Kjo e dielë qëlloi 8 Mars dhe e frymëzuar nga ky libër, që e kisha nisur dhe nuk e kisha mbaruar, po mendoja të shkruaja diçka lidhur me simbolikën e kësaj dite. Në fakt ky shkrim i posuar dy javë më parë do lidhej më mirë me temën. Madje uroj të shërbejë si nxitje që të tjera gra të mendojnë që janë qënie të plota dhe mund të bëjnë absolutisht çdo gjë vetëm. Por meqënëse këtë shkrim e kam publikuar njëherë por tregoj një tjetër histori.
Do tregoj me pak fjali se sa dhunë, inat e mllef mund të kalojë një grua me një hobi si i imi, që vendos të shprehë mendimin e saj mbi ushqimin në mënyrë të pakushtëzuar.
Më duhet të pranoj që disa këto fjali në momente të caktuara më kanë bezdisur apo nxehur, por tani që i shoh në retrospektivë, përveç se më bëjnë të qesh me të madhe i kam klasifikuar edhe në disa kategori:
Ata që të mbajnë pishtarin që në djep: “Kot bën ajo sikur merr vesh nga kjo punë se groshë ka ngrënë”. “Ehuu kur ne hanim këtë ajo hante byrek 20 Leksh”. “Ku merr vesh kjo nga restorantet me yje, kur s’ka harxhuar kurrë 400 Euro për një darkë”.
Ata që “të njohin mirë fare”: “Është inatçore se do tavolina VIP”. “Ka një axhendë të fshehur se ku doli ajo të flasë për ushqimin”. “E dimë ne çfarë ka bërë ajo”. “S’ka as diplomë për kuzhinier”.
Ata që nuk e dijnë a të kanë inat apo jo: “Je shumë e drejtpërdrejtë, si nuk ke frikë xhanëm?” “Je gjobëvënëse sepse ç’interes tjetër mund të kesh?
Ata që shqetësohen për pamjen tënde…ose për seksualitetin tënd: “Këto flokët e shkurtra si lesbike.”
Ata që nuk duan të besojnë se nuk ke një sistem mbështetjeje: “Kushedi kush t’i paguan udhëtimet”. “Me çfarë mbahesh gjallë?”
….Dhe e fundit por absolutisht më e preferuara e të gjitha kohëve: Do një dru kokës dhe ta bëj llapën sushi.
Por rrugëtimi im nuk u ndal, madje vijon dhe zgjerohet çdo ditë sepse nuk mund të lejoj askënd të më thotë se çfarë di apo nuk di dhe se çfarë duhet të bëj me jetën dhe me burimet e mia.
Madje tani, pikërisht 3 vjet pasi nisa këtë blog, dua të falenderoj të gjithë ato burra meskinë e gra të lënduara me profile false, që me përçmimin, urrejtjen dhe ofendimet, më nxisin të bëj më shumë. Që ma ndezin fort zjarrin që kam për të thënë të vërtetën, për të mësuar, për të lexuar, për të udhëtuar, për të shkruar, për të ndarë, për të pasuruar shpirtin dhe hapur mendjen çdo ditë e më shumë.
Nuk mendoj që ka rrugë tjetër për zhvillim dhe emancipim përveç dijes, dhe për këtë na mjafton vetëm vetja.
No Comments