Këtë shkrim e kam përgatitur me një frymë në një nga ditët e fundit të udhëtimit më të bukur që kam bërë ndonjëherë.
Po e risjell pa e redaktuar për hir të ndjesisë së atij momenti.
***
Kam përshtypjen që kur udhëton vetëm, je më tepër i ekspozuar dhe i vëmendshëm ndaj ambjentit që të rrethon. Përshtatesh, mësohesh, pranon dhe të duket sikur ke një jetë që jeton aty.
Kam gjetur këtu shumë zakone që më janë dukur kaq të natyrshme dhe i kam përqafuar me shumë çiltërsi, si dhe kam rigjetur disa që nuk e di përse i kisha humbur.
Nuk dua të tingëlloj si ato librat që ofrojnë çelësin e të jetuarit më mirë, se me siguri shumë prej këtyre që do them do jenë diku të permbledhura në ndonjë syresh. Dua t’i radhis për t’i bërë një kujtesë vetes (dhe ju) që disa gjëra, në dukje të vogla, kanë rëndësi të madhe.
- Të ha mëngjes: Mëngjesi ështe vakti që më pëlqen më shumë, por pavarësisht kësaj, shpesh nxitoj dhe mjaftohem vetëm me kafe. Këtu mëngjesi është një vakt me rëndësi që sherbehet kaq bukur sa nuk do të doje ta humbisje në asnjë rast.
- Të ha më shumë fruta dhe më pak mish. Frutat këtu janë një ëndërr, prandaj edhe unë që mezi e shtyj veten të ha fruta kur jam në shtëpi, këtu jam gjithë kohës me ndonjë frut në dorë. Ndërkohë, pa e quajtuar veten vegane apo vegjetariane, më duket shumë e lehtë të zevendësoj disa produkte shtazore me vegjetale. Qumështit, gjalpit apo nënprodukteve të tjera nuk ia kam ndjerë fort mungesën deri më tani, sepse ka plot alternativa dhe shije të tjera për të zbuluar. Të konsumosh më pak mish më duket një ide reale dhe shumë e prekshme, me një impakt të rëndësishëm.
- Të bëj Joga çdo ditë: Kam bërë joga edhe më parë por kisha kohë që isha shkëputur. Sapo mbërrita në Ubud vendosa të ndjek çdo ditë klasa joge. Si njeri hiperaktiv që jam zakonisht, kuptova që joga është një mënyrë shumë e mirë për të ngadalësuar dhe shplodhur trupin dhe mendjen.
- Të mbaj një shishe uji me vete. Në Tiranë përpiqem të mbaj një me qëllim që të kujtohem të pi ujë gjatë ditës, por nuk funksionon gjithmonë. Këtu, pak për shkak të nxehtësisë, dhe pak për faktin se uji natyral është falas në shumicën e lokaleve dhe në çdo ambjent shërbimi ka depozita uji ku mund të rimbushësh shishen tënde, e mbaj një të tillë kudo me vete. E meqë jemi këtu…
- Të ul përdorimin e plastikës: Nuk është shaka. Nuk e imagjinoni dot se çfarë kërcënimi është plastika në vende të tilla. Nuk është problem i botës së parë, të mos përdoresh pipza, pjata e budallalleqe të tjera plastike që ndoshta as nuk na duhen. Mjaftojnë disa gjeste të vogla për të nisur një ndryshim.
- Të eci zbathur: Një tjetër zakon që e kisha harruar por që këtu është një ‘detyrim’. Përveç se thonë që i bën mirë trupit sepse shputat kanë shumë receptorë, kam kuptuar që të jep edhe një lloj afërsie me vendin, dhe lirie njëkohësisht.
- Të qesh. Po kisha harruar të qesh, por jo ne një rast apo dy. Të jem e qeshur gjithë kohës. Të përshëndes dhe të falenderoj të tjerë njerëz që të qeshin dhe falenderojnë dhe nuk mundohen të të dhunojnë hapesirën tënde as kur nuk je mjaftueshëm agresive.
Besoj që kjo e fundit do të jetë më e vështira për t’u mbajtur kur të kthehem. Ndonjëherë është e vështirë të ruash atë pak energji pozitive të mbledhur mes bukurive të udhëtimeve, në një vend që ta konsumon vazhdimisht atë. Prandaj, këto 7 gjeste të thjeshta dua t’i kem të miat gjithmonë, pavarësisht se ku jam.
Uluwatu, 19 Tetor 2018
No Comments