rum

Këtë kohë, kam gjetur fare pak motivim për të shkruar. Kam hasur shumë pak risi, pak dëshirë për të bërë ndryshim dhe akoma më pak dëshirë për përmirësim. Të gjitha këto nën pretekstin se klientela është injorante dhe e painformuar.

Por për fat, medalja ka gjithmonë dy anë. Ka edhe biznese dhe njerëz që duan të dëgjojnë, të ndajnë dhe nuk ngurrojnë të propozojnë një darkë ndryshe për klientelën e tyre. Për këto raste, po, kam dëshirë të flas.

Kohë më parë, në këtë shkrimin këtu me një titull plotësisht retorik, ceka fare pak diskutimin mbi gjeneratën e re të koktejleve dhe koktejl bareve. Tanimë mënyra se si koktejlet konceptohen, përgatiten dhe shërbehen, i afron ato më tepër me botën e restoracionit se sa me festat e plazhit. Prandaj përkrah klasifikimeve zyrtare të restoranteve më të mirë në botë, ka edhe klasifikime për baret. The world’s 50 Best Bars zgjedh çdo vit 50 baret më të mira nga e gjithë bota, dhe mes bareve nga Londra, New York, Singapore, Shanghai e Tokyo, në vendin e 22-të është Baba au Rum nga Athina. Nuk besoj se ka vend që të shpjegoj se çfarë do të thotë për një lokal të jetë në një listë të tillë në kohën kur e gjithë bota gëlon nga koktejl baret e sofistikuara, prandaj po ndaloj tek pjesa se si provova koktejlet e Baba au Rum pëpara disa ditësh këtu në Tiranë, gjatë vizitës së tyre speciale tek Nouvelle Vague.

Nikos Gartzolakis (Baba au Rum) @Nouvelle Vague.
Foto Credit Ervin Kotori

Kur mbërrita tek Nouvelle, ekipi i Baba au Rum i përbërë nga Thanos Prunarus dhe Nikos Gartzolakis, ishte vendosur në banak, Sofo dukej tejet i emocionuar dhe kamarieri që të thotë më shumë ‘zemër’ se i dashuri yt, na dha menunë speciale të eventit me katër pijet e zgjedhura. Unë porosita Baba au Rum cocktail dhe Les fleurs du mal. Dy koktejle elegantë, tejet të balancuar dhe plotësisht në shijet e mia. Ende nuk arrij dot të heq nga mendja se sa shumë shkonte mangoja e tharë me livandon. E pabesueshme!

Les fleur du mal

Me sa kuptova më pas, gjatë bisedës shumë interesante që bëra me Thanos, krijuesin e Baba au Rum, qëllimi i tyre ishte që koktejlet të mos ishin të kategorizuar rëndom sipas pijes bazë, por të përbëheshin nga shtresa aq të holla shijesh ku tërësia të mos ishte një koktejl i ëmbël, i thartë, apo i hidhur, por një pije më komplekse me shije të balancuar.

Në fakt, koktejli i dytë që provova dhe që pëlqeva shumë, Les fleurs du mal më bëri pikërisht përshtypje për shijen asnjëanëse. Nga një anë notat e fshehura të pishës i jepnin një shije toke, që më pas neutralizohej nga freskia e tonikut, selinos dhe lehtësisht limonit dhe nga ana tjetër pija merrte një dimension tjetër nga mango e tharë dhe fije livandoje.

Sa herë më qëllon që të bëj ndonjë bisedë me profesionistë si Thanos dhe kuptoj mundin, përkushtimin, pasionin dhe njohuritë që kanë rreth këtij biznesi, më përforcohet bindja që kemi shumë rrugë për të bërë ende.

Besoj që evente të tilla janë interesante kryesisht për faktin që përballin njëkohësisht bizneset dhe klientët me një standard krejt ndryshe. Një standard sa të vështirë aq edhe të realizueshëm. E meqënëse jemi këtu po e mbyll me një fjali të Thanos, që reflekton saktësisht edhe mendimin tim për çështjen e klientëve të pamësuar.

Thanos Prunarus (Baba au Rum) @Nouvelle Vague
Foto credit: Ervin Kotori

Klientët nuk kanë përse të dijnë çfarë duan saktësisht, jemi ne që duhet të punojmë dhe ofrojmë mundësi sepse ne jemi profesionistët që kemi zgjedhur të bëjmë këtë biznes.

Thanos Prunarus, Baba au Rum (Athens)
Gjate pergatitjes se “The Buccaneer’s Revenge”
Foto credit: Ervin Kotori

Ekipi i Baba au Rum, ishte i ftuar i Nouvelle Vague në 14 Shkurt 2019 dhe sollën 4 prej koktejleve të tyre signature, ku gjithçka ishte e pregatitur nga e para. Ata marrin pjesë vazhdimisht në konkurrime botërore apo bëjnë bashkëpunime të herë pas herëshme me lokale të tjera nëpër botë. Thanos udhëton shumë, dhe momentalisht është shumë i apasionuar pas Azisë dhe shijeve aziatike nga ku merr edhe frymëzim për koktejlet e reja.

You Might Also Like

3 Comments

  • Reply
    Bake My Day Happy
    20 Shkurt, 2019 at 12:32 am

    Welcome back ?

  • Reply
    ingridxh
    20 Shkurt, 2019 at 12:34 am

    Thank you darling 🙂

  • Reply
    Ina
    20 Shkurt, 2019 at 1:37 pm

    Sa qejf te lexosh shkrimet e tua, qe vijne ne trajte kritike dhe plot njohuri mbi te jetuarit mire! Gjynah qe i paskemi humbur keta djemte e koktejeve, i dashuri im do ishte fiksuar fare! 😀

  • Leave a Reply