Meqë nuk flas dot për restorante dhe lokale dhe aq më pak për udhëtime në Azi (ups), vendosa të përdor profesionin (atë të vërtetin), të ndaj disa ide filmash që mund t’ju përmirësojnë pak humorin.
Një pjesë të tyre (ose edhe të gjithë) mund t’i keni parë, por përveç faktit që secili prej tyre mund të shikohet më tepër se një herë, një pjesë gjenden në Netflix dhe Amazon Prime Video.
Fantastic Mr. Fox (2009 – e gjeni në Amazon Prime): Vdes fare për Z. Dhelpër dhe shpurën e tij! Personazhet e ndërtuara nga Wes Anderson bazuar në librin e Roald Dahl janë, pikërisht, fantastike. Nëse keni parë dhe pëlqyer The Grand Budapest Hotel ju siguroj që Fantastic Mr. Fox edhe pse më pak i njohur, garanton të njejtën ndjesi magjike ngjyrash, fotografie, mesazhesh dhe personazhesh që e bëjnë Wes Anderson të pazevendësueshëm.
Dolemite is my name (2019 – e gjeni në Netflix) – Nuk e dija që më kishte marrë malli për Eddie Murphy derisa pashë këtë film. Ende pak e vështirë të heqim nga mendja dublimet italiane të filmave në vitet 90′ ku e qeshura e tij ishte sa specifike aq edhe shqetësuese. Megjithatë, Dolemite është një film shumë argëtues, që teksa e shihja uroja të mos mbaronte. Prisja që të merrte pak më tepër vëmendje, por si duket qëlloi në vit të ngarkuar, ndaj mos e lini pa e parë.
Always be my maybe (2019 – e gjeni në Netflix): Një rom-com tipike por me aktorë të pa konsumuar. U bë disa kohë që ndjek Ali Wong* dhe më pëlqen stili i saj i drejtpërdrejtë, ndaj edhe ky film m’u duk shumë argëtues. Gjithashtu, nëse po përjetoni një crush të dytë për Keanu Reeves, pjesa me të është shumë gazmore ?.
*nëse ju pëlqejnë stand up comedies i gjeni gjithashtu në Netflix
Coco (2017) – Nëse do më duhet të zgjidhja një film të Disney Pixar, momentalisht do zgjidhja COCO. Me shumë gjasa e keni parë, por nëse jo, meriton një mundësi menjëherë. Spoiler (i domosdoshëm): Lani duart dhe merrni një pako me shami letre se do duhet të prekni sytë.
The greatest showman (2017) – Padyshim i nënvlerësuar. Emocionues, frymëzues dhe argëtues. Do fiksoheni me këngën “This is me” (nëse nuk jeni fiksuar që më parë). Kombinim interesant i Hugh Jackman (përgjithmonë Wolverine) që kërcen e këndon me Zac Efron, që për herë të parë në një film nuk e shoh të zhvishet….apo zhvishet? Hmm ?
The man from U.C.L.E (2015): Guy Ritchie. Kaq.
OK, nuk po e lë me kaq dhe po them edhe që skena ku Henry Cavill ha një panine në makinë duke dëgjuar “Che vuole questa musica stasera” teksa Armie Hammer heq të zinjtë e ullirit, përveç se është një nga skenat e mia të preferuara është edhe përfaqësuese se sa ironik, elegant dhe nostalgjik është ky film.
Where’d you go, Bernadette (2019): Filmi i parë që kam parë këtë vit në 1 Janar në avion për në Singapore ?. Isha plotësisht hangover nga festa e vitit të ri (po edhe këtë ia bëra vetes), dhe Cate Blanchett m’u duk një ide e mirë. Natyrisht nuk e prisja saktësisht kështu duke njohur punët e Richard Linklater, por më rezultoi argëtues, i zgjuar dhe frymëzues në të njejtën kohë. Madje më bëri të mendoj që 2020 do shkonte për bukuri…pastaj e dimë të gjithë si shkoi ajo punë…
Knives out (2019): Filmi më i nënvlerësuar i vitit të kaluar. Një kastë aktorësh të njohur që çuditërisht nuk zhgënjyen aspak. Madje krejt e kundërta. Ky film është i shkruajtur shkëlqyeshëm. Ka jo një, por të paktën nja tre twists të lidhur mirë dhe që ofrojnë argëtim në të gjithë kohëzgjatjen. Nuk po shtoj tjetër gjë që ta zbuloni vetë misterin.
Point Break (2015): Edhe pse filmi origjinal me Keanu Reeves dhe Patrick Swayze (1991) është i paarritshëm, masakra që kritika i ka bërë këtij remake të 2015, më duket e tepruar. Fundja Point Break i ri, është një film me stunte fantastike, paesazhe dhe aktorë tërheqës që siguron argëtim. Ka qënë ndër filmat e parë në kinema, kur sapo kisha nisur punën aty, dhe ndoshta jam nostalgjike por, kam ende në mendje imazhet, natyrën dhe adrenalinën e sporteve ekstreme. Në rast dyshimi, shikojini të dy, dhe vendosni ju, cili pëlqeni më tepër.
The nice guys (2016 – e gjeni në Netflix): Përsëri një film që më është dukur disi i nënvlerësuar. Ky film ka aktorë të mirë, ironi dhe humor në një histori të treguar rrjedhshëm. Mbaj mend që kur e kam parë në kinema u habita sa i lezetshëm që qe, ndaj e bëra pjesë të kësaj liste.
*Bonus*
My neighbour Totoro (1988 – e gjeni në Netflix): Për t’u parë me familjen. Në fakt do rekomandoja edhe shumë të tjerë nga Studio japoneze Ghibli sepse adhuroj të gjithë punën e krijuesve të saj. Madje kur isha në Tokyo shkova dy herë tek muzeu i Ghibli por rezultoi e pamundur të gjeja bileta.
Grafikat e filmave Ghibli, mesazhet dhe përzierja e imagjinares, folklorit dhe realitetit janë një ilustrim i qartë për botën e kujdsshme dhe komplekste të artit japonez. Personazhet e secilit prej filmave janë heronj në mënyrën e tyre të ndjeshme dhe të bukur.
Mos humbisni edhe Spirited Away, Grave of the Fireflies, Princess Mononoke etj.
Për një version më të zgjeruar të listës dhe sugjerime të tjera, unë përdor një aplikacion ku shënoj të gjithë filmat që shikoj. Kështu që kur dikush të më pyesë për rekomandime të mos harroj asnjë syresh. Nëse keni qejf listat dhe ju duhen ide, linku i profilit tim në Letterboxed është këtu.
Teksa përgatisja këtë shkrim u rikujtova përse kinematografia ka qënë dhe do të jetë shpëtim për mendjen. I adhuroj filmat dhe të gjithë kompleksitetin e ndjenjave që tejçojnë dhe uroj që kjo të reflektohet edhe tek ju nëpërmjet këtyre rekomandimeve të zgjedhura me merak, për të gjitha shijet e moshat.
Qëndroni të sigurtë dhe shijoni (edhe) këto momente.
No Comments