Padyshim që ky ishte një vit shumë frymëzues për blogun, prandaj si dita e fundit e 2017 mendova të bëj një përmbledhje të momenteve më ‘kulmore’ për Bonvivant.
Së pari dua që të shpreh mirënjohjen për ata që më kanë ndjekur dhe mbështetur sidomos në muajt e parë fare, kur blogu ende ishte më shumë në kokën time sesa realitet. Ju më treguat që ky ishte momenti i duhur për ta shtyrë përpara atë që kisha nisur që në 2012 me Sweet & Sour Albania, sepse eksperiencat tona nëpër lokale vazhdojnë edhe sot të jenë herë ‘sweet’ por më së shumti ‘sour’.
Kuptohet, të hidhura kanë qënë përplasjet e para me pronarët/menaxherët e lokaleve që janë ndjerë të sulmuar nga shkrimet e mia, sepse për shumë kohë janë ‘përkëdhelur’ nga një opinion publik i ndërtuar në interesa e check-ins dhe i ushqyer nga mungesa e njohjes apo informacionit. Jo më kot shkrimi më i lexuar të të gjithë kohërave në blog ka qënë ai për Cioccolatitaliani.
I dyti është ai për Dhërmiun, i cili u kopjuar pa leje nga tre portale të mëdha të cilat e nxorrën jashtë kontekstit shkrimin tim, por uroj t’u jenë shtuar klikimet e shumë-lakuara, mes lajmeve interesante mbi veshjet dhe zhveshjet e personazheve publike.
Kam folur këtë vit për pijet në shkrimet për Gin & Tonic dhe për Koktejlet, ku me sa duket shkela shumë kallo dhe mora shumë mesazhe që nga ato që duan të ‘zbulojnë’ kush jam, e deri tek ato që aludojnë se shkrimet e mia nuk i lexon kush – a thua se këto janë më të rëndësishme se puna që duhet të ishin duke bërë.
Po ashtu një hapësirë të madhe në këtë blog e kanë zënë recensat e mirëfillta për vende specifike si: Umami, Delano, Eatalians, A la santè, Teduktu etj. Vende të cilat padyshim që kanë nevojë për përmirësime – u pëlqen ose jo.
Gjatë verës zbuluam disa vende ku mund të hamë akullore, apo të mos quajmë briosh një Croissant.
Pastaj ishte koha kur u fiksova me Tacos dhe së fundi me burgers, por shkrimi për këto do të vijë si përmbledhje e të gjitha eksperiencave.
Me pak fjalë, ky vit ka qënë plot me tema të bukura dhe shpesh të shumë diskutuara. Në 2018 do të vazhdoj t’i qëndroj besnike parimeve të mia, shijeve dhe njohurive në këtë fushë, dhe njëkohësisht do vijoj të ofroj informacion, alternativa dhe dialog për ata që më ndjekin.
Për fatin e keq të atyre që duan të fshihen dhe jo të përmirësojnë punën e tyre, edhe në 2018 do përpiqem të ç’rrënjos mendësinë dhe paragjykimin “Hajt se këtë duan njerëzit”. Ky blog dhe ky vit ishte prova se ka një komunitet në rritje që është i ndjeshëm, që ka informacion dhe që meriton të trajtohet si klient dhe jo si kope pa identitet. #nejemiklientet
Gëzuar!
No Comments