Japonia ka qënë gjithmonë numri një në listën e vendeve që doja të vizitoja, por njëkohësisht më jepte idenë e diçkaje të largët, të parritshme dhe të pa depërtueshme. Mendoja që shoku kultoror do të ishte aq i thellë sa nuk do të më lejonte të kuptoja asgjë dhe rrjedhimisht të bija në një zhgënjim të cilin nuk doja ta përjetoja. Natyrisht e kisha gabim.
Meqënëse ka shumë për të treguar për Japoninë, dhe e di që ka kuriozitet, do tregoj aspekte të ndryshme të ndara në disa postime. Në këtë postim të parë do të ndalem tek zonat, ose qytetet brenda Tokyos, të quajtura special wards për të kuptuar disi më mirë fizionominë e metropolisit në rast se planifikoni ta vizitoni.
KUR? Periudha më e mirë për të vizituar Japoninë mbetet fundi i marsit, periudha kur lulëzojnë pemët e qershive, të njohura si Hanami. Megjithatë edhe fillimi qershorit, koha kur isha unë ishte mirë sepse ende nuk ishte shumë nxehtë dhe nuk kishin nisur shirat.
Në Tokyo ka disa qendra kryesore të cilat funksionojnë si mikro qytete që gëzojnë autonomi të plotë. Mes tyre lidhen me rrjetin më kompleks dhe efikas hekurudhor që kam parë ndonjëherë. Shumë prej këtyre mini qyteteve i kemi dëgjuar apo parë edhe nëpër filma, dhe në të shumtën e rasteve janë tamam ashtu siç i kemi pritur, plot me drita, lëvizje, njerëz dhe grataçiela. Nëse do të vizitoni Tokyon me siguri do të shkoni në secilën prej tyre sepse janë edhe epiqendrat e pikave turistike për t’u vizituar.
Shibuya. Unë zgjodha Shibuya për qëndrimin tim dhe do e zgjidhja përsëri. Shibuya është zona e biznesit dhe shopingut më e madhe dhe më e njohur. Stacioni i trenit është pikë reference ku madje një prej daljeve ka marrë emrin e qenit të famshëm Hachiko, nga ku është bazuar edhe filmi. Po aty, është edhe kryqëzimi madhështor ku kalojnë qindra këmbësorë njëherësh.
Një prej pikave të referencës në Shibuya është Harajuku, që konsiderohet si epiqendra e kulturës Pop. Harajuku përmbledh esencën e street style të Tokyos, së bashku me pika interesante të arkitekturës moderne. Po aty, ndodhet edhe “Cat Street”, një rrugicë e vogël plot me kafene të veçanta ku dyqanet, qoftë ato të markave ndërkombëtare, shprehnin krijimtaritë e tyre në mënyra kaq moderne dhe me shije, sa do të doja të qëndroja aty vetëm për të parë si i zbukurojnë vitrinat gjatë stinëve të vitit e festave.
Për kontrast të gjithë dinamikës së zonave të tjera, janë Yoyogi park dhe Meiji Shrine, të rrethuara nga shumë paqe dhe qetësi.
Shinjuku. Një tjetër zonë një tjetër dashuri. E kam të pamundur ta shpjegoj në mënyrë objektive se si disa zona që ngjajnë shumë në fizionomi, të tejçojnë një ndjesi krejt tjetër. Shinjuku është i ngjashëm me Shibuya-n dhe zona të tjera nga dyqanet, tabelat ndricuese, gjallëria etj, por e gjithë klima sikur anon paksa më tepër nga tradicionalja sesa nga moderniteti. Madje rrugicat e vogla si Memory Lane e Golden Gai, me lokale aq të vogla sa mund të qëndrojnë vetë pak klientë brenda, janë si një udhëtim i shkurtër në kohë.
Shinjuku ndër të tjera, ka marrë nam (ndoshta nga turistët) edhe për zonën e kuqe, por nuk kam për ta kuptuar ndonjëherë këtë maninë për të identifikuar një qytet të tërë nga prania e një tipologjie të caktuar biznesi apo atraksioni. Fundja fundit në Shinjuku mund të shohësh edhe Gozillën live dhe të vishes si Samurai. Po asnjë nuk thotë “ah po atje nuk shkohet me të dashurën se është Godzilla” 😛
Qyteti i tretë që nuk duhet humbur është Chūō. Në Chuo janë dy lagje që patjetër duhen vizituar: Ginza dhe Tsukiji.
Ginza është epiqendra e modës dhe dyqaneve të luksit. Duke shëtitur në Ginza lashë mendt duke parë madhështinë arktitekturore dhe instalacionet e gjetura në vitrinat e dyqaneve të markave globale. Një nga dyqanet që më bëri përshtypje ishte edhe një butik special i Shiseido, por jo me produkte lëkure, por me ëmbëlsira. Po a më rrihej mua pa provuar diçka aty?
E fundit dhe jo më pak e rëndësishmja. Tsukiji. Ose Meka e markatave të peshkut në botë, por që për shkak të turizmit të tepruar, ka mbetur më shumë si atraksion turistik sepse tregtarët e peshkut për restorantet janë zhvendosur diku tjetër. Megjithatë ishte një eksperiencë e jashtë zakonshme të zbuloje lloj lloj stendash, produktesh, ushqimesh e specialitetesh. Në Tsukiji, duhet të shkosh që pa gdhirë dhe të hash sushi ose sashimi siç bënin dikur peshkatarët. Edhe unë ashtu bëra. Gjeta një cep të vogël të populluar nga vendas dhe hëngra sashimin më të pasur dhe të mirë që kam ngrënë. E gjitha kjo në 7 të mëngjesit. Më pas isha gati të luftoja valët.
Këto janë tre qytetet e mia të preferuara nga 23 të tilla të Tokyo Metropolis. Unë qëndrova 7 ditë me një skedul rigoroz, dhe përsëri m’u duk pak kohë. Ndaj do rekomandoja një qëndrim prej të paktën 7 ditësh për këdo që dëshiron të shijojë dhe të rrokë thelbin e qytetit, ose qyteteve të Tokyos.
No Comments